Albspirit

Media/News/Publishing

Trump, urdhër ndalimi për ish zyrtarë të lartë të SHBA

Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken është i “padëshiruar” nga administrata e Donald Trump.

Me anë të një vendimi, Donald Trump ka revokuar lejet e sigurisë për Antony Blinken, ish-Sekretarin e Shtetit dhe Jake Sullivan, ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare. Lëvizja erdhi një ditë pasi Trump tha se kishte hequr lejen e sigurisë për paraardhësin e tij Joe Biden, duke i ndaluar aksesin e tij në informimet e përditshme të inteligjencës.

Këtë fakt, Donald Trump e bëri të ditur në një intervistë ekskluzive dhënë për të përditshmen “New York Post”, ku shprehet: “Djalë i keq. Hiqjani lejen. T’u hiqet çdo e drejtë që kanë, përfshirë, atë të hyrjes në ndërtesat federale”, shkruan A2.

Trump revokoi gjithashtu lejet e sigurisë për zëvendësprokuroren e përgjithshme të Biden, Lisa Monaco, e cila ndihmoi në koordinimin e përgjigjes së Departamentit të Drejtësisë ndaj sulmeve të 6 janarit 2021 nga mbështetësit e Trump në Kapitolin e SHBA, thanë zyrtarët të shtunën. Ata thanë se Trump hoqi gjithashtu lejet e Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James dhe Prokurorit të Qarkut të Manhattan, Alvin Bragg, të cilët të dy drejtuan çështje kundër Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e akuzon Blinkenin si një prej nxitësve të dyshimeve se Trump bashkëpunoi fshehurazi me Moskën, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 kur fitoi mandatin e parë, të cilat u hodhën poshtë.

Ndërsa revokimet mund të mos kenë ndikime të menjëhershme, është një tjetër shenjë e përçarjes në rritje në Uashington. Ish-presidentët e SHBA tradicionalisht kanë marrë informime të inteligjencës në mënyrë që të mund të këshillojnë presidentët aktualë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme.

Në vitin 2021, Biden revokoi lejen e sigurisë për Trump, i cili në atë kohë ishte ish-president. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth muajin e kaluar revokoi detajet personale të sigurisë dhe lejen e sigurisë për Mark Milley, një gjeneral në pension të ushtrisë dhe ish-kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit.

Shumë nga diplomatët e Biden-it kishin punuar me zyrtarët e ardhshëm të Trump në javët para 20 janarit, kur Trump mori detyrën, për çështje, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë. Ndërkohë, Blinken nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat.  (A2 Televizion)

Please follow and like us: