Çerçiz Loloçi: U prehsh në paqe, Shaban Murati!
U prehsh në paqe, Shaban Murati, do na mungosh shumë pa praninë tënde fizike, por me gjurmët që ke lënë je gjith-herë i pranishëm midis nesh! Kujtoj se komunikimi i fundit me të ka qenë në 1 shkurt 2025, teksa kishte marrë pjesë në promovimin e librit të Hiqmete Dajës dhe kishte shkruar edhe parathënien. Shaban Murati, diplomat i klasit të parë, është një emër i spikatur në diplomacinë shqiptare dhe jo vetëm, që iu përkushtua çështjeve kombëtare; ai zotëronte një erudicion të thellë dhe të pangjashëm me të tjerët dhe ndodhte shumë shpesh që personalitete të shquara euroatlantike e konsideronin si ish kreun e diplomacisë shqiptare pas viteve nëntëdhjetë, ndërkohë që nuk ia dhanë asnjëherë këtë post përballë një shpure në këtë dikaster që s’kanë as emra të përveçëm dhe as ndonjë kontribut të shenjueshëm. Nuk kam shumë dijeni për protokollet shtetërore, por, duke parë veprimtarinë e tij më të madhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, mendoja se përcjelljen e tij për në banesën e fundit do ta bënte ky dikaster, ndërsa sot ai u përcoll për në varrezat e Sharrës nga familjarët e tij dhe miqtë e shumtë, sidomos nga komuniteti i mediave.
Shqipëria e tridhjetë e pesë vjetëve të fundit, por edhe shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, në luginën e Preshevës, etj., kanë përjetuar zhvillime të mëdha e të gjithanshme dhe ‘kronisti’ më i vëmendshëm ka qenë Shaban Murati, disa herë duke i inkurajuar këto ngjarje të mëdha, por edhe duke denoncuar akte dhe dokumente që bien ndesh me interesat tona kombëtare si dhe me raportet ndaj aleatëve strategjikë.
Megjithëse diplomat dhe ambasador, Shaban Murati njihet më shumë se të gjithë ministrat e jashtëm të Shqipërisë të marrë së bashku, falë përkushtimit të tij, njohurive të thella që ka në ndjekjen e diplomacisë ndërkombëtare, botimeve cilësore në shqip dhe anglisht, por edhe në artikulimin e qëndrimeve të guximshme, gjitherë në të mirë të shqiptarëve në hapësirën e tyre natyrale.
Përballë meskiniteteve dhe punëve të pista politike, përballë matrapazëve mbarëkombëtarë këtej e andej kufirit, përballë foklorikëve që me bejte mund të ‘pushtojnë’ krejt botën, përballë përbaltësve të personaliteteve tanë kombëtare, Shaban Murati është tashmë një institucion më vete.
Për një periudhë gati dhjetëvjeçare Shaban Murati është kontribues i gjithershëm i ‘Albspirit’, çka i jam mirënjohës për analizat e ngjarjeve politike në Shqipëri, Ballkan, Europë e më gjerë, për vëzhgimet e mprehta duke e shpërfaqur si një personalitet i padiskutueshëm i kohëve të sotme.
Post scriptum: Shaban Murati është gazetar, publicist dhe diplomat karriere. Autor i shumë librave, shkrimeve dhe komenteve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në to. Ndër të tjera ai ka botuar: Serbia kundër Serbisë : analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë – 2004; Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: (fletë nga ditari i një ambasadori) – 2007; Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës: një testament diplomatik – 2009; Profile të diplomacisë europiane në Ballkan – 2009; Hije në diplomacinë shqiptare – 2012; Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit – 2013; Rusia ballkanike – 2014; Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare – 2016 dhe Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana – 2019.
https://shqiptarja.com/lajm/ndahet-nga-jeta-diplomati-shaban-murati
https://www.gazetatema.net/sociale/ndahet-nga-jeta-diplomati-shqiptar-shaban-murati-i480435
https://lapsi.al/2025/02/14/ndahet-nga-jeta-ne-moshen-79-vjecare-diplomati-shaban-murati