Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati, diplomati i shquar që hartoi platformën diplomatike për çështjen çame

Alket Veliu

Ikja në amshim e Profesor Shaban Muratit ka pllakosur në zi botën shqiptare, duke lënë pas një boshllëk të pamatshëm. Kombi Shqiptar humbi një prej mendjeve më të ndritura, një Ambasador të Madh. Ka ikur një njeri që ka lënë bosh vendin e tij si qytetar, si intelektual, si gazetar e si diplomat, që të detyronte ta ndiqje e ta respektoje. Kjo është një humbje e madhe që nuk mund të zëvëndësohet lehtë, jo vetëm për çështjen kombëtare, por edhe për mendimin e lirë.

Shaban Murarti është krenaria e kombit tonë, një ndër bijtë e tij më të rrallë, atdhetar dhe intelektual i shquar, figurë madhore poliedrike. Njeriu që bëri kaq shumë për atdheun e vet. Gjithë jetën punoi e luftoi që Shqipëria të bëhej si kombet e përparuara. Ndaj, me shumë të drejtë, është cilësuar si “ndërgjegja e shqiptarëve”, pasi ka ditur të sfidojë si askush, me veprat dhe opinionet e tij të shumta, duke dëshmuar shkëlqyeshëm se kombi është mbi partitë dhe jo partitë mbi kombin.

Se sa e deshi Shqipërinë, duket në veprat e tij të rralla, që janë një thesar për të gjithë brezat. Si drejtues i Fondacionit Çamëria ”Hasan Tahsini”, ku Prof. Shabani bënte pjesë si anëtar i bordit, e konsideroj veten me fat, që kam bashkëpunuar ngushtë për shumë vite me këtë Njeri të jashtëzakonshëm, mendimtar i pashoq, studiues i rrallë e skrupuloz, gazetar, publicist dhe diplomat i shquar, në botimin e librave, në promovime dhe aktivitete të ndryshme. Në shumë libra, të mbështetur edhe nga Fondacioni Çamëria ”Hasan Tahsini”, Shaban Murati, ka ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të një prej çështjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori emrin “Çështja e detit”.

Ndërsa përcaktimi i drejtë i një përkufizimi dhe i një qëndrimi adekuat për karakterin e vërtetë të çështjes çame është i një rëndësie kardinale.

Në një analizë dhe këndvështrim profesional, profesor Murati çështjen çame e ka përcaktuar si një çështje politike, që kërkon zgjidhje politike nga marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Zgjidhja e saj, përcakton profesor Shaban Murati, kërkon kushtin “sine qua non” të hartimit shtetëror të një platforme diplomatike për çështjen çame. Diplomacisë dhe shtetit shqiptar u ka munguar kjo platformë për shkak të dobësive të drejtuesve të tyre, të cilët janë pajtuar me asimetrinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Platforma diplomatike kërkon që çështja çame të bëhet pjesë e pandarë dhe e vazhdueshme e të gjitha tratativave diplomatike midis dy shteteve.

𝐀𝐤𝐭𝐢𝐯𝐢𝐭𝐞𝐭𝐞𝐭 𝐞 𝐅𝐨𝐧𝐝𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢𝐭 Ç𝐚𝐦ë𝐫𝐢𝐚 ‘𝐇𝐚𝐬𝐚𝐧 𝐓𝐚𝐡𝐬𝐢𝐧𝐢’ 𝟐𝟎𝟏𝟗 – 𝟐𝟎𝟐𝟒 në mbështetje të botimit dhe promovimit të veprave të Profesor Shaban Muratit:

• 𝐍ë𝐧𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟏 – 𝐏𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐢𝐦𝐢 i 𝐝𝐲 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐚𝐯𝐞 𝐭ë 𝐀𝐦𝐛𝐚𝐬𝐚𝐝𝐨𝐫 𝐒𝐡𝐚𝐛𝐚𝐧 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢𝐭, “𝐃𝐞𝐭𝐢 𝐦𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢𝐬ë 𝐝𝐡𝐞 𝐆𝐫𝐞𝐪𝐢𝐬ë” 𝐝𝐡𝐞 “𝐕𝐞𝐭ë𝐯𝐫𝐚𝐬𝐣𝐚 𝐝𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐭𝐢𝐤𝐞 𝐞 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯ë𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢𝐬ë”, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧ë.

Fondacioni ka patur kënaqësinë t’ë mundësojë edhe botimin e këtyre librave.

• 𝐃𝐡𝐣𝐞𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟏, ‘𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐇𝐚𝐫𝐫𝐞𝐬ë𝐬’, 𝐏𝐫𝐢𝐬𝐡𝐭𝐢𝐧ë.

Promovimi i librave “Vetëvrasja politike e Shqipërisë dhe Kosovës” dhe “Deti mes Shqipërisë dhe Greqisë”, të Ambasador Shaban Muratit.

• 𝐃𝐡𝐣𝐞𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟏, ‘𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐇𝐚𝐫𝐫𝐞𝐬ë𝐬’, 𝐓𝐞𝐭𝐨𝐯ë

Promovimi i librave “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës” dhe “Deti mes Shqipërisë dhe Greqisë” të ambasador Shaban Muratit u zhvillua në ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti Tetovë. Ballkani i hapur, shkëmbimi i territoreve Serbi-Kosovë, Çështja Çame dhe Çështja e detit ishin temat e diskutimeve të folësve, tema të cilat gjetën interesim të madh të audiencës së përbërë nga diplomatë, profesorë të fakultetit juridik dhe studentë të këtij fakulteti.

• 𝐓𝐞𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟐 – 𝐏𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐢𝐦𝐢 i 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐢𝐭 ‘𝐑𝐮𝐬ë𝐭 𝐩𝐨 𝐯𝐢𝐣𝐧ë’, 𝐒𝐡𝐚𝐛𝐚𝐧 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧ë.

“Rusët po vijnë” është një përmbledhje e analizave diplomatike për politikën e jashtme të Rusisë, duke nisur që nga agresioni i parë mbi Ukrainën në vitin 2014, botuar nën kujdesin e Fondacionit Çamëria ‘Hasan Tahsini’.

• 𝐐𝐞𝐫𝐬𝐡𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟑 – 𝐏𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐢 𝐢 𝐩𝐫𝐨𝐟. 𝐒𝐡𝐚𝐛𝐚𝐧 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢𝐭 “𝐀𝐧𝐭𝐢𝐭𝐚𝐛𝐮 𝐩ë𝐫 𝐟𝐢𝐥𝐨𝐳𝐨𝐟𝐢𝐧ë 𝐟𝐢𝐥𝐨𝐭𝐚𝐛𝐮 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞”, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧ë.

Përpara dhjetra të ftuarve, intelektualë, studiues, shkrimtarë, gazetarë e veprimtarë kombëtarë e shoqërorë, u promovua në ambientet e Hotel Tirana, vepra e studiuesit dhe diplomatit të mirënjohur Shaban Muarti “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”. Kjo vepër, mundësuar nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, përfaqëson një ngulmim intelektual për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve të shumta shqiptare.

• 𝐍ë𝐧𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟑 – 𝐏𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐢𝐦𝐢 i 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐢𝐭 “𝐀𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜𝐚 𝐞 𝐝𝐮𝐡𝐮𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢-𝐊𝐫𝐨𝐚𝐜𝐢”- 𝐒𝐡𝐚𝐛𝐚𝐧 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧ë.

“Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” nga Ambasador Shaban Murati, është libri i parë dhe i vetëm nga një autor në Shqipëri për marrëdhëniet aktuale të Kroacisë me Shqipërinë dhe për politikën e jashtëme të Kroacisë në Ballkan nga pavarësia e saj deri më sot.

Në këtë aktivitetet, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, i akordoi medaljen “Mik i Madh i Shqiptarëve” presidentit kroat në vitet 2000-2010 Sh.T.Z Stjepan Mesić.

• 𝐒𝐡𝐤𝐮𝐫𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟒 – 𝐏𝐫𝐨𝐦𝐨𝐯𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐥𝐢𝐛𝐫𝐢 𝐢 𝐫𝐢 𝐢 𝐏𝐫𝐨𝐟. 𝐒𝐡𝐚𝐛𝐚𝐧 𝐌𝐮𝐫𝐚𝐭𝐢𝐭 “𝐊𝐨𝐧𝐭𝐞𝐤𝐬𝐭𝐢 𝐫𝐚𝐣𝐨𝐧𝐚𝐥 𝐢 𝐚𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜ë𝐬 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢𝐤𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢-𝐓𝐮𝐫𝐪𝐢”, 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧ë.

Në ambjentet e Hotel “Tirana Internacional”, në prani të dhjetra të pranishmëve, përfaqësues të trupit diplomatik, akademikë, profesorë, gazetarë, diplomatë dhe veprimtarë kombëtarë, u promovua më 21 shkurt, libri i Prof. Shaban Muratit “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”, botim i mbështetur nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, i cili ishte dhe organizator i këtij takimi.

Pofesor Shaban Murati ka lënë në dorëshkrim librin e tij më të fundit “Antitabu 3”, si dhe është duke u përgatitur një film dokumentar për jetën dhe veprën e tij, mbështetur nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”. U trashëgoftë në breza vepra dhe shembulli atdhetar i këtij personaliteti të ndritur.

Prehu në paqen e përjetshme, Miku ynë i shtrenjtë!

Please follow and like us: