Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Takimet me Ibrahim Rugovën

Ka qenë data 4 dhjetor 1993 kur jam ndeshur ballë për ballë dhe kam folur për herë të parë me Ibrahim Rugovën.

Ka ndodhur në një pushim midis seancave të Kuvendit të Dytë Kombëtar të Partisë Demokratike, Tiranë 4-5 dhjetor 1993. I ftuar në atë Kuvend, Rugova ishte ulur në një nga llozhat në katin e dytë të sallës së teatrit të Operas ku po mbahej Kuvendi.

Jemi takuar fare rastësisht te dyert e sallës. Nuk njiheshim personalisht. U zmbrapsa që t’i hapja rrugën. Rugova më foli me emër. Më tha: “E ndoqa fjalën tënde dhe më pëlqeu”.

I dhashë dorën jo pak i befasuar. Si t’ia shprehja kënaqësinë e rrallë që po flisja me Rugovën? Sikur nuk flisja me një figurë të kësaj toke, të realitetit tonë të gjallë. Sikur ishte çarë dheu dhe ne shqiparët e këndej e andej kufiririt mund t’i flisnim si njerëz, të takonim duart e njëri-tjetrit.

Ky ishte përfytyrim ynë i atëhershëm mbi Kosovën, mbi historinë e saj, mbi klasën e intelektualëve dhe të figurave të saj politike. Ndonjëherë përfytyrim naiv dhe idiotesk. Përfytyrim idiotesk sa, kur takonim për herë të parë dikë nga Kosova a Struga, pak si me habi i thoshim: “sa mirë që e flet shqipen”.

Pas përshëndetjes, nxitova që t’i flas Rugovës me shumë vlerësim për librin e tij mbi Pjetër Bogdanin. Si pedagog i letërsisë në Universiteti Eqrem Çabej Gjirokastër, i kisha kushtuar atij libri dy seanca seminaresh me studentët e mi. Botimi i këtij libri në Shqipëri ishte ngjarje. Në Shqipëri ende shihej me përçmim Letërsia e vjetër shqipe dhe autorët e saj. Për motivet fetare në përmbajtjen dhe, nga që autorët e saj kishin qenë klerikë, kjo letërsi ishte hequr nga programet shkollore dhe universitare. Libri i parë i plotë mbi Bogdanin botuar tek ne, ishte studimi i Ibahim Rugovës. Rugova më tha se më kishte lexuar dhe si poet. I erdhi mirë që e kishim pëlqyer librin mbi Bogdanin. Më tha se librin e kishte shkruar në 5-6 muaj, në një kohë kur Prishtina kishte qenë në izolim e paralizë, ngaqë policia serbe ushtronte dhunë e kontroll të pandërprerë.

Flisnim spontanisht dhe në ecje e sipër. E kuptoi se nuk po i bëja një komplimet të rastësishëm për librin. Kuptoi që e njihja dhe e çmoja si vepër studimore librin e tij.

Më tha prapë se fjala që në sapo kisha mbajtur në Kuvendin politik të PD, i kishte pëlqyer.

Doja ta vazhdonim bisedën, por ai nxitonte për diku dhe u ndamë.

Berishës gjatë darkës në atë mbrëmje, darkë ku merrnin pjesë dhe disa deputetë shqiptarë, kolegë të mi, i kishte shprehur mendimin se fjala ime në Kuvend ishte me mendim. Berisha e kishte kundërshtuar përbuzshëm, i kish thënë se Bejko është thjesht letrar, nuk ka mendim politik. Rugova kishte këmbëngulur shkurt e prerë se e vlerësonte problematikën e fjalës sime.

Këto m’i thanë miqtë e miqë ishin të pranishëm në atë darkë.

Pse ishin përplasur ata për një fjalim politik dhe aq? Atëherë unë nuk e dija se krerët e politikës nuk duan autoritet veç vetes. Se pushteti është kundër individualitetit. Pushteti do lavde dhe fjalë bajate për sukseset që po arrihen nën udhëheqjen e tij.

