Albspirit

Media/News/Publishing

Shkarkimi i gjyqtarit Ken Dhima lihet në fuqi

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Vlorës Ken Dhima, nuk u paraqit të enjten më 16 janar në seancën publike në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, për të mbrojtur veten e për të dhënë shpjegime lidhur me pretendimet e ngritura në ankimin ndaj vendimmarrjes së Komisionit për shkarkimin e tij.

Kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Ina Rama relatori gjithë aktetet e njoftimit të Dhimës për datën dhe orën e seancës, të kryera nga KPA në adresat e postës elektronike, në adresat e banimit, si dhe në gjykatën ku kishte punuar – përpjekje që kishin rezultuar të pasuksesshme, pasi ish-gjyqtari nuk ishte gjetur. Në vijim, KPA ka vijuar me njoftimin publik në ambjentet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK dhe në faqen online të KPA, si dhe i është kërkuar Bashkisë Tiranë që të mundësojë njoftimin e Dhimës për datën dhe orarin e seancës publike. Dhe në këto raste, subjekti nuk është gjetur që të njoftohej. Bashkia Tiranë dhe njësia ku Dhima rezulton të ketë adresën e banimit kanë kryer dhe ato njoftimin me shpallje publike, por Dhima nuk u paraqit në seancë, pavarësisht investimit të disa institucioneve për mundësimin e njoftimit të tij.

Në përfundim, Kolegji vendosi ta zhvillojë seancën në mungesë të gjyqtarit Dhima, duke konsideruar se ai nuk ka depozituar shkaqe të arsyeshme lidhur me mosparaqitjen. Pasi u mbyll shqyrtimi, Kolegji u tërhoq për marrjen e vendimit që e shpalli po të enjten, në orën 13:00.

Gjatë shpalljes së vendimit, u relatuan shkaqet e ankimit për pasurinë të cilat janë rrëzuar nga Kolegji si të pabazuara. Kolegji vlerëson se Dhima ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë. Sipas KPA, ato shkaqe që janë gjetur të bazuara, janë vlerësuar të pamjaftueshme për ndryshimin e vendimit të Komisionit për shkarkimin e Dhimës.

KPK e shkarkoi Dhimën më 29 korrik, 2021 për probleme në kriterin e pasurisë. Dhima e filloi karrierën në vitin 2003 në Gjykatë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Në vitin 2004 ai u transferua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe në 2013-ën u emërua në Gjykatën Administrative Vlorë.

Please follow and like us: