Presidenti Trump uron Kosovën për 17 vjetorin e pavarësisë
Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj të mund të jetojnë së bashku dhe në begati.
Në një mesazh për Presidenten Vjosa Osmani, me rastin e shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, zoti Trump shprehet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, ndërsa ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.
Në mesazh, Presidenti Trump thotë se lidhjet midis popujve të të dyja vendeve janë të forta dhe se pret zgjerimin e tyre, përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë mirëqenie më të madhe për të dy vendet.
“Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vazhdim të vitit. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej në komunitetin euroatlantik”, thuhet në mesazh.
Presidenti Trump gjithashtu vlerëson në mesazhin e tij mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus.
Letra e plotë e Presidentit Trump
E nderuara Zonja Presidente,
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për Ju dhe popullin e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë. Rrugëtimi i Kosovës si një komb sovran është shënuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria.
Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe angazhimin e saj për ta ndërtuar një shoqëri demokratike, ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet mes popujve tanë janë të forta dhe presim me kënaqësi t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.
Shtetet e Bashkuara presin ta ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin në vazhdim. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjtë e saj për ta ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.
Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një moment për të nderuar arritjet e së kaluarës si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe marrëdhënieve më të thella mes kombeve tona. Ju dërgoj urimet e mia më të mira popullit të Kosovës në këtë ditë feste.