E mbajta në mend bisedën me Rugovën. Sado e shkurtër, ishte nga ato që prej bashkëbiseduesit ke marrë mirëkuptim, simpati, pëlqim mendimesh. Biseda të tilla premtojnë vazhdimin për më tej.

Por nuk pati më takime vetëm për vetëm midis nesh.

Nga fundi i vitit 1995 u takuam në një darkë ku ishin dhe disa anëtarë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë. Ishim të ftuar nga Rugova, Presidenti i Kosovës në një nga sallat e shtëpisë së Enver Hoxhës. Darkë dhe bisedë që zgjati gati dy orë. Isha i ftuar nga një njeri i çmuar dhe i rëndësishëm për mua. Ndodhi të jem i ulur përballë tij në qendër të tryezës së gjatë të darkës.

Para se të flas për këtë darkë, dua të bëj një parantezë.

Duke qenë larg prej Tiranës, nuk jam takuar me shkrimtarë a studiues të Kosovës që pas vitit 1972 filluan të vijnë në Tiranë. E njihnim pak gjendjen në Kosovë. Shkrimtarët që kishin qenë në Kosovë, na jepnin përshtypjet, por me kursim. Me një mjegullim pseudopatriotik, sikur nuk kishin udhëtuar në tokë, nuk kishin folur me njerëz të gjallë. Në rrethe shkrimtarësh të Tiranës, në mënyrë gjysmëzyrtare na thuhej se poezia që shkruhej në Kosovë ishte imitim banal i modeleve më të fundit të modernizmit. Modernizmi politikisht, estetikisht në Shqipërisë shpallej si herezi. Poezia e Kosovës, jeta kulturore e saj, ishin majmunëri, imitim i shëmtuar si ata që rreken të sjellin modën e fundit të salloneve pariziene në një fshat me kasolle kashte. Letërsia, studimet, përkthimet nga Kosova viheshin në indeks, në një fond të rezervuar të Bibliotekës Kombëtare. Duhej zyrtarisht lejë me shkrim që të merrje libra nga ky fond.

Në anën tjetër publikimi në Kosovë i një autori nga Tirana, quhej ngjarje. Shumë nga ata autorë që e kishin vizituar Prishtinën dhe që e distancohen veten nga letërsia e saj, ndjeheshin shumë të lumtur kur botonin një libër a qoftë një cikël me poezi te gazeta “Fjala” e Prishtinës. “Jam i botuar në Kosovë”, thoshin të gëzuar.

Nga mesi i viteve 1970 shtëpia botuese ‘Naim Frashëri’ filloi të botojë libra të poetëve, të autorëve të njohur nga Kosova. Të redaktuar e të përzgjedhur.

Tek ne njihej, propagandohej Rexhep Qosja, shkrimtar dhe studiues me vlerë i letërsisë. Ali Podrimja njihej si rapsodi i temave kombëtare, por autor i një poezie me shprehësi gjuhe të modernitetit. Azem Shkreli, intelektual publik me peshë, poeti i zemërimit të fshehur, i melankolisë dhe i metaforave, i ironisë, ishte më i sofistikuari. Veçse me cilësi të larta letrare, Azem Shkreli, për ata që vizitonin Kosovën, kishte në të sjellët e përditshëm zgjuarësinë e atij që ecën me këmbët në tokë. Në ndryshim, siç na thoshin, nga Qosja që kërkonte për veten një vend diku pranë Rilindasve.

Rrethet e majta në Shqipëri, Qoses i jepnin hapësirë të gjerë mediatike për ta projektuar, propaganduar atë si figurën numër një të Kosovës së ardhshme.

Rugova ishte pak i njohur. Nuk mëtonte në publik heroin, apostullin, a profetin, synime që te Qosja lexoheshin hapur. I thirrur nga Tirana zyrtare për të qenë nënkryetar i një komisioni të pajtimit kombëtar, Qosja deklaronte: Vijmë në Shqipëri si Moisiu në Tokën e Premtuar. Ai kështu po vetëquhej Moisi, profet. Një huq i gjithë atyre shqiptarëve që marrin role publike, politike; njëherësh ata i veshin vetes dhe mantelin e atit shpirtëror e babait të kombit.

Edhe sot Edi Rama që nga modeli i politikanit ngjan më moderni, më me bojna e ngjyra spektakli, e thërret si Mamicë, kryeparlamentaren Spiropali, nga që kjo publikisht e ka vlerësuar Ramën si Skënderbe.

Qoses, historian i letërsisë së Romantizmit, ia kam marrë librat nga kopjet rezervat në Tiranë dhe i përfshirja në leksionet e mia në Universitetin e Gjirokastrës. Ato ishin një punë e mirë për kohën. Për një kohë të gjatë nuk e kam kuptuar pse ky njeri braktisi pasionin e tij më madhor, punën si shkencëtar i suksesshëm i letërsisë, për t’iu dhënë ambicieve politike. Mendoj se po t’i kishte qëndruar pasionit të tij themelor, sot do të kishim një variant të historisë së letërsisë shqipe me autor Qosen. E humbëm këtë shans.

Rugova ngjante më ndryshe edhe nga politikanët, dhe nga intelektualët. Ruante profilin e një profesori. Shtatgjatë, jo me ndonjë shkathtësi fizike, Ibrahim Rugova të përballej me pamjen e njeriut të mendimit jo të veprimit. Fliste pak. I ngjante një njeriu të rezervuar, të tërhequr. Nuk ia vëreje etjen për dukje, për protagonizëm.

Misteri te ai ishte i dyfishtë. Ky president pa shtet, pa ushtri, pa para… pritej në disa nga kanceleritë e rëndësishme europiane e deri në Uashington. Ai siguronte simpati dhe arrinte ta ndërkombëtarizonte problemin e Kosovës.

Nuk i dinim marrëdhëniet e tij me bashkëpunëtorët e afërt, as lidhjet me politikën e lartë shqiptare. Ai ishte i ftohtë me shtypin e shkruar, përgjithësisht u rrinte larg mediave në Tiranë. Me Berishën në dukje hiqeshin si miq. Në thelb ishin profile fare të ndryshëm. Berisha mëtonte të ishte vëllai i madh, gjë që Rugova e shmangu… nuk mund ta pranonte.

Tipari tjetër që Rugovën e bënte të mistertë ishte predikimi prej tij i pacifizmit gandist si taktikë e projektit politik të pavarësimit të Kosovës. Kjo ide e mosdhunës i kishte dhënë imazhin e Gandit të Ballkanit. Ballkani gjithmonë ka qenë trualli i udhëheqësve populistë dhe agresivë, i prijësave zemërakë, i diktatorëve të vegjël, gjemba helmues për të tjerët, për fqinjët. Për herë të parë me Rugovën politika në Ballkan po ballafaqohej me një model të pazakontë, me një idhtar të mosdhunës. Qoftë dhe si një sajesë ëndrre, si profil i një prijësi ireal, si rast i izoluar, a si një eksperiment fantast politikë, prapë imazhi gardist i një udhëheqësi ballkanik mbetej një habi e pëlqyer, e pranuar për rrethet e diplomacisë në botë.

Ngjarjet më pas u rrokullisën në hullinë e tyre, jashtë një projekti gandist. NATO- ja e bombardoi 100 ditë Jugosllavinë e Millosheviçit dhe kjo bëri që sundimi serb të tërhiqej nga Kosova…

Të vij të takimi im i fundit më Rugovën në Tiranë. Me sa mbaj mend ka qenë diku nga fundi i vitit 1995. Azem Hajdari e negocioi takimin. Ishim rreth 10 deputetë të PD që atë mbrëmje u ulëm në tryezë me Rugovën. Kishte qenë një dëshirë e madhe e jona që ta njihnim nga afër, atë Presidentin që për përfytyrimin tonë më shumë ishte një personazh ëndrre. President që njëherësh ishte real dhe nuk ishte, ashtu si gjithë projekti i tij… President që parlamenti që e shpalli të tillë, nuk mund të mblidhet prapë, President me qendër në Prishtinë, por me qeverinë e tij në mërgim, në Europë. Njeriu që do të bëjë një shtet, një Kosovë të pavarur, me pak miq ndërkombëtarë, por pa para, pa armë, pa ushtri…

Darkën e kishte përgatitur drejtoria shtetërore e vilave për mysafirët e shtetit. Rugova Ishte në qendër te tryezës i rrethuar nga tre katër miq të tij nga Kosova. Me kostumin e zakonshëm, më shallin karakteristik, më kokën disi të anuar, herë me fytyrë të padepërtuar, herë me një buzëqeshje pak të madhe si të montuar mbi buzët e tij.

Nuk kishte tendosje në fizikun e tij. Cigaren ‘Marlboro’ një e shuante, një e ndizte. Gota e verës së kuqe nuk i ndahej. E hiqte pandalur me gëllënjka të vogla sa dhe bishtat e cigares dhe cepat e buzëve i merrnin ngjyrën alla të verës.

Fliste në përgjithësi, i rrëshqiste termave konkrete. Më shumë fshihte, se shprehte . Foli më shumë për hartën e shtetit shqiptar që e kanë prerë, mu aty ku janë fushat, i kanë lënë vetëm malet. E kam parë nga aeroplani, thoshte. I kanë prerë Plavën, Gucinë, Ulqinin, Tivarin, i kanë prerë luginën e Pollogut, i kanë prerë ultësirat e bregdetin Çam.

Për rilindasit shqiptarë tha se ata i kanë ditur gjërat më mirë nga ne. E njihnin të dukshmen, faqen, shtrirjen gjeografike të trojeve shqiptare, por dinin të shihnin dhe në thellësinë e pasurive nëntokësore të kësaj gjeografie. Sipas rilindasve dhe të vetë Rugovës trevat shqiptare ishin nga më të pasurat me minerale të rralla e të çmuara… shumë të begata. Më erdhi ndër mend një varg i Naim Frashërit nga poema ‘Bagëti dhe bujqësi’ dhe e thashë: “Përsipër lulez e gjethez, përbrenda argjend e flori”. Ashtu është, më tha si me bindje, rilindasit i kanë ditur gjërat.

E kisha përballë. Ai njeri pa u munduar të të bënte për vete, ia arrinte të të bënte magji. Të besoje atë që ishte dhe nuk ishte.

U munduam të na thotë diçka më shumë për atë se si do venë punët e Kosovës, por ai e kthente bisedën të udhëtimet e tij, te takimet me presidentë e kryeministra të rëndësishëm të asaj kohe.

Takim me Micotaqin në Athinë, me Miterranin në Paris… Këto takime ishin shprehje simpatie personale për intelektualin Ibrahim Rugova, politikan gandist e paqësor në Ballkan, apo…

Ne e dinim se këto biseda janë pritja e mirë, fjala e mirë protokollare dhe guri në trastë: nuk të premtonin asgjë konkrete. Nuk mund të ishe i lidhur me ata burra shtetesh me asnjë marrëveshje politike, me asnjë pakt të detyrueshëm. Por takimet ishin të mira. Ato ia vlenin për ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës. Nëse kjo nuk ishte mjaftueshëm, prapë nuk ishte pak. Rugova por prezantonte Kosovën në politikën ndërkombëtare. Kjo ishte si të lëvizësh edhe duke mbetur në vend.

Rugova dhe kur u përcuall përgjithmonë nga kjo botë, kishte mbi varrin e tij përfaqësues nga kanceleritë e rëndësishme europiane. Ai i dha Kosovës kreditet e tij, njohjen si figure ndërkombëtare edhe në gjalljen, edhe me vdekjen e tij.

Ikëm dhe të kënaqur dhe konfuzë nga ajo darkë me Rugovën, takim në muajt e fundit të vitit 1995.

Morëm një përshtypje jo të qartë për atë sesi do të vinin gjërat në të ardhmen.

Nga Rugova morëm imazhin miqësor… ai na kishte pritur, kishte ndarë me ne bukën, kishim biseduar gjatë dhe miqësisht.

Please follow and like us: