KUTBI GJEÇI, DËSHMORI QË SHKROI ME GJAK LIRINË E SHQIPËRISË
Në përkujtim të dëshmorit të Atdheut Kutbi Gjeçi (25.2.1924 Fushëbardhë – ra më 25.7.1944 në Dukaj të Tepelenës), me rastin e 101 vjetorit të lindjes dhe 81 vjetorin e rënies në fushën e nderit, si dhe në kuadrin e vitit historik të 80 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin, ndërkohë që eshtrat e dëshmorit Kutbi Gjeçi prehen në varrezat e dëshmorëve në Gjirokastër. Kutbi Çelo Gjeçi është i shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Gjirokastër si dhe është i njohur me titullin e lartë “Dëshmor” sipas paramentrave e standardeve zyrtare shtetërorë…
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Kutbi Gjeçi ishte lindur në fundshkurtin e vitit 25.2.1924 (sipas së motrës së tij, Hamidesë) në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Ai lindi në një familje patriote dhe atdhetare me tradita dhe me zakone. Mësimet e para i mori në shkollën fillore të fshatit në Fushëbardhë. E pati mbaruar filloren me rezultate të shkëlqyera sepse dhe i donte shumë librat, sipas thënieve të brezave që e njohën atë. Kutbiu e kalonte shpesh here natën duke lexuar pranë vatrës së zjarrit, që ndriçonte më fort se kandili i vajgurit. Babai i Kutbiut, Çelua ishte një burrë zakonlli, meshollë, i dobët në shëndet por i lidhur mirë ose si i thonë në Fushëbardhë “trup i thantë”, i cili për të përballuar hallet e kohës merrej me tregëti ambulante në fshtrat e Labërisë dhe më gjerë. Çelo Gjeçi së bashku me bashkëshorten Shelege Gjeçi (Zervoi që ishte e motra e Hader Zervoit), kishin katër djem dhe dy vajza. Të parat ishin vajzat më të mëdha: Hamideja e martuar në Shehaj të Fushëbardhës( që kishte 5 djem) si dhe motra tjetër e saj, e madhe e cila u martua në Vergo dhe jetuan në Vlorë, ku rritën dy vajza dhe një djalë. Më tej në vitin 1919 lindi Muharremi, ndërsa Kutbiu lindi më shkurt 1924 (sipas tregimeve të motrës së tij); (megjithëse ka edhe një version tjetër si vitlindje më 1926); Xhevdeti lindi më 1929, Ulsiu më 1934. Çeloja pati shtëpi në Fushëbardhë dhe një haur në fushë në Vërri, ku deri vonë është quajtur bregu i Gjeçajve në anë të Gurrës, dhe që ishin komshi me Asllan Muhon, Qamil Muhon etj, përbri kishin Pashako Mullain, që shkonin vëllazërisht në fqinjësi të mirë. Ish-bashkëkohësit e dëshmorit, si dhe pasardhësit e tyre kujtojnë se, “Njera nga mushkat ishte me huqe, e cila mund të ecte normalisht vetëm po të kish një njeri mbi samar edhe kur qe me ngarkesë”, prandaj babai i Kutbiut, Çelo Gjeçi detyrohej të merrte me vete njerin nga djemtë, Kutbiun ose Xhevdetin. Ai ishte gjithmonë i armatosur, mbante gjithmonë një pistoletë me vete, se “nuk e suroj dot thikën” thoshte shpesh. Takëmet e kafenë i merrte përherë me vete dhe e ngrihte konakun ku ta zinte hera, duke respektuar traditën ku kishte ujë, ku kishte shesh pamje dhe duke eliminuar pusitë e muundshme. Edhe pse duhet thënë se miqësinë e kishte të gjerë në çdo fshat të Labërisë e më gjerë, kudo ku kalonte nga Vlora në Tepelenë, në Gjirokastër, në Përmet, Zagori, Libohovë, Delvinë e Sarandë. Mbante dhe 10-15 kokë dhi të cilat në dimër i ulnin në Fushëvërri (sepse Fushëbardhën e zinte dëbora në dimër), por mbante edhe 10-15 koshere bletë, sa për familjen e tij dhe për miqtë. Kur kaloi në moshë shtëpinë e administronte djali i madh Muharremi 24 vjeçar, i cili qe martuar në vitin 1943. Por mbi të gjitha sikurse tregohet në gojëdhënën e fshatit, krahinës dhe më gjerë në Labëri ai ishte një shpirt njeriu zemër e shpirtbardhë gjithmonë bukëdhënë, që mikut i thoshte mik dhe i qëndronte vazhdimisht në besë përjetësisht, bile edhe duke e trashëguar miqësinë brez pas brezi. E ngarkonte dy mushka me basma dhe me mallëra të tjera në Gjirokastër dhe i binte trevës së Labërisë kryq e tërthor. Ngarkonte në Vlorë dhe arrinte në Tepelenë. Çelo pramatari (tregëtari) ishte i kudondodhur, por edhe mjaft i njohur. Pas merrte shpesh edhe djemtë kështu që i takonte edhe djalit të mesëm të Çelos Kutbiut që të ndiqte pas të atin. Në vitin e përfundimit të luftës italo-greke, pëlhurat tregëtarët i shkëmbenin me armë. Kjo ndodhte sepse në mallet e Labërisë menjëherë pas shkrehjes së frontit të luftës mbetën sheshit armatime të shumta si dhe municione të shumë kalibrave. Dhe padyshim lebërit e sidomos Kudbiu u zilepsej armatimit, pasi e kishin traditë nga të parët, që “armët mbahen gjithmonë gati për çdo lloj situate”. Prandaj ai shpesh ngarkonte kalin me armatim dhe e çonte në Fushëbardhë e Fushëvërri, i këmbente armët me bereqet dhe i fshihte në shpellën e Zhulit në krye të fshatit Fushëbardhë. Me ato armë u armatosën djemtë e fshatit tonë si dhe njëmbëdhjetë vajza partizane të Fushëbardhës. Çetës “Çerçiz Topulli” të Fushëbardhës Kutbiu i vogël i kishte gjetur edhe një mortajë me disa predha (mina mortajash) që fillimisht partizanët e çetës e quanin “topi” i çetës “Çerçiz Topulli”. Nga armët që kishte mbledhur Kutbiu zgjodhi një pushkë të prodhimit të vitit 1942, e cila ishte tepër preçise në të shtënë e shkurtër, “novantauno”, por pak më e gjatë se pushka “xhuxh” e topçinjve. Për Kutbiun shpejt fronti i luftës do të ishte drejtimi i pakthyeshëm, sepse pothuaj të gjithë shokët kishin dalë malit dhe kishin mbushur formacionet antifashiste partizane. Shumë shpejt llogorja e luftës u kthye në shtëpinë e tij. As fotografi nuk kishte por kur ra dëshmor një student i Arteve të Bukura të Universitetit të Tiranës i bëri një portret vetëm me përshkrimet e shokëve të luftës. Kur doli malit Kutbiu kishte veshur një palë këpucë që ja kishte falur një këpucar gjirokastrit, kur çeta ku bënte pjesë Kutbiu hyri në qytetin e gurtë. Mbante gjithashtu veshur një xhaketë ushtari “italiane” që e kishte marrë në një depo kur u dorëzua Divizioni Italian “Peruxhia”, xhaketë që në një vit luftë ishte tretur sepse në shi dhe në llohë kalonin ditët dhe netët partizane; por edhe një kapele me yll në ballë. Mbante çorape leshi të gjata gjer te gjuri që ja dërgonte e motra Hamideja (Hamidea). Gjerdanin e fishekëve e mbante në dy radhë ballësh me fishekë dhe e lëshonte nga supi i majtë, kryq në gjoks. Të gjitha këto të dhëna shokët e tij që mbetën gjallë nga LANÇ-i, ja tregonin gojë më gojë brezave dhe sot kemi një portret të tij vetëm me këto të dhëna. Ndërsa familjarët thonë se piktura e dëshmorit Kutbi Gjeçi që ekziston te libri “Yje të pashuar” ishte pak a shumë, në mos fiks si busti i “Ushtari i panjohur” në Tiranë.
Partizan fushëbardhas i BrVIS, që ngeli përjetësisht në lavdinë e luftës partizane
Lufta partizane është epopeja më e lavdishme e shqiptarëve përgjatë LIIB. Partizanët shqiptarë u shndruan në forca më vitale e luftës në Shqipëri. Fakt është se rinia shqiptare fokusin e luftës kundër fashizmit e shikonte zgjidhje tek krahu i majtë partizan që mbushën malet me djalëri të mbushur me ideale antifashiste. Vetë termi “partisan” është përdorur nga francezët për herë të parë që në shekullin e 17-të. Termi francez “partisan”, vjen nga latinishtja, dhe përshkruan “drejtuesin e një beteje/lufte”. Në Shqipëri termi “partizan” ishte luftëtari/ja antifashiste e UNÇSH, që ishte ngritur në luftë për të çliruar vendin nga pushtuesit nazifashistë. Lufta partizane mori hov në Shqipëri pas njësiteve guerile, krijimit të çetave, batalioneve, brigadave, divizioneve e korparmatave. Për Fushëbardhën e Kutbi Gjeçit, për krahinën e Kardhiqit zanafilla e luftës nisi me krijimin e çetës partizane “Çerçiz Topulli” ndër të para çeta partizane në Shqipëri, çetë që u krijua më 12.12.1942. Fushëbardha u kthye streha e formacioneve partizane e çetave, batalioneve e brigadave partizane. Bijtë e Fushëbardhës e vlerësuan situatën, zgjuan instiktin e shekujve të shqiptarëve, rrebelimin ndaj pushtuesve duke shkaktuar një stuhi lufte të kristaltë, luftë idealesh të pastra, luftë që ja shtoi krenarinë shqiptarëve duke e renditur vendin në krahun e duhur të historisë, luftë që ndaloi copëtimin e Shqipërisë pas kësaj Lufte, luftë që u mundësoi shqiptarëve të kërkonin llogari në Konferencën e Paqes në Paris më 1946 dhe jo të jepnin llogari si humbës. Çeta partizane “Çerçiz Topulli” u bë pjesë e batalionit “Asim Zeneli” (7.8.1943) dhe që ky batalion u bë pjesë e BrVIS (26.1.1944). Kështu dhe partizanët e Fushëbardhës u bënë pjesë e brigadës së gjashtë sulmuese, brigadë ku luftoi Kutbiu, Xhezua, Alemi, Tahiri, Latifeja…”. Partizanët dhe populli këtë brigadë e emërtuan: “Brigada që tundi dhenë,/në popull ngriti folenë,/atje jataku dhe shpirti,/lavdinë më lartë e ngriti,/… Brigada e VI-të u themelua nga batalioni “Asim Zeneli”, i krijuar në rrepet e Kardhiqit e Prongjisë më 7.8.1943, batalioni “Baba Abaz” krijuar në Kalivaç të Tepelenës më 10.8.1943, batalioni “Naim Frashëri” në Garzema të Përmetit më 21.9.1943, batalioni “Abaz Shehu” i krijuar më 12.12.1943 në Fushbardhë, pas ndarjes së batalionit “Asim Zeneli”, si dhe batalioni i pestë ishte batalioni partizan “Zaho Koka”, që u bashkua më vonë. Luftëtarët partizanë të këtyre pesë batalioneve kishin marrë pjesë në luftimet kundër forcave fashisto-naziste si në Cepo, Ura e Kardhiqit, Libohovë, Shkallë të Zezë, Tepelenë, Mezhgoran, Kiçok, Rrëzomë, Kurvelesh, Mesaplik etj, Brigada e VI Sulmuese “Heroinë e Popullit”, numëronte fillimisht 912 partizanë nga të cilët 120 vajza e gra dhe 60 ponierë lufte, ndërkohë që efektivi i saj u rrit në 1700 luftëtarë. Drejtuesit e brigadës e shkruan biografinë e tyre me luftime të përgjakshme, por të sukseshme. Në kohën e krijimit BrVIS kishte: komandant Tahir Kadareja, nënkomandant Jaho Gjoliku, komisar Mustafa Matohiti, zv/komisar Haki Toska; më seksionin politik Adil Çarçani, Zihni Sako, Sami Gjebero, Siri Çarçani, Vangjelo Sotiriadhi, intedentë Hetem Pogaçe e ndihmës Braho Toto, për shëndetësinë Nedin Kalanxhi, ndihmësmjek, për ndërlidhjen Muhedin Bakiri, komandant batalionesh ishin Riza Veipi, Sadik Buzo, Fejzo Ismaili, Feti Bubsi, Maksut Myrtaj, nënkomandantë batalionesh Astrit Nishani, Musa Daci, Mustafa Asllani, Meleq Gostinishti, zëvendëskomisar batalionesh Ago Çeli, Veledin Zeneli, Petrit Radovicka, Mitro Xhani, Abdul Hakiu, Asaf Dragoti,..e kuadro të tjerë si Sotir Filto, Xhule Çiraku etj, që spikatën në betejat e shumta të kësaj brigade. Lufta e partizanëve të BrVIS çliroi 8 qytete e 32 krahina, që përmes luftimesh të përgjakshme të 5 batalioneve të saj në një rrugëtim historik luftimesh prej 3700 km ndoqi nazistët deri në Vishegrad, por la në fushën e nderit 220 “Dëshmorë të Atdheut” dhe 10 “Heronj të Popullit” që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë, por që pati edhe 540 partizanë të plagosur disa nga të cilët ndërruan jetë nga plagët e marra në luftë dhe që në bazë të ligjit meritojnë titullin e lartë “Dëshmor”. Nga Fushëbardha ka pasur me dhjetra bijë e bija që kanë ngelur emra të gdhendur në historinë krahinore dhe kombëtare, ku vetëm nga Fushëbardha kanë rënë dëshmorë nga formacioni i BrVIS pesë dëshmorë: Kutbi Çelo Gjeçi (25.7.1944), Alem Zano Shehu e Tahir Reis Xhuvani të dy kushërinj të parë që ranë më (15.4.1944), Xhezo Dervish Proda (10.9.1944), Latife Veli Nora (25.3.1945) në Suhagorë të Bosnjë Hercegovinës. BrVIS ishte formacion nga më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u shndërrua në simbolin e rezistencën antifashiste të shqiptarëve. Me betejat e zhvilluara kjo brigadë shkroi me gërma të arta historinë e saj. Shqipëria ishte ndër vendet e para të Europës që u çlirua tërësisht nga pushtuesit nazifashistë, si një meritë të padiskutueshme i takon partizanëve të Brigadës VI Sulmuese, që u bë Brigada epope lavdie e LANÇ-it, që luftoi 308 ditë lufte në Shqipëri dhe 371 ditë të tjera lufte në ish-Jugosllavi. Nuk është e rastit që analistët e luftrave në Shqipëri dhe jo vetëm shkruajnë se: “pa LANÇ-in, nuk do ekzistonte Shqipëria”, pasi epopeja e luftrave në botë ka fshirë shumë kombe nga faqja e dheut. Ndërkohë që epopeja shqiptare e luftës çlirimtare dhe antifashiste është çimentuar me gjakun e dëshmorëve të Fushëbardhës, Labërisë, Shqipërisë. Brigada ku luftoi Kutbi Gjeçi lindi u rrit dhe u konsolidua në zjarrin e betejave për liri gjatë LIIB, ku UNÇSH shkroi historinë e një prej luftrave më të organizuara të shqiptarëve. Kënga për brigadën ku luftoi Kutbiu gjëmon edhe sot nga mbrojtësit e idealeve të drejta të LANÇ-it: “Dil nëno dhe shiko jashtë,/si lufton Brigada e gjashtë./Trimat tanë të Shqipërisë,/sollën dritën e lirisë,/në këtë tokë plumb të rëndë,/me mençuri, pushkë dhe këngë..Në themele të historisë së shqiptarëve është çimentuar gjaku i dëshmorëve, gjaku i dëshmorit Kutbi Çelo Gjeçi dhe dëshmorëve të tjerë të Shqipërisë.
Partizani fushëbardhas mes 11 dëshmorëve të rënë në Dukaj të Tepelenës
Kutbi Gjeçi luftoi dhe u vra brigjeve të lumit Vjosë, në Dukaj të Tepelenës një vend që digjej guri nga flakët, në atë vend që Kutbiu hidhej mbi llogoren e armikut mes flakësh dhe aty ngeli i goditur për të ngelur njësh i trupëzuar me larine e Atdheut. Por të dhënat janë shumë të pakta, edhe pse ish-partizanë kanë treguar për trimërinë e tij dhe për betejën e bërë sipër lumit Vjosa në Dukaj të Tepelenës më 25 korrik 1944, në një datë me Mitro Xhanin, i cili kishte qenë edhe komisari i çetës së tij “Çerçiz Topulli” në një nga luftimet më të përgjakshme të batalionit të dytë të Brigadës VI Sulmuese. Më 25 korrik në orën 4.00 të mëngjesit u dëgjua plasja e një bombe dhe zëri i zv.komisarit të batalionit të II-të Mitro Xhanit: “Para partizanë”. Zjarr nga të katër anët dhe armët armike qëllonin papushim. Zjarr e flakë u ndez vendi për 3 orë rresht në luftë trup me trup me armikun. Skuadra sulmuese luftonte në vijën e parë të zjarrit. Partizani Apostol Çuni afrohet te kodra shkëmbore, hodhi 2 granata, asgjësoi një mitraloz të rëndë gjerman, por mbeti i vrarë. Skuadra sulmuese ku bënte pjesë edhe Kutbi Gjeçi u afrohet llogoreve të armikut dhe vazhdon luftimet të ashpra. Mitro Xhani, mbasi kontrollon prezencën e gjithë skuadrës, urdhëroi furnizmin e saj me granata dore dhe të përgatiteshin deri në luftim trup me trup. Skuadra hidhet në sulm dhe ai i pari hidhet në sulm mbi llogore, i shkatërron ato, por një plumb e merr në ballë. Ra heroikisht “Balena”. Lufta u ndez e rreptë. Në këtë kohë mbrrijnë edhe partizanët e tjerë të batalionit, të cilët në bashkëveprim me forcat territorial e shpartallojnë armikun. Bilanci i kësaj lufte ishin shumë të vrarë nga forcat armike, 70 robër, 5 mitraloza të rëndë të zënë trofe, 6 të lehta, 160 pushkë etj. Batalioni gjerman u shpartallua përfundimisht, por nga forcat partizane mbetën përjetësisht në altarin e lirisë 11 partizanë: Kutbi Çelo Gjeçi (25.2.1924 -25.7.1944, rënë në oborrin e shkollës në Dukaj), nga Fushëbardha e Gjirokastrës; Mitro Gogo Xhani (1916-15.4.1944) nga Piqerasi i Sarandës; Apostol Leonidha Çuni (1919-25.7.1944 nga Piqerasi Sarandë; Avdul Demir Demiraj (1923-25.7.1944 Kallarat Vlorë; Rushan Murat Goxho Nivicë Tepelenë (1921-25.7.1944); Koço Gligor Koçollari (4.4.1924-25.7.1944 Gjirokastër (në qytet); Jorgo Jovan Andoni (1924-25.7.1944 Kudhës Himarë; Mërtiko Miço Velça (1924-25.7.1944 Kudhës Vlorë; Barxho Asqeri Abazaj (5.5.1920-25.7.2025, Progonat Tepelenë; Ismail Xhemali Cacaj (5.3.1920 – 25.7.1944, Toskmartalloz Tepelenë; Bilal Rremkë Tushi (1906 -25.7.1944, Vërmik Vlorë). Çlirimi i Dukajt u la me gjakun e Kutbi Gjeçit, Mitro Xhanit dhe gjithë dëshmorëve të tjerë dhe të partizanëve të pagosur. Partizanët luftuan trimërisht dhe nuk i bënë dredha plumbit. Luftuan trimërisht, ndërsa fitorja e kësaj beteje shënoi datën e çlirimit të fshatit Dukaj më 25.7.1944. Në vitet që pasuan, 25 korriku do të kthehej në festë popullore dhe dëshmorët do të përkujtoheshin dhe përkujtohen gjithmonë në Dukaj. Kutbi Çelo Gjeçi është i shpallur “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Gjirokastër; ndërsa eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës.
Kutbi Gjeçi erdhi në jetë në Fushëbardhën e trimërisë, lavdisë dhe mençurisë, jetoi pak dhe mbeti në histori duke trashëguar vetitë më të mira të Labërisë, mësoi që në vegjëli artin e të luftuarit të trashëguar shekujve nga çdo trevë shqiptare, por ngeli përjetësisht në altarin e lirisë si një pej dëshmorëve të shquar të LANÇ-it.
Burime studimi: Resul Bedo, seria e librave Yje të Pashuar, Vëll VII, Tiranë, 1999, faqe 23-25., 103-104 (Kutbi Gjeçi); Grusht çelik Brigadë e gjashtë, Tiranë, 1979, Sevo Tarifa, 912 shqiponja partizane formuan BrVIS, Gazeta telegraf.al. publikuar më 24.1.2014.; Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015.; Gojëdhëna për luftën e luftëtarëve të BrVIS janë marrë nga ish-bashkëluftëtarët e dëshmorit: Mit’hat Baho, Sevo Tarifa, Resul Bedo; Të dhëna nga arkivi familjar I oxhakut “Gjeçi”, Shkrime të ish-luftëtarëve të BrVIS, Periodiku i gazetës së SHKA “Fushëbardha (2003-2020), që gjendet në Bibliotekën Kombëtare.