As në projeksionin doktrinar e as në vizionin poetik të Naim Frashërit “shteti Bektashi” nuk ekziston
Milazim KRASNIQI
I nxitur nga histeria politike e propagandistike e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe e kryegjyshit bektashi Edmond Brahimaj, iu riktheva pas shumë vitesh rileximit të “Fletore e bejktashinjet Vjersha të larta” të Naim Frashërit, të cilën mujsharët antishqiptarë dinë ta përdorin si referencë për idenë e formimit të një shteti bektashi.
Leximi i komenteve fillestare për bektashitë sërish më ishte bezdisës, shkaku i disa turbullirave doktrinare ndaj fakteve nga autori. Kështu, në fillim Naimi e kornizon besimin bektashi: “bektashitë besojnë Zotn’ e math e të vërtetë, Muhamet-Alinë, Hadixhenë e Fatimenë edhe Hasan e Hysen”. Vendosja në të njëjtin rrafsh akseologjik i Zotit me njerëzit, vetvetiu është bezdisës. Kjo nuk është e përligjur as si imagjinacion poetik. Me gjasë pasojat e këtij relativizimi të pozitës së Zotit duke e absolutizuar pozitën e njerëzve, paraqet tharmin e devijimit të doktrinës besimore bektashiane. Edhe fjalia “kanë gjith’At’ Alinë edhe mëmë Fatimenë”, e ka brenda vetes bezdinë e pasaktësisë në raport me vërtetësinë e Shpalljes Hyjnore, e cila na njofton për fillin e njerëzimit me Ademin dhe Havën.
Pas kësaj hyrjeje me këso konceptesh, Naimi e kalon shpjegimin e bektashizmit te aspektet morale, ku thekson se bektashitë e kanë devizë kryesore “bëj mir e mos bëj keq”, pra, një normë e fortë morale. Më tutje Naimi pohon se “bes’ e bektashive është një udhë e gjërë, që ka përpara dritë urtësinë, vëllazërinë, miqësinë, dashurinë, njerësinë edhe gjith mirësitë”. Sipas Naimit nuk bëhet askush bektashi i vërtetë pa dituri, pa dedikim ndaj të vërtetës dhe pa prirjen drejt vëllazërisë.
Koncepte të tjera të doktrinës bektashiane, sipas autorit janë: gjithësia është vetë Perëndija, njeriu është mëkëmbës i Perëndisë. Ndërsa kur skicon aspekte të jetës shoqërore e të praktikave fetare, Naimi afirmon bashkëshortësinë, lirinë e gruas në veshje, lavdëron posaçërisht atdhetarët me këto fjalë: “Po më shumë duan Mëmëdhenë dhe mëmdhetarët, që kjo është m’e mirë nga gjithë të miratë”. Pra, atdhetarizmi sipas Naimit rezulton të jetë më e mira nga vlerat e gjithë besimit bektashi.
Sikundër konfirmohet edhe në këtë vepër, atdheu i Naimit, si në tërë veprën e tij letrare, ishte Shqipëria, ndërsa atdhetarizmi parakupton dashurinë për Shqipërinë. Rrjedhimisht, në asnjë varg të Naim Frashërit nuk ka aluzione e as asociacione për ndonjë shtet bektashi, madje as imagjinar. Bektashizmi i Naimit ishte edhe një konceptim universal i besimit islam. Kjo shihet qartë edhe kur flet për funksionin dhe vlerat e njerëzve të futur në besim, për festat e obligimet fetare duke përfshirë edhe agjërimin e Ramazanit e kremtimin e Bajramit.
Konkludimi kryesor në “Fletore e Bektashinjet” nga Naimi është se nga prizma bektashiane duhet të punohet për Shqipërinë dhe për shqiptarët: “Bashkë me pleqësinë e me parësinë të bëjnë dashurin’ e vëllazërinë edhe njësin’ e miqësinë në mes të të gjithë shqiptarëvet, të mos ndahen njeri nga tjatri, të Krishter e Myslimanë të jenë tok, pa të venë gjithë punët mbroth e mbarë, të mos shahenetë sot Shqiptari, që ka qënë i lëvduar në gjithë botë gjithnjë”. Pra edhe në këtë vepër me konceptime doktrinar bektashian, apeli i Naim Frashërit është që shqiptarët të jenë unikë, të bashkuar. Sigurisht brenda frymës romantike e kombëtariste të kohës së tij, Naimi apelon që të punohet “për shpëtim të Shqipëris’ e të Shqipëtarit, për diturite e për qytetërit të Kombit e të Mëmëdheut, për gjuhën e vet dhe për gjithë mbrothësit’ e mbarësitë.” Sikundër shihet, termat qendror në këtë ligjërim janë: Shqipëria, shqiptarët dhe kombi, pra, një shtet kombëtar dhe një komb i bashkuar shqiptar.
Secili është i lirë ta lexojë, ta rilexojë e ta interpretojë veprën “Fletore e bektashinjet”, sipas aftësive e shijeve të veta. Por askush nuk do të mund të gjejë në këtë tekst arsyetim për largimin e bektashijve nga kombi shqiptar a për formimin e ndonjë shteti imagjinar bektashi. Këtë nuk mund ta thotë kurrë askush. Përveç gënjeshtarëve të pafytyrë, të cilët për interesat e tyre të ulëta tentojnë ta përlyejnë edhe figurën kombëtarisht të pastër të Naim Frashërit, po edhe të dy vëllezërve të tij zulmmëdhenj, Abdylit e Samiut. (Kjo tentativë sorosiane për falsifikimin dhe instrumentalizimin destruktiv të vlerave tona shqiptare, thjesht nuk kalon. As sot as kurrë.)
Sa u përket poezive që e pasojnë esenë mbi bektashizmin, ato janë në frymën e pasionit fetar e kombëtar të Naimit. Titujt e poezive: Besa, Perendija, Njeriu, Gjithësia, Të Mirëtë, Mirësia, Vdekja, Vetëdija, Ditë e Shënuarë dhe Falja, janë brenda konceptit fetar, filozofik e poetik të poetit tonë kombëtar, i cili realisht është edhe poet i përmasave europiane, po të shikohet brenda formacionit stilistik të romantizmit evropian.
11 shkurt 2025.