Albspirit

Media/News/Publishing

Dezinformimi dhe ndikimet e huaja keqdashëse në rajonin e Ballkanit

Ekspertë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën ngritën shqetësimin për ndikimet e huaja keqdashëse nëpërmjet dezinformimit në rritje në rajon që siç thanë, vjen kryesisht nga Rusia.

Komentet e tyre ishin pjesë e diskutimeve në kuadër të Samitit të Ballkanit për Dezinformim që po zhvillon punimet sot në Prishtinë nën organizimin e platformës The Geopost, e cila ka katër vjet që punon kundër dukurisë së përhapjes të lajmeve me përmbajtje të pasaktë.

Festim Rizanaj nga Platforma për verifikimin e fakteve “Hibrid”, tha se Rusia viteve të fundit përdor kryesisht ngjarjet e luftës në Kosovë për të përhapur propagandë në Ballkan në përpjekje për të arsyetuar agresionin e saj në Ukrainë.

“Katër narrativat kryesore ku Rusia e përdor Kosovën është delegjitimimi i shtetësisë së Kosovës ku shpesh merret lufta e Kosovës për të krijuar një lloj revizionimi të historisë sepse thotë që intervenimi i NATO-s e ka shkelur sovranitetin e një shtetit dhe ka qenë agresion ndaj Jugosllavisë e forma të tjera. Gjithashtu është portretizimi i Kosovës si një faktor destabilizues në Ballkan pra për ta ngritur idenë se Kosova është një lloj kanceri i Ballkanit dhe është problemi kryesor në rajon si dhe disa narrativa që Kosova është shtet jolegjitim”, tha ai.

Pjesëmarrësit në samit theksuan se ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është në rritje duke nënvizuar se rajoni duhet të angazhohet në ruajtjen e përqendrimit të bashkësisë euroatlantike ndaj tij, në të kundërtën ekziston rreziku që të krijohet hapësirë për ndikime të huaja keqdashëse.

“Në përbërjen e re të parlamentit kemi rreth 12 deputetë që nuk e fshehin fare qëndrimin e tyre pro rus, ndërkaq në përbërjen e kaluar kishim vetëm dy të tillë, kështu që forca politike po rritet ndërkaq ajo ekonomie po bie. Mendoj që ky është rezultat i ndkimit që po përhapet nga e ashtuquajtura diplomaci fetare. Pra një muaji për shembull kisha ortodokse maqedonase vendosi të njoh një kishë proruse në Ukrainë e cila është e ndaluar nga parlamenti ukrainas, por ende heziton ta njoh kishën zyrtare të këtij vendi, njësoj vepron aktualisht Serbia, Bosnja por edhe Shqipëria. Kështu që Rusia ende ka nën kontroll kishat në rajon”, tha Xhelal Neziri nga Maqedonia e Veriut.

“Nëse maten treguesit kryesor si për shembull a po shpenzon Rusia para për dezinformim në Bosnjë do të thoja që shumë pak. Nëse më pyesni a ka në praktikë burime të dezinformimit në pronësi të Rusisë do të thoja sërish mbase ndonjë ose asnjë fare. Por në pyetjen nëse propaganda proruse është e përhapur në Bosnje, them po në shkallë të gjerë. Kjo ndodhë për shkak se cdo gjë që ka në pushtet Republika Serbe është natyrshëm proruse”, tha Darko Brkan nga Bosnje e Hercegovina.

Ekspertët thanë se ndër hapat e nevojshëm për të parandaluar këtë dukuri është edhe thellimi i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor për trajtimin e sfidave të përbashkëta që sjell dezinformimi dhe ndikimi i huaj keqdashës.

Please follow and like us: