Vlora Obertinca: Kufijtë mes dashurisë dhe robërisë njerëzore
![](https://alb-spirit.com/wp-content/uploads/2025/02/auto_volra1708958260-1-1.jpg)
“Kufijtë e shëndetshëm nuk janë mure që largojnë dashurinë, por ura që ndërtojnë respektin. Kur vendosni kufij me qartësi dhe vetëbesim, nuk rrezikoni të humbni dikë që ju do vërtet – përkundrazi, forconi lidhjen me dikë që ju vlerëson për atë që jeni” – Dr.sc.Vlora Obertinca
Kufijtë e shëndetshëm janë një shprehje e respektit për veten dhe për tjetrin. Nuk është egoizëm të thoni: “Kjo është e rëndësishme për mua” apo “Unë nuk ndihem rehat me këtë gjë”. Në fakt, kjo është një shenjë e qartë e vetëdijes dhe dashurisë për veten. Një partner që ju do me të vërtetë do t’i respektojë kufijtë tuaj dhe nuk do të kërkojë që t’i sakrifikoni për hir të lidhjes. Dashuria nuk duhet t’ju bëjë të ndiheni të robëruar, por të lirë për të qenë vetvetja.
Të mbani qëndrime për veten nuk është një akt egoizmi, por një domosdoshmëri për mirëqenien tuaj. Ju meritoni të ndiheni të sigurt dhe të dëgjuar në çdo marrëdhënie. Keni të drejtë të thoni “jo” pa u ndjerë fajtorë dhe të zgjidhni atë që është më e mira për ju. Kur e vlerësoni dhe e pranoni veten plotësisht, krijoni hapësirë për marrëdhënie të forta dhe të shëndetshme. Dashuria e vërtetë nuk kërkon që ju të humbisni identitetin tuaj. Ajo respekton kufijtë tuaj, nxit rritjen dhe mbështet lirinë për të qenë vetvetja.
Të dashurit e mi, mos kini frikë të vendosni veten në vend të parë, sepse vetëm kështu mund të jetoni në harmoni dhe paqe të brendshme. Largohuni nga ata që nuk e respektojnë vlerën tuaj, sepse dashuria e duhur nuk do t’ju kërkojë kurrë të sakrifikoni thelbin e asaj që jeni.