Vaid Hyzoti: Mirënjohje poetes dhe përkthyeses Mimoza Pulaj

Mimoza Pulaj ka informuar për botimin e librit me poezi të miat në shqip dhe italisht. Një libër prej 138 faqesh ku me të vërtetë unë jam një bashkautor vetëm për poezitë në shqip.
Nuk e them vetëm si shprehje e modestisë. Por Mimoza Pulaj, njeriu i bukur dhe çdo ditë e më shumë po rrallohet në botën e sotme, ka nisur me nisiativën e saj, madje duke më suprizuar dhe mua, në përkthimet e në përzgjedhjet e këtyre poezive. Një kritik i njohur i letërsisë në Gjermani, thotë se vlerën e autorëve të huaj të një gjuhe tjetër e sjellin vetëm përkthyesit. Unë ndihem fatlum që Mimoza e bukur (o zot, kurrë s’jemi takuar, vetëm komunikim me mesazhe kemi parur) është vetë një poete e veçantë në poezinë dhe hermetizmin e saj, me prirje postfuturiste. Por seç ka dhe një ton “shqiptar” e lirik paksa të fshehur që e bëjnë me aq vlerë krijimtarinë e saj. Diku në një koment, me paksa humor dhe me shumë vërtetësi sipas njohjes dhe shijeve të mia, kam shkruar se Mimoza krijuese mbase është një degë e familjes së Ungaretit.
Dhe diçka që duhet të theksoj: njerëzit me shpirt të tillë që të lënë borxh janë të rrallë, sidomos mes shqiptarëve krijues. Mbizotorojnë klanet nëpër shkrime gazetash, përcaktohen çmimet ende pa u shkruar mbase dhe vepra, pra përzgjidhet autori nga klanet letrare, që shpesh kanë ndikim te plonët dhe tek zyrtarët e qeverisë. Mimoza jeton në Milano, një metropol perëndimor, ku gjithnjë e më shumë respektohet dhe përsoset si institucion privacia. Beson dhe ka përsosur gjithnjë e më shumë shijet artistike dhe e don poezinë, pa asnjë varësi nga klanet klonuese letrare shqiptare.
Ndaj e shkrova këtë status për Mimozën, mirënjohës para njeriut të bukur Mimoza Pulaj!
Një vlerë e padiskudueshme e dukshme është përcjellja me parathënien e plotë dhe me kulturë të shkruari nga prof. dr. Klara Kodra.