Ndue Ukaj: Pavarësia
Pavarësia është nata e gjatë e dhimbjeve
e dita e gjatë e dëshirave;
është zëri i atyre që jeta i ka rrezu’
dhe zëri i atyre që zgjohen me dëshira për t’u lartësu’,
një zë që bëhet orkestër dhe i mbledh
një nga një dëshirat,
dhimbjet
dhe i strehon
në këngën e madhe të dashurisë njerëzore.
*
Pavarësia është shkollë,
po, shkollë e gjatë e jetës.
*
Nuk mësohet një ditë,
nuk është deklaratë politike
e më së paku një deklaratë shtypi.
Ajo mësohet përditë,
mëngjeseve blu e netëve të errëta.
*
Pavarësia nuk është një akt, një gjendje, një fjalë.
Është një udhë e gjatë nëpër trajektoret e jetës.
Kur ke kryq mbi shpinë,
gjithmonë pranë teje ndodhet një Veronikë dhe t’i fshin djersët,
një tjetër të ndihmon të bartësh kryqin e të ecësh.
*
Pavarësia është shkolla e bukur e dashurisë
e shkolla e dashurisë nuk është deklaratë politike,
gëlqere e bardhë sa për t’i mbul’ njollat e zeza.
Ajo është shkollë e pambarim e jetës
me themele në miliona dëshira të zvetënuara
e në miliona që lindin përditë.
*
Flamuri nuk është alfa e jetës, as qëllimi.
Simbolet e vërteta janë sytë e njerëzve.
Kur ata janë të gëzuar, ka pavarësi të plotë,
kur janë të pikëlluar, ka veç trishtim.
*
Po, pavarësi është lidhja
e miliona fijeve të këputura e të tretura.
Është kambana që bie pa pushim
dhe thërret t’i dëgjosh ata
që kanë nevojë për dritë, kur janë të zhytur n’terr,
që kanë nevojë për nënkresë të butë, kur janë n’stuhi.
*
Po, pavarësi është shumësia e zërave,
që i dirigjon një orkestër e mrekullueshme
dhe t’i dëfton fytyrat e atyre syve të bukur
që kurrë nuk u mbyllën
kur mbi ta ranë plumba,
granata dhe ua copëtuan gjymtyrët.
Është pikëllimi i atyre
që kaluan nëpër njëmijë rrathë ferri.
*
Pavarësia nuk është jeta e prijësve,
e atyre që me epsh shohin veç naltësi
dhe rrallë u ndodh të shikojnë teposhtë.
*
Pavarësi nuk janë kufijtë që ruhen me ushtarë
as deklaratat shterpe të prijësve,
deklaratat ethshme të atyre që kanë role të aktrojnë
dhe përherë dëfrehen kur shohin budallenj
të nënshtruar te këmbët e tyre.
*
Pavarësia janë hartat e shpirtit,
tingujt që përbejnë një orkestër të madhe,
me njerëz të veshur bukur e sygëzuar
që bashkohen
për ta rrëzuar kultin e dhunës
dhe me dëshira njerëzore,
ndërtojnë monumentin e dashurisë.
(Këtë poezi timen, mbrëmë, në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Republika”, e deklamoi aktori Xhevdet Doda).