Alfons Zeneli: Rrugës së malit fryn erë e fortë
Rrugës së malit fryn erë e fortë,
përplaset gurëve kënga.
Lëkundet këmbësori
i pezullt brenda siluetës tënde
dhe mallit të vet të pakuptimtë.
Rruga zgjatet e fundi s’duket.
Veç ti o e panjohur
ther si shkëlqim i ftohtë
pas kthesës së mbrame.
Nuk po të ndjek askush.
Është jehu i kaltër i një bote tjetër
ai që vezullon syve të tu.
Sytë e tu të mëdhenj
si kjo natë
shkruajnë zi e përbirojnë
fatin e atij.
Frika s’të ka hije.
Fryma mos të ndalet.
As era, as gurët, as kënga.
Pemët e mjera të vetmisë
janë kuptimi yt ? Jo.
Egzistenca jote
flet për kohën që do të duhej të ish.
A është a s’është i vërtetë
udhëtari me fishkëllimën yjore
ndër buzë?
Pluhur puthjesh ngrihet
udhës së pafund.
Mbi heshtje ngulen gjurmë,
pas tyre vjen veç heshtje
prej heshtjesh.
*
Harrimi të gjen pas tyre.
E panjohur ti mbetesh.