Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: Në Teatrin e Kukullave

Rrinë kukullat në radhë

Të ngjashëm aq shumë me njerëzit,

Veç duart e mjeshtrit të kukullave

Që i bëjnë të qajnë, të qeshin

Nuk duken, pas perdesh fshihen

Aq mirë, sa ti për një çast

Mendon se kukullat lëvizin vetë,

Pa asnjë arsye, pa asnjë shkak.

*

Kukulla e parë i nxjerr sytë të dytës,

Që ajo të mos qajë kurrë,

E shtërngon në grykë të tretën,

Se thonë ajo, budallaçkë e bukur

Na paska qejf të këndojë

Pa marrë leje, kur t’i teket,

Pastaj të pestës ia shkul flokët

Që mos t’i mbajë sipas modës.

*

Në sallë qeshin, duartrokasin

Spektakël i bukur, aq shumë gazmor,

Veç mjeshtëri i kukullave në errësirë,

Ndjen një frikë, diçka si zor,

Kur njerëzit ikin, dhe papritur,

Tek mban në dorë kukullën e parë,

Dëgjon se si ajo e pyet:

-Kush e ka radhën këtë radhë?

Gazeta ‘Drita’, 1989.

Please follow and like us: