Katjusha Pogaçi: Kosovës
Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës është ngjarje e madhe historike në jetën e çdo shqiptari, që është bashkëkohës i saj. Ditën e shpalljes së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Shqipërisë, u lidh elektronikisht drejtpërdrejt me Kuvendin e Kosovës për të transmetuar drejtpërdrejtë ceremoninë zyrtare të shpalljes së Pavarësisë. Atë ditë salla e parlamentit ishte dekoruar në mënyrë festive me flamujt e të dy shteteve, me lule, banderola dhe një ekran të madh.
Me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve në plate dhe të trupit diplomatik në llozha, me prezencën gjithashtu të presidentit të asaj kohe, Bamir Topi dhe nën drejtimin e kryetares Jozefina Topalli, dhe me galerinë e mbushur si kurrë më parë me kamerat e të gjitha mediave shqiptare, nën tingujt e himnit kombëtar, të gjithë në këmbë përcollën me krenari të ligjshme këtë moment solemn dhe historik.
Këto kujtime i përjetova si përfaqësuese e Zyrës së Shtypit të Kuvendit të Shqipërisë, por kurrsesi nuk mund të shlyej nga kujtesa përjetimet e fuqishme të vitit 1999 si gazetare në Radio ‘Tirana’, kontaktin e drejtpërdrejtë me refugjatë nëpërmjet emisioneve të gjata radiofonike, apo në takimet dhe intervistat direkt me ta në Kampin e Kuçovës, apo në Kompleksin Dinamo në Tiranë.
Nga këto kontakte të drejtpërdrejta me gratë, vajzat dhe fëmijët e ardhur nga Kosova në ato ditë të vështira për ta, lindi edhe poema “NGJARJET E KOSOVËS, 1999”, botuar në librin “Shkruaj kohën” (Tiranë 2016), të cilën po e publikoj më poshtë të plotë, duke uruar: Gëzuar Pavarësinë e Kosovës!
NGJARJET E KOSOVËS, 1999
I. Refugjatët
Lajmet po çajnë detin, qiellin, tokën
Janë botë më vete me peshën e globit,
Me peshën e lotit në syrin e plakut
Që mban mbi shpinë këtë këmishë plage…
Njeriu vjen në jetë mes këlthitjes dhe gjakut
Dhe do të ikë në prehje e paqe.
Të lërë një emër, një filiz të mbjellë
Asgjë s’merr me vete,
Një kujtim në eter.
II. Në “Studion e hapur” në Radio ‘Tirana‘
O, linja që bashkoni këto dhimbje pa skaj
Prindërit këtej, fëmijët matanë,
Fëmijët s’di se ku, prindërit në Tiranë
Veç ju, po nxitoni t’i bëni bashkë!
Ndodhem… Të pres… Njofto me nxitim…
Nuk dihet… Ka humbur…
Është vrarë… Kush e sheh?!
Është djegur… Është kallur…
Kush e njeh?!
Të njoftoj tek unë
Të njoftojë te ne
Jemi këtu presim, në prag, te ky dhé….
Presim edhe presim në det, në steré…
Telefonatat mësyjnë pa marrë frymë, pa prerë,
Nga Kukësi, Tropoja, Gjirokastra e më gjerë
Gjermani, Francë, Europë, Amerikë,
Nga Kanadaja, Holanda, Danimarkë, Belgjikë,
Madje dhe nga Sahara zëra pakthim
Në kufje vijnë si buçimë…
Pyesin, informojnë, kërkojnë, lënë adresa,
Me mijëra emra, me mijëra dënesa…
Sikur kufjet të ishin për ta vend e pikëtakim,
Fundshekull, që përcjell gjithë këtë pikëllim.
III. Çadrat te Stadiumi ‘Dinamo‘
Kamzhiku i shiut qëllon papushim
Kamzhiku i vuajtjes godet e vret.
Me ajrin që thith dhimbja hyn në mushkëri
Nuk mund të fle…
Ky shi që bie këtë natë si i marrë
Më 16 prill ’99,
Edhe ky breshër ku shkon vallë?!
Sikur të dy të kenë dalë mendsh.
Moti çan qiellin tej e tej
E hidhëron këtë pranverë.
