Albspirit

Media/News/Publishing

Ilirian Ballaj: Lufta për shkollën në Vlorë, Himarë, Sarandë, Delvinë u ndesh me presionin osman, grek, serb, malazes, bullgarë

Lufta për shkollën shqipe në Vlorë dhe rrethinat e saj, si në të gjithë Shqipërinë, ishte e njëjta llogore si edhe ajo e lirisë. Të dyja, edhe vatani edhe dija, kanë qenë vetëm një aspiratë, e pandarë. Çlirimi i vendit nga akupatorët ishte i lidhur me fitoren e diturisë. Rilindja Kombëtare 1830-1840 e konsideronte diturinë dritë, me anë të saj do të shpërndahej errësira, që kishte pllakosur vendin gjatë shekujve. Kjo aspiratë i kulmoi përpjekjet: për gjuhën shqipe, shkrimin shqip, shkollat shqipe, përhapjen e shkencës dhe e letërsisë së re me përmbajtje patriotike, motua ishte “në mos u shkroftë shkronja shqipe, nuk do të kemi Shqipëri”.

Lufta për shkollën ka qenë ndeshur me presionin e jashtëm osman, grek, serb, malazes, bullgar, e deri edhe Italian e austrohungarez dhe dëshirë e  brendshme, e zjarrtë e popullit tonë, por edhe me kundërshtarë të brendshëm tukoshakë e grekomanë. Tanzimati vetëm Shqipërisë i mohoi gjuhën e vetë dhe tha se “shteti e feja kanë një gjuhë”, i kundërvuri Shqipërisë edhe turkoshakët. Fanari dhe kleri ortodoks grek ka qenë nga më agresivët duke i kundërvënë Fanarin: me helmime, mallkime, vrasje, pusi, sekuestrime, prishje, djegje, De Rada do të shkruante: “kjo kulturë e armikut (greke për panhelenizimin) me shqipen, është fantazma e Bankos.” Sipas statistikave të fundshekullit XIX, “në të katër vilajetet e atëhershme: Manastir, Kosovë, Shkodër, Janinë kishte 1187 shkolla turke prej të cilave 1125 fillore, 57 shkolla të mesme të ulëta (ruzhdije), 5 shkolla të mesme të plota  (idadije), më shumë se 1000 shkolla greke, 300 shkolla bullgare, serbe, vllehe dhe shkolla në gjuhën italiane të Austrohungarisë dhe të Italisë” (Kalendari Kombiar, Sofje 1900, fq. 153-154, të dhëna te “Mearif selnamesi”.

Në Vlorë dhe rrethinat e saj lufta për shqipen ka dallgëzuar, ka valëzuar sikurse deti, kaherë. Dallgët përplaseshin e thyheshin, por diçka prishnin e merrnin prap. Përpjekjet për shqipen e shkruar janë bërë që me lëvizjet e murgjve bazilianë të shekullit XVII-XVIII në Himarë, që mblodhën djemtë e krahinës nga dy e tre për çdo fshat në Lumin e Vlorës e përreth dhe u mësuan shqipen e  për të arritur më tej. Është shkruar shumë për arsimin në Vlorë e zonat e saj, por do të veçoja prof. dr Bardhosh Gaçe, Idajet Jahaj, Musa Muho, dr. Enkelejda Billa, sikurse kanë bërë edhe Piro Arapi, Zeko Braho, Spiro Rusha, Idajet Jahaj, etj.

Sipas të dhënave, në vitet 1892-1896,  në Lumin e Vlorës  ka patur pak shkolla fillore, elementare, që mësimet jepeshin në turqisht. Aty mësohej alfabeti: elif, be, te, the. shkrim dhe lexim osmanisht dhe persisht,- thuhet në librin “Shkollat e para kombëtare” Hysni Myzyri 1978. Vetëm në Gjorm në ato vite ka qenë një klasë  me mësues Mulla Selimin, hoxha i fshatit që, krahas spjegimit që u bënte njerëzve për punët e paravdekjes e pasvdekjes, për sjelljen e dashurinë ndërnjerëzore, u mësonte  alfabetet joshqip, elif, be. Ai u mësonte alfabetin e huaj, por me ta fliste shqip, e nxënësit ushtroheshin për ta folur shqipen, të tregonin, të përgjigjeshin, të njihnin historinë, gjeografinë, përveç atyre të tjerave që bënte si moral e teologji. Mullai ishte aq hoxhë, sa që kur një grua iu lut për një nuskë se i rridhnin fuçitë e bulmetit në mal nga tharja e drurit, ai i kishte se s’të bënte gjë nuska, kur ajo kishte ngulur këmbë, por i nxitur edhe nga bashkëshortja ta ndihmonte, zhgaraviti diçka në letër dhe i tha t’i merrte enët e drurit, t’i fuste në ujë, të vinte nuskën brenda enës. Ashtu bëri ajo dhe mbeti e kënaqur, por enët prap rrodhën kur u thanë.

Por nëse në nuskë “shkruanin” turqisht, me fëmijët flisnin shqip puro. Më poshtë ka qenë Mullah Muhameti i Kaninës, që fshehur u mësonte nxënësve edhe shqipen. E këtë e ka bërë edhe Mulla Shaqiri, një tjetër në Labëri. Mullah Kanina dhe mullah Shaqiri katërsharet e shkrimit (fletoret) nuk ua jepnin me vete për në shtëpi nxënësve, sepse i dilte sekreti, i mbanin fshehur në shkollë, ua ndanin përgjysëm me gërshërë. Madje, shkruhet se ata qyrkun, pelerinën, filozofinë, atë të jashtme, e  kishin të huaj, shpirtin e zemrën, normat, doket zakonet, kanunet, etikën, marrrëdhëniet, atë brenda qënies së tyre e kishin shumë shqiptare.

Po në vitin 1893, nga letërkëmbimi mes Spiro Gogo (Jorgo) Kolekës dhe Jani Vretos, mësojmë se Jani Minga në Vlorë kishte përgatitur një libër për mësimin e gjuhës shqipe, për të cilën ishte këshilluar me Kostandin Kristoforidhin. Në këtë letërkëmbim (Gazeta “Liria” Selanik, 4 gusht 1908) shënohet se “në Vlorë ishin disa mësues shëtitës që praktikonin mësimin e gjuhës shqipe me librat “Dheshkronjë”, “Histori”, “Numuratorë.” Mësimi bëhej në mënyrë klandestine e se ajo punë kishte marrë rrjedhën e Shushicës në Gumenicë, Gjorm, Tërbaç, e kishte arritur lart luginës, deri në Kuç, e këtë e trajton edhe prof. dr. Bardhosh Gaçe në disa shkrime të tij.

Shkolla fillore Gjorm-Vlorë 1921

Shoqëria Patriotike “Lumi i Vlorës” dhe shoqëria “Për shkollat shqipe”, në Lumin e Vlorës shkruan Bardhosh Gaçe, ishin themeluar që më 27 janar 1902 me kryetar Abaz Nurin. Abaz Nuri ishte quajtur “kombiari i nxehtë”, sepse kishte sjellë vivëlla (libra) shqip të vlefshme dhe fjalëtore (fjalorë) shqip dhe i dërgonte nëpër shkollat turke, që ishin në punë kryesisht nga Mullahët shqiptar labë. Anastas Kondo, në librin “Pse e vranë Odisenë”, shkruan: “E pyetën nënë Katerën, Katerina, grua e zgjuar e vjershëtore e madhe, se pse e vranë Odisenë? Për vivëlla, jeto, i pruri në gji”. Po Pjetër Budin, shkrimtarin, klerikun, veprimtarin, pse e mbytën në Drin? Sepse kishte shkronjat shqip. Po Papa Kristo Negovanin? Sepse predikoi e hapi shkolla shqip. Po Ndrec Gjokën, po Bardhok Bibën më pas? Shpesh thuhet se këta emisarë ranë me pushkë në dorë e librat në xhepa. Por po aq heroike është edhe të biesh me vivëlla në gji. Presioni sabotues ka qenë nga jashtë dhe brenda edhe në Vlorë dhe rrethinat e saj. Më 1908, shënon Enkelejda Billa, mejtepet kanë vazhduar në Muradie, në Armen, Vajzë, Gjorm, Dukat, Tragjas, Brataj, ku mësimet bëheshin në turqisht (osmanisht) dhe persisht, mësuesit ishin klerikë fetarë. Por dija përcillej.

Muço Delo shkruan, se “aty nga viti 1905 erdhi në Lumin e Vlorës, Peço Kauri, që punonte si bakall, por tri-katër ditë në javë u bënte fëmijëve mësim në shqip, nga abetarja e Sami Frashërit, toskërisht, kishte nëpër klasa nga shtatë e nga tetë kalamaqër. Vlora bënte presion tek qeveritë për arsimin shqip dhe 1908 u hapën shkollat e Muradies dhe e Varoshit“. Ismail Qemali ishte gëzuar tepër kur kishte mësuar se në Muradie ishte hapur shkolla shqipe”, -shkruante gazeta Kombi, Boston, 1908.

Fill pas kësaj u shfaq një etje edhe më e madhe për mësimin shqip, i cili bëhej edhe vjedhurazi. “ Unë Kryeplaku i Himarësë, Kristo Petro, jap 30 lira skolisë , më tre shtator 1909.” Përballë kësaj lëvizjeje filluan raprezaljet “Yzeir Muço, Arshi Dajlani ikën në Korfuz, Begtash Cakrani, Harejdin Danushi u fshehën në vend. Në 1908, për Lumin e Vlorës, Himarë, Kurvelesh, Kristo Nikollë Karbunara, që e kishin dënuar një vit burg në bodrumet e Janinës, kishte kërkuar abetare, vjersha, ‘Lulet e verës’, këndim i çunave, mirvetie, dheshkronjë, fizikë”, AQSH, letër dërguar Rafael Anastasit, Bukuresht 1908. Njëzet vite punoi Musa Ali Berberi i Vlorës, gjersa vdiq për shkollën, shtëpia dhe dyqani i tij ishin depo librash më 1905.

Më 1912 Qeveria e Vlorës krijoi Drejtorinë Arsimore me Luigj Gurakuqin, Babë Dudë Karbunarën, Nikollë Kaçorrin. Arsimimin e shikonte si domosdoshmëri. Vendimi ishte: “4. caktimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare…6 Hapja e shkollave shqipe… të përhapet sistemi më i përparuar i mësimit… të përgjithësohet arsimi shqip… të shtynte zhvillimin e arteve të bukura… të ndihmohen mësuesit pleq që nuk ushqejnë dot veten … të dalin ligjet dhe urdhrat e arsimit, të ndërtoheshin shkolla të reja… të kontrollohen rreptë fondet për shkollat e mësuesit… të ardhurat e vakëfeve t’u kalonin shkollave… të vëzhgoheshin ambjentet dhe mjetet e shkollave… t’u lëshohen diplomat”, “Shkollat e para kombëtare” fq. 135.

Më 1914 ishin hapur shkollat shqip, në Gjorm, në Ramicë, në Tërbaç, në Velçë, në Brataj, me mësues Halim Kajo Gjormi, Gani Iliazi Tërbaçi, Muço Delo Tërbaçi, Yzeir Skëndo Velça, lanë detyra të tjera e funksione të larta e bënë realitet hapjen e shkollave, Halim Kajo erdhi nga ndihmës prefekt në Kavajë dhe realizoi dëshirën e Luigj Gurakuqit, që e kishte mik, shkollat u hapën në oda burrash në gjithë Labërinë dhe askush nuk hezitoi, përkundrazi, e dëshiroi shumë që shtëpia e tij të bëhej çerdhe e arsimit shqip si ajo e Sinan Memushit Gjorm. Më 1913 Luigj Gurakuqi, duke ardhur prej Ramice kishte qëndruar në Gjorm e urdhëruar të hapej shkolla më 1914 dhe u hap e “mësues -kishte thënë –është ky miku tim, që është ndihmës prefekt në Kavajë-Rogozhinë dhe djali juaj Halimi. Fshati kishte gjetur dhomën, odën e Sinan Memushit dhe kishte caktuar edhe nxënësit që do të lëçitnin, dhiavaznin (lexonin e mësonin ) aty. Shkolla ishte hapur në qendër të fshatit pranë shtëpive të patriotit Hamit Spahiu; Spahiut që hodhi pelerinën turke e luftoi xhonturqit, burrit që e ngriti turkoshakun zgubthi në Berat dhe e plasi në tokë si kungull. Luigj Gurakuqi do të shkruante në ato vite: “T’i hapim sytë shumicës së djelmënisë shqiptare”. Idajet Jahaj do të shkruante: Kënga për shkollat shqipe kanë qenë aqsa edhe përpjekjet për të:

Zotërinjtë me lezete,

bënë shumë marifete,

të bëjnë njerëz me vete,

të na hapin shkolla greke.

Më 1916, shkruan në shënimet e veta profesori Xhemil Sherif Çela, në Gjorm u hap një shkollë me mësues italian, që thoshte se ishte “stërnipa Skandërbeg”, që e besonin, dhe vëllai i tij (Xhemilit), Muço Sherifi, e merrte dhe për darka e për dreka si shqiptar dhe në një rast kishte ngrënë bukë me të me të gjithë familjen e vet, grua e fëmijë, duke thënë se ky është vëllai ynë. Aty mësohej edhe numëratori, edhe pak shqip, edhe gjeografi e histori të lashtë. Më 1914, në bazë vendi, ishin hapur shumë shkolla e po shumë edhe në Vlorë , një në qytet dhe 9 në fshatra. Secila shkollë kishte një mësues, në prefekturën e Vlorës kishte 250 nxënës. Luigj Gurakuqi kishte telefonuar nga Roma të mbylleshin shkollat greke në zonat e krishtera, të hapeshin shkollat e çunave shqip. Kur Qeveria e Vlorës ia la pushtetin KNK, filluan të rihapeshin shkollat italiane. Luigj Gurakuqi mbeti Drejtor e do të përgjigjej” vërtetë shkollat fillore do të jenë në gjuhën amtare”.

Me ardhjen në 7 mars 1914 të princ Vidit, me formimin e Qeverisë së Turhan pashë Përmetit, kjo qeveri nuk pati “zotësi në fushën e arsimit”, as vullnet thuhet në analizat e studimet, që janë bërë. Vendosja në zyra e gjuhës turke solli zëmërim të madh në njerëz. Ajo qeveri nuk pati guxim të mbyllte shkollën turçe në Durrës. Haxhi Qamilistët iu drejtuan Vlorës. Vidi u largua e filluan protestat, thirrjet: “shkolla shqipe e para”!

Më 29 nëntor 1914, Luftanija Donaldo zbarkoi në Vlorë. Grekët lanë Sazanin. Italia forcoi pozitat në Gjirin e Vlorës. Më 25 dhjetor ato zbarkuan në Vlorë. Shtinë në dorë qytetin dhe administratën. 1914-1920 Vlora u përfshi në hiderlandin italian me drejtim për arsim-kulturë dy prefektura, Vlorë, Gjirokastër. Himara provincë autonome, shkruan prof. Gaçe. Filloi një farë kolonizimi edhe kulturor. Më 28 nëntor 1916 në Brataj u bë një demonstratë, që çoi në konflikt të armatosur, në Gjorm u dogjën natën depot e ushtrisë nga një grup të rinjsh të fshatit, në një natë të keqe me shi dhe furtunë. Depot ishin tek Ura e Kumandës, në dalje të fshatit për lart. U bënë arrestime dhe u bë edhe një vrasje atë natë. Në këtë vit numëroheshin 128 mësues shqiptarë. Vlora kishte një shkollë femërore me 250 nxënës dhe një mashkullore me 193 nxënës, Bashaj 29 nxënës, Gjorm 46, Gumenicë 20, Lepenicë 35, Brataj 30, në fshatra, ka gërmuar në arkiva studjuesi Xhezo Canaj, Vlorë nxënës 2688, meshkuj 2625, femra 63.

Në Krahinën e Mesaplikut janë kundërshtuar udhëzimet shtetërore për mësimin si dhe për raportet e lëndëve sipas konceptimeve italiane. Mësimi historisë kishte pak orë për historinë e Shqipërisë e shumë për  Italinë. Si tekst përdorej Historia e Shqipërisë e A. Galantit, si dhe ajo e Naim Frashërit, Gjeografi ajo e Luigj Gurakuqit, Gramatika shqipe ajo e Marko La Piana. Një libër e F.V. Rati titulli ishte : “Pse erdhi Italia në Shqipëri? Gramatika e la Pianës u kundërshtua edhe për disa dukuri fonetike e morfologjike, të fjalëformimit, që spjegoheshin sipas modelit latin e që do të thoshte se rridhte prej saj, mësuesit shqiptarë mendonin se shqipja kishte të tjera dukuri e ligje të saj e se sipas studjuesve të huaj ishte një grup më vete në familjen e gjuhëve indoeuropiane, e se për këtë studjues deri austriakë e kroatë kishin bërë kërkime të thelluara. U kundërshtuan edhe shumë koncepte për toponimet ku zotëronin ato latine, edhe atje ku nuk ishin e që ishin puro shqip, shtjellon në librin e saj “ Lëvizja arsimore e kulturore Vlorë, shekulli XX” dr. Enkelejda Billa.

Thoma Papapano i vinte fëmijët në betim që të mos deformonin qoftë edhe një shkronjë të shqipes, sepse për to ishte derdhur edhe gjak dhe, në kor para mësimit, betoheshin solemnisht. Një betim të tillë e kam bërë edhe unë para tij me klasën në vitet 1961 në Gjirokastër, pedagogjike, në orën e mësimit të bukurshkrimit me të. Në Vlorë u botuan edhe disa tekste mësimore si Abetare nga G. Diretore, 92 faqe, Plotësori i Abetarit Vlorë 1920, libri i mësuesit për përdorim të Abetarit, Vlorë 1920. Jani Minga botoi Abetare kombëtare shqip, 72 faqe, Këndimore 32 faqe. Pra arsimi endej mes italishtes e shqipes, italianët bënin presion për të futur kulturën e tyre, shqiptarët për të ruajtur kulturën e tyre e njerëzit ishin si mes atyre pllakave tektonike, që njëra shtyn tjetrën e që e pëson çka është mes tyre. E ndër radhët e mësuesve shqip kishte idealistë, që luftonin, madje rreptë, për të lëvruar shqipen në shkrim, në hartim, në histori e në moral ose lëndë të përgjithshme.

Më 1917-1918 në Vlorë kishte 114 mësues, prej të cilëve 68 italianë, 46 vendas, e me pagat për secilin për 9 muaj dhe shpërblime në natyrë nga fshati për tre muaj.  Në Vlorë erdhën ushtarë mësues të italishtes. Ata quheshin apostuj të krishtit, shkollat zbukuroheshin me flamurin e Musolinit dhe të Skënderbeut. Nga disa të dhëna shkollore të vitit 1918, Tragjas, nxjerrim disa përfundime:”Shtatë mësues italianë, një shqiptar raporti në Vlorë, në 5 një femër italiane. Shqiptari jepte vetëm lëndën shqipe, gjithsej 2 orë në javë, shkolla quhej italo-albaneze, lëndët ishin:” italisht diktim, diktim shqip, hartim italisht, hartim shqip, aritmetikë, njohuri mbi historinë, gjeografi, moral qytetar, gramatikë italiane, bukurshkrim shqip e italisht, ”la skuaola in Albania”, faqe 10 1918. Në krye: Skuola elementaria di… që plotësohej në vend kur mbushej.

Në vjeshtë 1918 Avni Rustemi themeloi në Vlorë “Lidhjen e djelmoshave vlonjatë”. Bashkë me “Rreze dielli”, formuan “Lidhja e djelmoshave”, pastaj “Mbrojtja shkollore”. Kishte edhe mësues shqiptarë që jepnin moralin në shkolla, në Tragjas prindët u thoshin fëmijëve:”Beni ç’u thotë mësues Avniu”. Avniu jepte moralin. Një ditë nxënësve u thotë, kujton mësuesi i tragjas Halo Sinani, “ ky që kanë librat është morali italian, ne kemi moralin tonë, shqiptar. Do t’ua mësoj unë. E dini ç’është mosdija? Jooooo! Ja kush është, dhe mbylli krejt dritaret. Shikoni gjë? Jooooooo. Po dija, shkolla, e dini? Jo! Ja, dhe hapi dritaret. Njëra errësirë, tjetra dritë, shkolla do të na hapë sytë që të mos rrimë në errësirë.”

Brahim Musa efendiu i Bratit, Ali Beqiri,  Rexhep Sulejmëni, Yzeir Skëndo, Selam Hitaj, Hysni Lepenica, Nuro Hameti, Gani Iliazi, Sadik Çobani, njerëz të kënduar formuan shoqërinë “Shtiza e qytetërimit”. Ata që kishin punuar dikur mësues shëtitës, formuan shoqërinë “Opinga”, që kërkonte mbrojtjen e arsimit shqip në fshat. Në Gjorm, Brataj dhe Bolenë filluan grindjet me italianët për arsimin, por edhe kundër trupave ushtarake. Në Gjorm, kujton Gani Iliazi, disa nxënës që po lëvizja me ta shanë keq dhe fort italianët, që kishin përballë, nga nëna e nga baba në italisht, dhe italianët erdhën që t’i arrestonin, por shpëtuam, sepse fëmijët ishin minorenë, por edhe unë i fsheha në dyqanin e fshatit, në depon e ushqimeve. Në shoqërinë e mbrojtjes shkollore 1919 ishin : Gani Iliazi e Selam Hitaj në Gjorm, Abdurraman Çiraku Vërmik, Muço Delo Tërbaç, Hasan Brahimi Matogjin, Hysni Lepenica- Lepenicë, Yzeir Skëndo Velçë,  Xhemil Duka Vranisht, Brahim Musa efendiu Brataj. Përpjekjet vazhduan edhe më tej, 1920-a si për gjithë Shqipërinë edhe për Vlorën shënuan shumë ngjarje të mëdha, më 1924 u hap shkolla tregtare Vlorë, në Ujë të Ftohtë, e cila ka kaluar nëpër duart e veta mbi 26 mijë nxënës.

Sipas një shkrese qeveritare viti 1927, numër 52, “në Vlorë janë këto shkolla, shkolla fillore në Vlorë (shqip) me emrat e veteranëve dëshmorë, të vdekur të Vlorës: Ismail Qemali, Ceno Sharra, Osman Haxhiu, fëmijërore: Marigo Pozo, foshnjore: Xhezo Haremi,  L.Zog I: Dush Strati. Të katundeve: Nartë Simon Strati, Kaninë Isuf Abazi, Radhimë Ymer Radhima, Tragjas Alem Mehmeti, Vranisht Sali Murati (kapiten), Velçë Hamit Lumi, Gjorm Bego Laze, Sevaster Kanan Maze, Mavrovë Hazbi Cano, Rexhepaj, Kocul, Drashovicë, Armen, Trevëllazër, Hoshtimë, Novoselë, Poro, Matogjin Zaçe Xhelo, Vajzë Elmaz Xhaferi, Dukat Hamit Selmani, Tërbaç Halim Xhezo, (Xhelo), Brataj Mahmut Xhaferi, Selenicë Llukë Papajorgji, Gumenicë Demo Cane, Zhukë Marko Qypi, Kropisht Musa Çakërri, megjithëse shumicën e këtyre emërave i gjejmë shumë të pëlqyer, jemi kundra pagëzimit të disave dhe vendimin e rezervojmë. Vlorë, R 2 Nr 59, 23 vjetit 1927”. Më pas vendimi është se “të gjithë u pagëzuan mësues në ato shkolla, fillore, fëmijërore, foshnjore, fillore L. Zog I”, / 31..1927.

Kontributi i studiuesve vlonjatë është një dritare për të parë atë çka është bërë për mëmëdhenë, veç pushkës edhe jataganit. Kanë luftuar me jatagan e pushkë, por kanë luftuar edhe me libra, madje kjo ka qenë puna më e vështirë dhe më heroike. Arsimimi ka qenë e ka për të ngelur drita, që ndriçon njerëzimin. E ne si komb kemi historinë tonë të ndritshme edhe në këtë fushë. Kemi edhe dëshmorët tanë, që luftuan për shkollën shqipe. E kemi pse krenohemi, sepse ruajtëm e zhvilluam një nga gjuhët më të lashta të rruzullit. Këtë gjuhë të hapur dhe në zhvillim, edhe kjo duhet, por edhe në prishje e basardim shpesh me perversitetet e kohës dhe bizhuteritë e saj kallp, duhet ta mbrojmë, sepse sikurse zhvishet rinia e del edhe dërrasë, ashtu po zhvishet edhe gjuha nga vlerat e saj qënësore. Një filozof hindu shkruan:”Shoqëria qëndron mbi tri shtylla të mëdha, punën se duhet të rrojmë, dijen se duhet të përparojmë dhe… luftën që duhet ta bëjmë… nëse na zë”!

Dhespotin Kotoko që erdhi nga Gjirokastra 1932 e përzunë vlonjatët. Thuhet se Marko Billa, patriot, i paska pështyrë përfaqësuesit e Patrikanës, që predikonin shkollën greke dhe u paska thënë:

S’kemi punë me Gërqinë,

s’bëjmë hashë vëllazërinë.

Sot, kur kanë rrjedhur shumë ujëra, mësuesja vlonjate Lefteri Metkaj e ka përmbysur raportin e dikurshëm, në Athinë ka hapur tri pika shkollore fillore, ekspozita, teatro.

https://telegraf.al/speciale/ilirian-ballaj-lufta-per-shkollen-ne-vlore-fshtarat-e-saj-himare-sarande-delvine-u-ndesh-me-presionin-osman-grek-serb-malazes-bullgare/?fbclid=IwY2xjawIUtARleHRuA2FlbQIxMQABHQXN3fghrSCM2TfpRg_j9y_QlqDiCzKJ4Lo3fdjiC5iR5rMnUJRR8OTIaA_aem_yEBZmSEa7IN46eFBIACBUg

Please follow and like us: