Albspirit

Media/News/Publishing

GAZI ISLAM KONDI, DËSHMORI I FUSHËBARDHËS QË RA NË GJORM TË VLORËS

(Në përkujtim të 82 vjetorit të rënies së dëshmorit Gazi Kondi(25.5.1908-15.1.1943), nga Fushëbardha e Gjirokastrës, eshtrat e të cilit akoma nuk po prehen në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës sikurse parashikon Ligji nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, Kreu IV, “Varrezat e dëshmorëve dhe ceremonitë në nderim të tyre” Neni 13  – Vendprehja e dëshmorëve të atdheut; në pikën 1: “Në shenjë nderimi, përkujtimi dhe mirënjohjeje kombëtare për dëshmorët e atdheut janë ndërtuar dhe do të ndërtohen varrezat ku prehen dëshmorët e atdheut” dhe në pikën “3.Çdo dëshmor ka një varr në varrezat e dëshmorëve të atdheut, të ngritur në territorin e qarkut ku ka rënë ose ka pasur vendbanimin..”. Dëshmori Gazi Islam Kondi kishte lindur në Fushëbardhë të Gjirokastrës, pjesëmarrës me armë në dorë në formacionet e LANÇ-it ish-partizan i, dhe ka rënë më 15.1.1943, në fshatin Gjormë të Vlorës. Gazi Kondi është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, me Vendim Nr. 44 datë 30.12.2004 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, pranë Ministrisë së Mbrojtjes (sipas librit zyrtar në Republikën e Shqipërisë: “Dëshmorët e Atdheut”, të Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, 2012, publikuar me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, faqe 82 (Dëshmorët e atdheut, Gjirokastër, rreshti 50. Dëshmorët e ngelur përjetësisht në themelet e lirisë janë përmendore nderi, lavdie e trimërie, që meritojnë nderimin e mbarë brezave të shtetit dhe të kombit shqiptar).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Gazi Islam Kondi është lindur në fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës më 25 maj të vitit 1908, në një familje me tradita atdhetare e patriotike shumë të shquara. Emrin ja vendosi “Gazi”, pasi edhe babai i tioj kishte shërbyer në Turqi dhe nga gjuha turke “Gazi do të thotë “veteran lufte/fitimtar” Babai i Islami sikurse gjithë bashkëfshatarët e tij ka kaluar një fëmijëri të vështirë, ku me zorr mbijetonin në jetën plot halle e pushtime. Sikurse gjithë djemuria e Labërisë edhe babain e Gazit, Islamin (e parë) e morën asker, për të kryer “nizamllëkun” në portat e Stambollit duke i imbarkuar në vaporrin “Daut”, që mblidhte gjithë djemurinë shqiptare nga skelat në Ulqin, Shëngjin, Durrës, Vlorë e Sarandë. Meqë afronte lufta i “plasën” në brigjet e Bosforit në garnizonet uhstarake. Ndërkohë që më 1914 kishte shpërthyer lufta e parë Botërore, më 1915-tën kur u zhvillua lufta e Çanakalesë në Gelibollu u rreshtua në mbrojtje të rregjimit Osman, edhe Islami, ku edhe u plagos rëndë në betejë. (lufta e Çanakalesë 25.4.1915 – 9.1.1916, që pati 500 mijë të vrarë nga të cilët 26 mijë ishin shehit shqiptarë nga Presheva, Kumanova, Gjakova, Vlora, Gjirokastra, Çamëria i gjithë trualli shqiptar, ku të huajt shpreheshin “Luftuam jo me turqit, por me Zotin,.. dhe natyrisht do të mundeshim!”, pa e ditur se kishin luftuar në atë front me shqiptarë”). Në këtë front pikërisht u plagos edhe luftëtari fushëbardhas babai i Gaziut, Islami. Familjarët kujtojnë se, se Islami i parë u dërgua nga forcat demokratike në prapavije për shërim si dhe prej andej e dërgojnë në fshatin e lindjes në Fushëbardhë, të Gjirokastrës, ku kishte djalin e tij Gaziun vetëm 7 vjeç (Gazi kishte lindur më 1908, përpara se babai i tij të shkonte nizamë në strukturat ushtarake të perandorisë osmane). Nga të dhënat e arkivit familjar një bejtexhi Jonuz Kuci duke qenë se fshatçe i bënë një shtëpi Islamit të parë (ish-asker në Turqi) tek përroi i Kërpaçe, por kur do ta inaguronin ujët u fut brenda dhe u prish muhabeti, por kënga mbeti: “Lule more Islam trimi,/në qoshe doli burimi,/Se kishin zakon në anët tona,/të flij burri në kollona”. Historia flet për një fis punëtor, të mençur, u kishte lezet trimëria, pasi kanë qenë pjesë e gjithë çetave e detashmenteve luftarake të Fushëbardhës që kanë rrëmbyer armët sa herë e ka kërkuar nderi i truallit arbëror dhe thirrja e ndërgjegjes së Mëmëdheut. Babai i Gaziut si rezultat të plagëve u largua shpejt nga jeta, pas tij edhe nëna. Gazi mbeti i vetmuar, pa njeri, edhe pse kishte mbështetjen farefisnore. U kujdesën të afërmit e tij deri në moshën 16 vjeçare, kur Gazi mundohet të sigurojë vetë jetesën dhe t’u dalë përpara halleve të kohës. Mobilizohet ushtar në kohën e mbretërisë në vitet 1928-1930, ku dallohet për aftësi ushtarake dhe përgatitje të mire fizike e morale si dhe duke u mundur ta çajë rrugën e jetës edhe me kualifikime të kohës në jetën ushtarake në periudhën kur në Shqipëri ishte rregjimi monarkist. Fatet familjare nganjëherë ngjajnë, sepse si babai dhe i biri ngelën shpejtë jetimë dhe ju nënshtruan fatit, ashtu sikurse u pruri koha. Gaziu në vitin 1924 kur Shqipëria përjetonte tranzicionin e pushtetit me dhunë, përmes rrevolucionit të Fan Nolit, kur ishte vetëm 16 vjeç, e gjeti në qytetin e Vlorës për t’i dalë zot vetes. Vlora u bë qyteti i tij i punës e shkollimit, por edhe qyteti ku ra në kontakt me patriotë të shquar të qytetit bregdetar, nga fshatrat përreth Lumit të Vlorës dhe nga qyteti, me të cilët lidhi miqësi. Atje u formua dhe u mbrujt edhe me idetë përparimtare të kohës si dhe urrejtje ndaj shtypjes e shfrytëzimit, por edhe ndaj mënyrës së drejtimit të qeverisë zogolliane të kohës. Kur ishte në moshën 28 vjeçare, më 1936 martohet me Pëllumbe Camën, që ishte motra e dëshmorit të atdheut Cirok Cama dhe e bija e Osman Camës. Gaziu ishte një figurë njerëzore e dashur dhe e respektuar, prandaj dhe lidhja e krushqisë për të ishte e lehtë dhe forcimi i miqësive ishte për fisin Kondaj dhe Cama, ku krushqia e miqësia ishin të shenjta dhe të përjetshme. Gaziu meqënëse përndiqej si antizogist dhe antifashist në Vlorë ndëron vendbanimin dhe shkon në Himarë familjarisht, sërish në një vend bregdetar, një vend i kapedanëve të Bregdetit dhe që kanë qenë në një farë mënyre edhe më e pavarur që prej venomeve që ishin toleruar që prej pushtuesve osmanë. Nga ana tjetër në Himarë dhe në të gjithë bregdetin fushëbardhasit kanë pasur shumë miq dhe shkëmbenin mallra e bënin tregëti nëpër shekuj. Pas pushtimit të vendit më 7 prill 1939 nga Italia fashiste revolta popullore ishte mjaft e madhe. Me këtë revoltë u bashkua edhe Gaziu. Bashkëshortja e Gaziut, Pëllumbja ishte një grua e fortë labe shumë e respektueshme dhe në tërë kuptimin e fjalës një burrneshë, që dinte të respektonte dhe të përballej me hallet e jetës ashtu si ti vinin. Sipas gojëdhënës në fshat tregohet edhe sot ajo që kishte thënë vetë e shoqja e Gaziut,  se: “Gaziu ishte ngritur heret në mëngjes. E gjeta në ballkonin e shtëpisë me kafenë perpara. Kishte lidhur koken me një shirit të zi dhe me pushkën e mbante mbështetur në mes të këmbëve, njësoj si të ishte në alarm lufte.. Ajo e kishte pyetur: “Pse je ngritur shpejt more burrë?, Çfarë e ke atë shirit të zi në kokë?”. I shoqi, Gaziu i përgjigjet: “Jemi në zi moj grua, sepse vendi u pushtua nga Italia fashiste… tani ka ngelur që ne të marrim armët dhe të luftojmë kundër tyre… të luftojmë fashizmin. Të nesërmen më nisi për në fshatin Fushëbardhë përmes Labërisë e shoqëruar nga bashkëfshatarë të shumtë si Ahmet Shalari dhe të tjerë, gra e burra që kishin rrugën nëpërmes maleve të Labërisë dhe do të mbrinin në Fushëbardhë. Me dha me vete edhe një pistoletë tip “Bereta”, por edhe më mësoi se si ta përdorja në rast rreziku. Bëmë rrugë të gjate Himarë – Kuç –  Qafa e Valave, Kapariel – Zhulat – Fushëbardhë. Im atë Gaziu mori pjesë në luftime me patriotët e bregut kundër Italisë Fashiste. Me krijimin e çetës se “Çerçiz Topulli”, u rreshtua me armë supit  dhe mori pjesë aktive në të gjitha luftimet deri në prerjen e linjave telefonike te ura e Kardhiqit – Gjirokastër – Tepelenë. Në këtë formacion partizan ishin tre kushërinj që luftonin bashkarisht krahas luftëtarëve të tjerë të çetës: Mitat Kondi, Nishat Kondi dhe Gazi Islam Kondi. Në kohë lufte më 5 maj 1942 Gazi Kondi bëhet me djalë dhe emrin ja vendosi “Islam”, duke ngritur kështu emrin e babait të vet, gjyshit Islam, një traditë kjo e “ngritjes së emrave” e hershme në Labëri. I biri i Gazit, Islami, tregon fjalët që ja kishte thënë nëna e tij Pëllumbja: “ Babai (Gazi) erdhi pas tre muaj pas lindjes tënde,” të ngriti nga djepi te puthi dhe me tha : “ Ky djalë është i yti dhe do të bëhet për ty “. Unë i thashë pse flet kështu? “Atë e di unë mu përgjigj.” Lufta çlirimtare ishte në valën e ngritjes së saj dhe djemtë e Fushëbardhës sikurse në të gjithë Labërinë ishin gjithë sy e veshë për atë që ndodhte në frontin antifashist. Kështu edhe Gaziut ja ndjente zemra se vendi i tij tashmë e në vijimësi ishte në radhët e luftaratëve antifashsistë. Kështu në janar 1943 një pjesë e çetës së luftëtarëve të Fushëbardhës dhe krahinës së Kardhiqit, çeta që mbante emrin “Çerçiz Topulli” morën pjesë në luftime në Gjorm të Vlorës së bashku me çetat e tjera partizane të krahinës së Lumit të Vlorës. Fakt është se në një ndër sulmet kundër forcave fashiste italiane në janarin e 1943-it, bie me armë në dorë në fushën e nderit dhe mbeti përjetësisht në kujtimet e shokëve të luftës, në themelet e çlirimit kombëtar si një meteor lirie.

Lufta e Gjormit në Vlorë, një epope e ndritur e historisë së LANÇ-it

Lufta e Gjormit është një faqe e ndritur përgjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të shqiptarëve gjatë LIIB. Gaziu kishte qenë edhe herë të tjera në këtë fshat me emër dhe me histori në lumin e Vlorës. Gjormi për nga traditat historike e luftarake përngjasonte me fshatin e Gaziut, Fushëbardhën, por sikurse çdo fshat në Labëri ka të veçantat e veta në kuadrin e traditës dhe e historisë kombëtare, pasi për këtë flasin edhe dhjetra dokumente arkivore të rendësishme. Nuk është e rastit, që në Fushëbardhë dhe në gjithë Labërinë edhe sot këndohen vargjet me përmbajtje luftarake dhe të traditës edhe nga ana melodike. Lufta ishte rritur nga shkalla guerile në çeta dhe përgatitej ngritja në nivele batalionesh vrulli i lëvizjes çlirimtare dhe këtë e ndjente çdo zemër shqiptare, që donte me zemër të kontribuonte në luftën Luftën Antifashiste Nacioanlçlirimtare. Çlirimtarët pranonin në radhët e tyre të gjithë ato forca që donin ta luftonin fashizmin me përjashtim të atyre me të kaluar të errët të kriminelëve, hajdutëve që shikoheshin me përbuzje mbarëpopullore. Përballja me fashistët në Gjorm të Vlorës erdhi natyrshëm pas krijimit të çetaës së parë partizane të qarkut të Vlorës. Çeta u krijua më 4 dhjetor 1942 në fshatin Gjorm me komandant Neki Imeri/Hoxhaj (Vangjon) nga Gjormi, një nga trimat dhe mençuritë e lumit të Vlorës dhe komisar Qazim Çakëri (Divi) nga Tragjasi, që u quajt çeta “Plakë e Vlorës”. Çeta “Plakë” që në krijimin e saj dhe deri me 20 qershor 1943 kur ajo u inkuadrua ne Batalionin “Ismail Qemali”, dhe zhvilloi shumë aksione, pritje e goditje te befasishme shkatërruese kundër forcave fashiste, që bënte punë bindese me popullin për propagandimin e LANÇ-it. Gaziu gjithë sy e veshë e pa organizimin në Gjorm si pjesë të trupëzuar të ndërgjegjës së tij, pse aty ishte fronti më i afërt për pjesëmarrje në luftë kundër fashistëve. Është për të theksuar se vetëm 8 ditë më mbrapa në fshatin e Gaziut, në Fushëbardhë, Krahina e Kardhiqit organizoi çetën partizane që mori emrin e luftëtarit kombëtar “Çerçiz Topulli”. Por ndërgjegjia kombëtare bëhej pjesë e antifashistëve kudo që ishin, sado pranë zjarrit të lëvizjes antifashiste edhe Gaziu nxitoi të ishte pjesë e formacioneve që luftonin kundër fashizmit në lumin e Vlorës. Populli i priti krahëhapur dhe i mbështeti luftëtarët ngado që të ishin, vullnetarët shtonin përditë ortekun popullor antifashist. Në historikun e luftës çlirimtare një ndër luftimet më të përgjakshme me fashistët italianë ishte edhe Lufta e Gjormit kundër forcave fashiste dhe mercenarëve bashkëpunëtorë të tyre, që historia i njeh mirë. “Çeta Plakë” ishte reparti i organizuar e kompakt me partizanë që dinin ti bënin ballë luftimeve. Sëbashku me forcat e kësaj çete u bashkuan edhe luftëtarë të tjerë sikurse ishte Gazi Kondi, por edhe mbi 1500 luftatarë fshatarë vullnetarë të Lumit të Vlorës, krahinës së Kurveleshit, Tepelenës, Mallakastrës, Topalltisë, Bregdetit një përleshje e përgjakshme me fashistët. Partizanë e vullnetarë të të gjithë zonave shpartalluan një Rregjiment italian fashist, kapen robër si dhe shpartalluan bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e fashizmit. Nga të dhënat dokumentare në Gjorm është vrarë dhe komandanti i Rregjimentit kolonel Kelmendi. Por në luftën e madhe në Kalibaq të Gjormit u vra Bako Tafili nga Gjormi, Beqir Selimi nga Tërbaçi, Barjam Xhebro nga Brati, Qamil Asllani nga Vranishti, Velo Hysi dhe Barjam Rexhepi nga Smokthina. Prandaj me të drejte kjo lufte u quajt në Gjorm, “Epopeja e Vlorës” dhe Gjormi “Moska e Vogël”. Është e njohur se pas krijimit të Çetës Plakë më 30.6.1943, në fushën e Gumenicës u krijua “Çeta e Rinisë” me komandant Mehmet Jahon dhe Komisar Kastriot Muçon, dhe mori emrin “Çeta e Rinisë”, pasi partizani më i vogël ishte 15 vjeç dhe më i madhi 20 vjeç. Të dy çetat “Plakë” dhe e “Rinisë” janë ndër çetat me te njohura e me te sukseshme në Vlorë, dhe në të gjithë Shqiperinë. Nga të dhënat dokumentare për luftën e Gjormit, gjejmë se, “sinjali i sulmit u dha në orën 23.30 minuta të datës 31 dhjetor 1942. Fashistët dhe mercenarët u befasuan nga që nuk e prisnin një organizim të kësaj shkalle kaq të lartë, që i përmbysi planet e tij për një fitore të shpejtë e pa humbje ndaj “forcave rebele”/partizane e vullnetarë popullorë. Për 36 orë zgjatën luftimet e ashpra, ku fashistët italianë përdorën armët e rënda. Ballafaqimi i përgjakshëm shkaktoi edhe viktimat e para, ku terreni i favorizonte më shumë forcat partizane e popullore mbasi nga njëra anp ishte lumi i Shushicës, i pa kalueshëm në këtë periudhë, dhe nga ana tjetër pjerrësitë e malit, në të cilat ishin pozicionuar luftëtarët. Në fushën e Gjormit kalonte rruga automobilistike ura e Gjormit – Gjorm – Brataj, që ishte edhe epiqendra e operacionit. Kur armiku e pa se ishte futur në darën e rrethimit të hekurt dhe rreziku i asgjësimit ishte evident, komanda e Korpusit 25 italian, përqëndruar në Vlorë dërgoi në ndihmë të të rrethuarve njësi të motorizuara, tanke e autoblinda, duke hequr dorë nga objektivi fillestar dhe mori masat për të dalë nga gracka dhe për t’u tërhequr me sa më pak humbje. Në këtë kohë lajmi i vrasjes së komandantit të operacionit, kolonelit Klemente, që ishte vrarë majë kalit e ndërlikoi situatën. Vrasjen e kolonelit labërit këtë ngjarje e kanë veshur me nota humori, kur një grup luftetarësh panë me një dylbi të vjetër të mbetur nga lufta e 20-tës, një oficer të mbuluar me pelerinë të hipur në lartësi dominuese dhe një partizan tha se ky do të jete ai i madhi i tyre, prandaj “ta vrasim qenin”. Ju afruan terrenit me shkurre e qëlluan duke e rrezuar nga kali, por më i besueshëm është versioni se, koloneli ka qenë larg vijës së parë të frontit si dhe rrezes së armëve të luftëtarëve, dhe në distancë ndiqte luftimet e pasukseshme të oficerëve akademikë dhe ushtarëve të tij. Prandaj për vrasjen e kolonelit janë përdorur armë me tytë të gjatë me larghedhje më të madhe, me armë të tipit-belxhik, disa luftëtarë njëherësh, që këtë episod dramatik poeti e përmbledh në dy rreshta: “Në u varça dot i gjallë,/Do të djeg, do të vë zjarrë,/Por çe do nuk sose i gjallë…,/Kalibaq o zall i bardhë,/U vra konsulli mbi kalë..”.Vrasja e kolonelit shënoi fundin e aventures se armikut, pasi përplasja e përgjakshme përfundoi në mbasditen 2 janarit 1943, ku armiku la rreth tetëdhjetë të vrarë shumë të plagosur dhe tetëdhjetë robër, material luftarak. Historia ka folur dhe do vijoj ëtë flasë për këtë luftë të përgjakshme, edhe pse luftimet në Lumin e Vlorës nuk do të rreshtnin edhe me fashistët italianë e më tej me nazistët gjermanë pasi Labëria ishte një ndër vatrat luftëtare të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore. Në Gjormë dhanë jetën heroikisht: Bako Tafili, Arap Shenaj, Kapo Askushaj, Mevlan Imeri, Hamdi Lazaj, Qani Shenaj, ndërsa pjesëtarë të Çetës Plakë që janë dëshmorë sot nderohen si: Selam Alliaj, Sako Malo, Xhaferr Lulaj, Lulo Shaipi, Xhelo Halilaj, Myslim Alliaj, Babo Halilaj, Shaqe Çobaj, Bego Kuqaj, Haxhi Ballaj, Hasko Baxhuli. Por sot nderohet e respektohet edhe gjaku i dëshmorit fushëbardhas që dha jetën heroikisht në Gjormë dëshmori 35 vjeçar Gazi Kondi, nga Fushëbardha e Gjirokastrës, pjesë vitale e shqiptarëve që i sollën lirinë vendit dhe e rreshtuan Shqipërinë në anën e duhur të historisë, me popujt fitimtarë ndaj fashizmit. Ne shqiptarët merituam mirënjohjen dhe nderimin e popujve më të qytetëruar të botës në Luftën e dytë botërore falë gjakut të derdhur dhe heroizmave të luftës për liri, pavarësi e çlirim. Nisur nga sakrificat e shumta dhe gjaku i derdhur i dëshmorit Gazi Kondi dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut edhe në Konferencën e Paqes në Paris shqiptarët shkuan kryelartë, “jo për të dhënë llogari, por për të kërkuar llogari, për krimet e fashizmit në Shqipëri”, në pesë vite luftë.

Dëshmor i Atdheut Gazi Islam Kondi në vargjet e popullit dhe të mbesës …

Sot Gazi Islam Kondi mban titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, me Vendim Nr. 44 datë 30.12.2004 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Mbesa e dëshmorit të Atdheut, Enkelejda Kondi-Masseboeuf, banuese në Francë, nuk e harron gjyshin e saj dëshmor dhe i ka kushtuar një vjershë të posaçme për  dëshmorin Gazi Kondi: “Gjyshit tim, Gazi Kondi: -Me zemër të trishtuar,/ U nisëm të kërkonim folenë tënde,/ Me mijëra pyetje në mendje: Ku je?!/ Të kërkoja ty, gjyshi im,/ që kurrë nuk të pashë,/ Dëgjuar kam vetëm historitë e dhimbshme./ Që fëmijë, foton tënde shihja pa mbarim,/ Ndërsa babai kërkonte të atin, fëmijërinë…/ Të dyve na trazohej gjaku nga vapa,/ Dhe gjaku yt na thërriste./ Një zë i brendshëm më flet në hapat që hedh: Ku je, gjysh?!/ Kemi ardhur të të kërkojmë,/ Këtu te bari i thatë, ku shkel,/ Vë këmbën me kujdes, mos të ta lëndoj shpirtin./ Ke kaq kohë që prehesh larg nesh,/ Dorën nuk ta vë dot mbi krye e të të them dy fjalë:/ Ti re për Atdhe!/ Babai dhe unë ecim mbi barin e thatë,/ Buza na thahet kur arrijmë tek ato pak varre,/ Po jo, as aty nuk je./ Ku je, gjyshi im? Ku prehesh?/ Ti ke gjetur amshimin,/ Aty ku deti dhe toka bëhen bashkë,/ Aty ku udhëtimi s’ka fund./ Sigurisht, ti ke dëshiruar të të gjenim,/ Po pse ta lanë varrin pa emër e ne pa ty?/ Qielli i gushtit m’u duk i veshur në zi atë ditë,/ Me psherëtimën e babait, zbresim kodrën e vogël,/ Në gojë na ka mbetur shija e hidhur e luftës dhe humbjes./ Tani të kam gjetur e të kam njohur,/ Të adhuroj në heshtje, heroi im./ Gusht 2018”. Një adhurim me vargje plot ndjenjë duke u ndjerë krenare për misionin e gjyshit të saj, për dëshmorin Gazi Islam Kondi, që ishte dhe mbeti vlerë krenarie e Fushëbardhës, Labërisë, kombit shqiptar. Këngët për dëshmorët nuk rreshtin në Fushëbardhë dhe jo vetëm. I kënduan ato dje, sot dhe me siguri do të këndohen edhe në të ardhmen. Një prej këngëve të popullit thotë: “Gazi zemëra me çika,/ Vallë kë kishe aty pranë,/ Ti nuk e dije se ç’ishte frika,/ Zjarr e flakë mbi dushmanë…”. Ndërkohë që, për luftën në Gjormë ka me dhjetra vargje të rapsodit popull: “Kush e prishi këtë punë,/Kruja me Qazim Koculë,/Mercenarët n’Vlorë i prunë,/ Luftën në Gjorm e zunë… dhe më tej vargje tronditëse: “Ç’është kështu siç po dëgjojmë,/ Mercenarët që po shkojnë,/ Nga mali i parë kaptojnë,/ Nga Tragjasi për në Gjormë…”. Nga ana tjetër dëshmorëve në Fushëbardhë u këndohej kënga: “Ç’ligje ligjërove ti moj Fushebardhë,/Prite e nuk prite pesëmbëdhjetë të vrarë..”, duke i nderuar dëshmorët, bijtë e saj emër për emër.

Dëshmori i parë i Fushëbardhës Gazi Kondi që ra në Gjormë më 15 janar 1943

Fushëbardha, krahina e Kardhiqit, Rrëzoma, mbarë trualli arbëror ka qenë një nga vendet e lakmuar dhe synuar për pushtim përgjatë historisë. Pushtues të vjetër dhe të rinj e deri në dy luftrat Botërore, dhe më tej kërkonin nënshtrimin me zjarr e hekur të shqiptarëve. Kundërvënia ndaj çdo pushtuesi ka qenë e ashpër dhe e drejtë përpallë shpatës, topave, pushkëve, jataganëve, vetëm sepse e donin lirinë, si gjënë më të çmuar që kishin. Liria ka qenë sinonim i shqiptarëve nëpër luftra. Është kjo arsyeja që Gazi Islam Kondi u ngrit me shpirtin e revoltës ndaj pushtuesve sepse lirinë breza të shumtë shqiptarësh e kishin larë me gjak nëpër breza, sepse “liria” për shqiptarët ka një kuptim shumë të madh, më të gjerë dhe më të thellë. Historia e lirisë ecën në rrugën e gjakut të dëshmorëve të kombit, dëshmorët ishin ata që në kthesat e mëdha historike, ishin të gatshëm të falin gjakun për lirisë, ashtu sikurse e fali jetën për Atdheun Gazi Kondi dhe 14 bashkëfshatarë të tij në Fushëbardhë.

Betejat kundër nazifashizmit gjatë LANÇ-it nuk rreshtën. Vetëm Fushëbardha i dha Atdheut gjakun e pesëmbëdhjetë dëshmorëve, që prehen në Altarin e Atdheut. Gjaku që derdhi dëshmori i parë i Fushëbardhës Gazi Islam Kondi më 15 janar 1943 vaditi pemën e madhe të lirisë nga djem dhe vajza të ndritur të Fushëbardhës që i përkasin sot gjithë Shqipërisë, me gjakun e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në vitet 1939-1944. Pas rënies së Gazi Kondit në janarin e vitit 1943 ranë edhe katërmbëdhjetë dëshmorë të tjerë të fshatit Fushëbardhë: Karafil Vehip Bello, Sami Sejdi Golemi, Tahir Reis Xhuvani, Alem Zano Shehu, Latife Veli Nora, Zjadin Shemsho Çarçani, Kutbi Çelo Gjeçi, Nishat Dulla Kondi, Xhezo Demir Proda, Cirok Osman Cama, Baxhul Duro Nora, Destan Musa Nora, Tajar Shemsi Proda, Mato Serjan Mato. Gjaku i Gazi Islam Kondit dhe dëshmorëve të tjerë të Fushëbardhës është çimentuar me lirinë e Shqipërisë, pasi ishte ky gjak i derdhur  që shqiptarët u rreshtuan me fitimtarët dhe Shqipëria nuk mund të coptohej dhe as asimilohej nga të huajt, edhe pse skeda biografike arkivore e Gazi Kondit nuk është plotësisht e përmbushur. Në qendër të fshatit Fushëbardhë janë dy memorialë dëshmorësh, si dhe një në Skërficë dhe një tjetër që po ngrihet në Senicë në këto ditë shkurti të vitit 2025, që është edhe viti i fitores mbi fashizmin në rang botëror. Në lapidarin e Fushëbardhës ndërmjet dëshmorëve të tjerë shkëlqen edhe emri i dëshmorit Gazi Kondi, edhe pse në një farë mënyrë Gazi Kondi ishte edhe luftëtar i Çeta Plakë të Vlorës, çetë që dha kontributin e saj të çmuar si formacioni ushtarak më i organizuar dhe më kompakt në fushën e betejës. Kur bëhet apeli i dëshmorëve të çetës Plakë të Vlorës krahas emrave që shkruan lavdi me gjakun e tyre si Bako Tafili, Arap Shenaj, Kapo Askushaj, Faslli Kapaj, Meço Çobaj, Qendro Majkaj, Mevlan Imeri, Hamdi Lazaj, Qani Shenaj, Selam Alliaj, Sako Malo, Xhaferr Lulaj, Lulo Shaipi, Myslim Alliaj, Babo Halilaj, Yzeir Likaj, Shaqe Çobaj, Gjysh Premtaj, Haxhi Ballaj, Hasko Baxhuli, është padyshim edhe emri i luftëtarit trim të Fushëbardhës Gazi Kondi. Nuk është e rsatit që duke vlerësuar LANÇ-in Profesor Arben Puto, do shkruante: “Integritetin e Shqipërisë e shpëtoi gjaku i dëshmorëve të LANÇ-it”. Gazi Kondi që ra më 15 janar 1943 në Gjormë të Vlorës është dëshmori i parë i Luftës Antifashiste çlirimtare të LIIB, që i përket fshatit Fushëbardhë, është dëshmori që ka ngelur përjetësisht në themelet e lirisë së kombit tonë, është dhe do të jetë përgjithmonë një përmendore nderi, lavdie e trimërie, që meriton nderimin e brezave në vendlidhjen dhe krahinën e tij, në trevën e Labërisë si dhe mirënjohjen e përkujdesjen e shtetit shqiptar.

Burimet e studimit: Sipas të dhënave të marra nga: libri “Për popullin me popullin”, Tiranë,  1968; Libri “Dëshmorët e Atdheut”, Tiranë: Realstamp, 2012; seria e librave “Yje të pashuar””, Tiranë, 1968 e deri më 2016; Historikët e Brigadave sulmuese (sipas origjinalit Dep. Historisë, FSM, AFA); vëllime..; Dokumente arkivore, AQSH, LANÇ, Dosja 224, viti 1943, faqe 6 dhe faqe 153; Fonde dokumentare të AQFA-së. Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë: Gentgrafik, 2015; Nga krijimtaria e poetit Zeqir Cama, Enkelejda Kondi-Masseboeuf dhe poetë e shkrimtarë të tjerë të Fushëbardhës; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, 2004-2014; Periodiku i gazetës “Labëria”, “Mbrojtja” dhe “Ushtria”, 2010-2025; Të dhëna nga muzeumet (MHK); Materiale burimore folklorike të fshatit Fushëbardhë si dhe të fshatrave të Labërisë ku vijojnë të këndohen këngët për dëshmorët dhe të rënët e Labërisë në luftrat e popullit shqiptar nëpër shekuj, Të dhëna nga arkivi famijar i dëshmorit (nga i biri dhe mbesa e dëshmorit Gazi Kondi).

Please follow and like us: