Krenar Zejno: Tabloja e kryqëzimit të Shën Qytetit
Qyteti s’do jetë më. As do të ketë qytet
Në sheshin e kryqëzimit të Shën Gjonit
vetëm një kalë këmbëngul në piedestal
*
Ajrit, arie e liturgjisë, shkofshi në paqe!
*
Minarja, ngulur majën ngrehinës përbri
si goditje nën brez, po shkulet për kullë
Marazi i namazit, ja, do emetohet pullë!
*
Dhe një gji legjende, lënë jashtë betoni.
*
Qytet as do ketë më, nuk do jetë qyteti
Çka do mbetë do jetë tërë çka po ngjet
Tabloja e kryqëzimit të Qytetit, sheshit!
*
Dhe një gji betoni, lënë jashtë legjende
E fjalët e marazit, tek po shtypen pullë.
*
Ndërsa i vë të shkulin leshtë mes ploje
Karavaxhio i cyt figurat të zënë veshët
ballë gjithë asoj mizorie që u zënë sytë.
Për t’mos vënë kuje që brenda tabloje.
*
Qyteti s’do jetë më. S’do të ketë qytet!
Po syri duron se s’ka daulle t’i kërcasë
E sytë do të dinë si të këlthasin ujshëm
*
një të ardhme sysh që ujshëm këlthitën
Vëllimi poetik ‘Ungjij të vegjël plagësh’.