Nën çadra, nën plastmas refugjatët
Këtu a gjetkë,
në kufi të tjerë…
Fëmijë të vegjël dhe të moçmit pleq
Gra dhe vajza me jetën në zgrip,
Lehona që foshnjat shtrëngojnë në gji,
Shtatzana, me tallaze në shpirt…
IV. Kufiri
Në rrugë, në rrugë
Në baltë, në shi
Ata ecin e ecin për te ty Shqipëri.
Kanë me vete dhimbjen, syrin që iu qan,
Këmbët që hahen me vuajtjen zvarrë,
Dherat që rrëshkasin, lagur në shi
Pas shpinës shtëpia e kthyer në hi,
Pas shpinës varret e stërlashta të fisit…
Në vesh u buçasin fjalët: Ikni, ikni!
Dhe tytat e automatikëve të serbit në shpinë
Dhe kufoma të njerëzve në rrugë shtrirë.
O, fëmijë të vegjël, ambasadorë të paqes
Që merrni në sy këto pamje llahtare,
Që merrni lulet, zogjtë dhe pranverën
Të fshini nga kujtesa pamjet e tmerrit…
Se doni të harroni dhe doni të jetoni,
Se doni të këndoni, është e drejta juaj
E drejta që ju jep mosha dhe jeta që ju solli,
Pse ju bëjnë të vuani?!
Pse ju bëjnë të vuani?!
V. Legjendat
Udhëtojnë legjendat, udhëtojnë djepet
Udhëtojnë nuset pa pajë e sënduqe,
Pa vello të bardhë, pa krushq e pa kuaj
Legjendat rizgjohen nëpër shtigje lufte…
Legjendat ringrihen, rivdesin, ringjallen
S’ka më kufij për to, s’ka kohë, s’ka më pragje.
Ku është legjenda dhe ku je ti?
Nuse kosovare me syrin e zi.
Ku është dita e sotme, ku është balada e lashtë?
Janë bërë një, janë bërë bashkë:
“Një ditë të martë, një stihi
Më helmoi djemt e mi,
Nëntë djem e nëntë nuse
Të nënta me djem në duar…”
Era kuit oi… oi…
Dhé, mal e qiell vajtojnë me stuhi
Moti s’pajtohet me kujën që fshan
Drenicën e vranë,
Gjakovën e vranë.
VI. Ç’qe ky fat?!
Paketojmë ndihmat, ushqimet, veshjet
Por si të bëjmë me dhimbjet,
me lotët dhe shpresat?!
Si të rregullojmë gjakun e mbledhur në qese
Të zëvendësojmë hemoragjinë derdhur dherave…
Dherave ku këlthasin baladat e lashta
Ngritur në këmbë nga gjumi letargjik.
Me sytë hapur që tremben të shohin…
Çfarë shohin, çfarë prekin e çfarë dëgjojnë?!
Llahtarat që më me gojë s’tregohen
Që trembin gjumin dhe zemrën coptojnë.
Përse na qenkërkesh ruajtur ky fat
Të rrojmë me të a të ikim bashkë?!
VII. Ngjarje
Kryeqyteti Tiranë,
fundshekulli XX.
Pas pune të blej bukë shkoj në një dyqan të thjeshtë,
Pas lajmeve të përcjella në Radio Tiranë
Të mundë të lidh refugjatë anë e mbanë…
Hyj në shitore, po atje ç’më rêt?
Ajo qan në telefon “Ku ku vëllai i vetëm”
Dhe iki si hamall me një bukë helmi në dorë
Me pamjen e shpinës së saj rënë mbi receptor,
Një triko e gjelbër si e thurur me bar
Një dorë që shtrëngon receptorin-varr,
Ca flokë të zeza rënë pa kujdes
E motra nga Zvicra, motrës këtu i përcjell:
“Më erdhi lajmi, motër, vëllai u vra”
Dhe thirrja çan qiellin: “ Ku, kuuu… vëlla”!
Dhe shtrihet dhimbja rrugëve si qilim
Qilim pa lule, por vetëm me brymë. . .
Lule që do të çelin kur kjo brymë të shkrijë…
E enjte, 16 prill 1999.