Itali, nesër mbahet mbledhja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor
Në Itali nesër do të mbahet mbledhja e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme e Italisë, kryediplomatët e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, si dhe të atyre të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor: Italia, Austria, Kroacia, Greqia, Çekia, Sllovakia dhe Sllovenia nesër do të mblidhen në kryeqytetin e Italisë, Romë.
Mikpritësi i mbledhjes do të jetë zv/kryeministri dhe ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani, në rezidencën shtetërore Villa Madama.
Përveç kryediplomatëve të vendeve në fjalë, në takim do të marrin pjesë edhe shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, si dhe komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.
Në njoftim thuhet se qëllimi i takimit të nesërm është forcimi i koordinimit për qëllimet dhe prioritetet që do të ndiqen në vitin 2025 me qëllim rritjen e sigurisë së rajonit dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në BE, në kuadër të bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor.
“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është një prioritet për qeverinë italiane”, tha Tajani.