Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Rakibe Dervishaj, një yll mbi Smokthinë
Vendlindja e dëshmores Rakibe Dervishaj
Ramica është vendlindja e dëshmores Rakibe Dervishaj. Fshati është i vendosur mbi një kodër rreth 600 m mbi nivelin e detit, në mes të maleve të lartë, në këmbë të malit të Taratarit, banim i hershëm dhe pozicion rezistence e strategjik për luftë. Njerëzit janë të fortë e trima, por dhe të punës, lirisë dhe diturisë. Nga viti 1918 çelën dhe shkollën shqipe. Bijtë dhe bijat ndërtues e puntorë me nivele me shkolla deri në Europë, janë dëshmi vitale e ramiciotëve. Fshati Ramicë i gjendur në rrethin e Vlorës në qendër të krahinës së Mesaplikut, është i dëgjuar për përkushtimin e tij në luftëra, por spikati gjatë LANÇ-it. Aty kanë punuar dhe drejtuar Komiteti i Partisë dhe Komanda e Qarkut Vlorë, Shtabi i Zonës së Parë Operative, Shtabi i BrVS dhe BrVIS, spitali partizan, Komanda e vendit, roja partizane , si dhe depo, etj. Nga fshati Ramicë ranë dëshmorë të atdheut 25 bijë dhe bija. Lirisë gjithmonë i kanë qëndruar në këmbë, duke i dhënë ç’kanë mundur dhe bashkuar me qëllime çlirimtare e shoqërore. Nga 150 shtëpi që kishte më parë, koha i ka rrudhur dhe bijt dhe bijat janë shpërndarë larg e më larg, por me sy e shpirt nga Ramica, për t’u gjendur pranë si fëmija tek prindi.
Familje patriotike dhe atdhetare
Familja Dervishaj në Smokthinë është e shquar për ndjenja patriotike dhe atdhetare. Të parët e saj janë shquar për luftëtarë dhe kanë marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e mëdha të kohës në n e Mesaplikut dhe të Labërsië. Kështu ndodhi në kryengritjet e Tanzimatit, në Luftën e Janinës 1912-1913, në Luftën e Vlorës 1920 dhe shkëlqeu në LANÇ, ku e gjithë familja u rreshtua në fomacionet e rregullta dhe territoriale të luftës në krahinë.
Babi, Hazbi Halimi ka lindur më 1882. Në vitin 1900, kreu shërbimin ushtarak për disa vjet, në viset arabe që ishin nën Perandorinë Osmane. U martua me Mezine Hamzon dhe lindën shumë fëmijë, midis tyre dhe Rakibenë. Në Luftën e Vlorës 1920, më për të çliruar Kotën në qershor 1920, u plagos dhe nuk mundi të hynte si çlirimtar në Vlorë. Ishte burrë zakoni, nderi e atdhetar, mbështeti çdo hap përparimtar. Në vitin 1932, Azbiu dhe familja u bënë streh për trimin Çuman Dorëza. Në portën Dervishaj u vendos një detyrim internimi deri sa Çumani u vra, ruhej me roje. Kënga për të thotë: Bolena se bëri mirë,/ Dërgon letër në Smokthinë,/ Kërkojnë Hazbi Halimë,/ Me njëqind e një të vijë,/ Nuk e dorëzoi miknë. Hazbiu vdiq në gusht 1934.
Nëna, Mezine Hamzo Muçohasanaj-Dervishaj lindi më 1882 dhe jetoi gjatë. Në jetë kaloi shumë halle dhe probleme, por ajo i kaloi me forcë, përkushtim dhe guxim. Nënë Mezineja, me pamjen e natyrshme labe, me fytyrë të rregullt, të rrahur nga motet dhe pak esmere, kishte lindur për të qenë një grua kreyfamiljare. Vështrimit të saj dashamirës nuk i shpëtonte asgjë.
Partizania luftëtare
Rakibe Hazbi Dervishaj lindi në lagjen Hysaj të Ramicës në vitin 1926. U përfshi në LANÇ-in në vitin 1942, duke u aktivizuar me rininë dhe me gruan antifashiste të fshatit dhe të krahinës. Doli partizane në çetën “Zigur Lelo” në vitin 1943 dhe mori pjesë në të gjitha aksionet e organizuara. Me inagurimin e BrVS më 20 janar 1944, u rreshtua si luftëtare. Mori pjesë në luftimet e operacionit të Dimrit 1944. Partizanët e BrVS më 15 shkurt e filluan sulmin nga të gjitha anët, nga jugu, lindja e perëndimi.
Sofokli Lazrit i takoi të ishte në Kallarat me një grup forcash të përbërë nga reparte të ndryshme të brigadës. Ato ditë binte shumë shi dhe bënte shumë ftohtë. Ujët zbriste me rrëke nga malet e Bogonicës, kullonte nga pemët e shkurret, rridhte nga toka, nga gurët. Çdo gjë ishte e qullët. Edhe njerëzit e kafshët kullonin ujë. Megjithëkëtë, përgatitjet për kundërsulm vazhdonin. Mjaft punë kushin skuadrat e zbulimit të cilat duhej të përcaktonin ku ndodheshin forcat armike, sa ishin, çfarë bënin, e si e kishin organizuar mbrojtjen. Në një aksion zbulimi në mëngjesin e 19 shkurtit 1944 ishte dhe Kadri Hazbiu me 7-8 partizanë për të zbuluar disllokimin e forcave gjermano-balliste në zonën e Smokthinës. Midis tyre ishte dhe Rakibe Dervishaj, motra e Bakos, që ishte një nga komandantët e shquar të BrVS. Kadriu nuk donte ta merrte me vete, por ajo i lutej dhe më në fund, para dëshirës së saj të zjarrtë, ai e pranoi në grupin zbulues. Mirë i tha me një ton komandues, eja shkojmë. Pa mbërritur në Smokthinë, skuadra ra në një pritë në të cilën Rakibeja mbeti e plagosur rëndë. E kishte marrë një plumb në bark. Në Kallarat e shpunë luftëtarët me të cilët ishte nisur për zbulim. Bite shi. Aty nuk kishte as doktor, as infermier, as ilaçe. Plagën ja kishin lidhur me një fashë. Rakibeja nuk bënte zë. Rënkonte lehtë.
Përgatitjet për sulmin do të fillonin në mbrëmje. Kadriu ngarkoi Sofokli Lazrin që Rakibeja të shkonte në shtëpinë e nënë Duzes së Kallaratit. Bashkë me dy partizanë e Rakibenë të shtrirë në një vig dhe të mbuluar me ca rroba krejtësisht të qullta u ngjitën te shtëpia e nënë Duzes, e ndërtuar në një çukë mbi gurë. Kur u futëm brenda, nënë Duzja ju tha që vajzën ta vendosnim te shtrati i saj. Ndezi zjarr në oxhak. Bashkë me nënë Duzen i ndenjën gjithë natën te koka, i jepnin një pikë ujë, i lagnim ballin që i digjej flakë dhe i jepnim dorën që e shtërngonte fortë për të larguar dhimbjet. Përpiqeshin t’i jepnin kurajo, por fjalët nuk ishin bindëse. Ne e shihnim që Rakibeja po vuante shumë, ndaj të nesërmen e nisëm për në Mesaplik…
Fotografia e vetme e dëshmores
Të vetmen fotografi që ka dëshmorja Rakibe Dervishaj e ka bëri i vëllai, Bako Dervishaj, kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe. Bako ishte me studime ushtarake në Itali dhe me aparatin e tij, mundi të fiskonte motrën, pa e ditur se ky do të ishte dhe kujtimi i fundit për të. Kjo relike kujtimi është riprodhura kushdi sa herë. Rakibeja gjithmonë na vjen e re dhe kështu ngeli në jetë. Ndërsa gjeneral Bako Drevishaj në monografinë kushtuar motrës dhe dëshmores shkruan se “shikoj fotografinë tënde që na dhurove si kujtim. Kaq vite kanë kaluar dhe ti mbete gjithnjë e re, si atëherë. Sa herë kthehesha në shtëpi e dija që ti do të më prisje aty tek sofaja e portës, në të njëjtin vend. Kështu më prite dhe atëherë, në shtatorin e vitit 1942. Unë sapo isha liruar nga shërbimi ushtarak dhe po kthehesha në shtëpi. Kisha kohë të gjatë që isha larguar nga fshati, isha bërë merak e më kishte marrë malli për fshatin, familjen dhe për ty Rakibe, veçanërisht”.
Pas kthimit nga studimet Bako mësoi shumë gjëra për qëndrimin e familjeve të Smokthinës, për aktivitetin e grupit edukativ komunist që drejtohej nga xhaxhai Mevlan Dervishaj, ku Rakibeja i ishe bërë krah për punë me të rejat dhe gratë. Shtëpia e Dervishajve ishte bërë bazë ilegale, priste jo vetëm përfaqësuesit e Qarkorit të Vlorës, por dhe shumë vajza e gra ilegale.
Rakibeja fjalën e kishe të zgjuar dhe mendimin të guximshëm, prandaj të gjithë e donin e dëgjonin, ashtu dhe ajo i donte dhe i respektonte. Ishte vetëm 16 vjeçe, por kishte mësuar shumë nga jeta. Ka qenë vajzë trime Rakibeja dhe e mënçur. Shtëpinë mund të na i djegin, u kishte thënë, dhe atëherë unë s’kam ç’të bëj më këtu, do dal dhe unë partizane në mal. Veçse duhet të kemi kujdes për Novruzin, nipin e vogël, sespe nëna na thotë se ai është më i vogli djalë nga Dervishajt, është varizi (trashëgimtari) ynë dhe atë duhet ta ruajmë patjetër…
Ngushëllim familjes së partizanes
Komandant Shefqet Peçi dhe komisar Hysni Kapo i dërgojnë një letër ngushëllimi familjes së Rakibesë nga zona e lirë më 28 shkurt 1944. Aty shkruhej se “bija juaj Rakibeja më datën 19 shkurt 1944 ra dëshmore në Kallarat me armikun okupator dhe me tradhtarët e vendit. Gjaku i bijës tuaj dhe e shoqes tonë, mbrojti themelet e lirisë dhe të popullit tonë dhe shkroi faqe të reja të lavdishme për Brigadën tonë Sulmuese, për të gjithë Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe për famijen tuaj. Duhet të jeni kryelartë për bijën tuaj që luftoi heroikisht dhe ju nderoi duke dhënë jetën edhe për interesat e popullit. E gjithë Brigada V Sulmuese ju çon ngushëllimet më të përzemërta dhe betohemi mbi gjakun e bijës tuaj, shoqes tonë Rakibe se do të vazhdojmë me besnikëri deri në fund rrugën që ajo ndoqi dhe se do të marrim hakun”.
Përshkrimi i nipit për vdekjen e Rakibesë
Novruz Dervishaj, nipi i saj, ish ushtarak i lartë dhe komandant korpusi në Forcat e Armatosura do të shkruante “të plagosur rëndë, e prunë në Muçohasanaj. Aty u gjëndëm për të shpëtuar nga peripecitë e luftës. Halla (Rakibe Dervishaj) ishte shtrirë e bërë kallkan, në mesin e asaj dhome përdhese, në shtëpinë e dajos së saj në Mesaplik. Në atë qetësi të jashtëzakonshme fytyra i dukej më e fortë se ç’kishte qenë më parë. Hunda si e skalitur dhe mollëzat që kishin pak rozë, tregonin akoma bukurinë e saj. Rakibeja u shua më 28 shkurt 1944. Duzja, nënë e Heroit të Popullit, Mumim Selami, e cila i mbuloi fytyrën, hodhi një dru në zjar dhe filloi të qante me ligje. Në fillim qau Rakibenë, pastaj të birin, Muminin, i cili kishte dy vite që kishte shkruar epopen në Lagjen Topanasë në Vlorë. Nuk e përballojë dot plagën e kalbëzuar. E varrosën aty, pranë dajove të saj. Atëhere ishte kohë lufte dhe në pasiguri për jetën e të gjallëve, atë e qanë më shumë me ngashërime se sa me zë e me ligje. Vëllezërit dhe xhaxhallarët, vdekjen e Rakibesë motër, e morën vesh vonë, ata ishin maleve partizanë dhe vraponin në shtigjet e luftës për të gjetur lirinë. Atë liri për të cilën kishte dhënë jetën hallë, Rakibeja”.
Vlerësime për partizanen
Rakibe Dervishaj është shpallur dëshmore e atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë. Varri i saj gjendet në varrezat e Dëshmorëve të Vlorës. Një rrugë në qytetin e Vlorë mban emrin e saj. Për Rakibenë është shkruar në librin “Yje të pashuar” në vëllimin e parë të vitit 1972. “Rakibe Dervishaj” është monografi me autor gjeneralmajor Bako Dervishaj, botim i shtypshkronjës “Redona” në Tiranë në vitin 2001. I kushtohet jetës dhe veprës së dëshmores Rakibe Dervishaj. Në monografi autori jep të dhëna për jetën dhe familjen, dokumente, rënien e Rakibesë në fushën e luftës, njoftime dhe shkrimet në shtypin e kohës, kujtime, këngë dhe vajtime.