Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA dhe Rusia bien dakord të forcojnë misionet diplomatike

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord të martën për rikthimin e funksionimit normal të misioneve të ndërsjella diplomatike, tha Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio pas bisedimeve mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë që u mbajtën në Arabinë Saudite.

Vendimi u duk se ishte një sinjal domethënës në lehtësimin e kufizimeve ndaj misioneve diplomatike ruse, kufizime që ishin vendosur nga administratat e mëparshme, për shkak së sulmit në shkallë të gjerë të Moskës ndaj Ukrainës si edhe veprimeve të tjera ruse.

Bisedimet në Riad synonin të hidhnin një hap përpara drejt dhënies fund të luftës në Ukrainë, pasi Presidenti Donald Trump, i cili mori detyrën muajin e kaluar, urdhëroi zyrtarët më të lartë që të nisnin bisedimet. Zoti Rubio tha se palët kishin rënë dakord që si hap të parë të caktonin ekipe zyrtarësh të cilët do të “punonin me shpejtësi për të rikthyer funksionimin e misioneve të ndërsjella diplomatike”.

Gjatë dekadës së fundit, dy vendet kanë dëbuar diplomatë dhe kanë kufizuar dërgimin e personelit të ri në misionet e ndërsjella diplomatike, në një seri vendimesh si kundërpërgjigje ndaj njëra-tjetrës, duke bërë që ambasadat të kenë pak personel.

Zoti Rubio tha se vendime të tilla kanë “tkurrur shumë aftësinë tonë për të operuar në Moskë” dhe se kjo vlente edhe misionin diplomatik të Rusisë në Uashington.

Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve Associated Press zoti Rubio tha se është e nevojshme që misionet diplomatike të jenë gjendje të funksionojnë normalisht, por tha se nuk do të shprehej publikisht mbi hollësitë se si do të ndodhte kjo.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga agjencia Reuters mbi hollësi se si operon aktualisht ambasada amerikane në Rusi.

Ministria e Jashtme e Rusisë, tha se ministri Lavrov ngriti shqetësimin mbi funksionimin e misioneve diplomatike ruse në Shtetet e Bashkuara gjatë një bisede me homologun Rubio të shtunën, përpara se të mbaheshin bisedimet e sotme në Riad.

Edhe përpara sulmit në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në 2022, Shtetet e Bashkuara ishin shprehur se mund të mbanin vetëm një prani të ulët në Rusi, pasi Moska vuri kufizime mbi personelin në misionet amerikane, duke e detyruar Uashingtonin që të mbyllte dhe të pezullonte konsullatat në Vladivostok dhe Yekaterinburg.

Please follow and like us: