Albspirit

Media/News/Publishing

Figura të larta të republikanëve kundërshtojnë kritikat e Trumpit për Zelenskyn 

Figura të larta të Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar deklaratat e bëra nga presidenti Donald Trump, që kishin për shënjestër presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ditëve të fundit, Trump ka intensifikuar kritikat ndaj Zelenskyt, duke e përshkruar atë si “diktator pa zgjedhje” dhe duke sugjeruar që Ukraina mban përgjegjësinë për pushtimin rus të shtetit fqinj.

Deklaratat e presidentit kanë rritur shqetësimet në mesin e figurave brenda Partisë Republikane, të cilët janë të shqetësuar se sinjalizimi i gatishmërisë për të ndërprerë mbështetjen për Kievin mund ta inkurajojë presidentin rus, Vladimir Putin.

Insistimi i Trumpit për ta paraqitur Zelenskyn në aspekt negativ është në kontrast të madh me shumë senatorë republikanë, të cilët vazhdojnë ta shohin Ukrainën si viktimë të agresionit rus.

Senatorë kyç republikanë kanë shprehur mbështetje të madhe për Ukrainën.

Senatori John Kennedy (republikan nga Luiziana) nuk i kurseu fjalët kur foli për kërcënimin që paraqet Putini, duke e përshkruar atë si një “gangster me zemër të zezë…. që e bën Jeffrey Dahmer [vrasës serik] të duket si Nënë Tereza”.

“Është Vladimir Putini ai që e filloi luftën”, tha Kennedy. “Gjithashtu besoj, përmes përvojës së hidhur, që Vladimir Putin është gangster… Ai e ka etjen e Stalinit për gjak”.

Senatori Roger Wicker (republikan nga Misisipi) u bëri jehonë shqetësimeve të Kennedyt, duke thënë se bisedimet për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës duhet të zhvillohen me përfshirjen e ukrainasve dhe duhet të merren parasysh interesat evropiane.

“Putin është kriminel lufte dhe duhet të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg, apo edhe të ekzekutohet”, tha ai.

Në një intervistë për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Ukrainës, Oleh Didenko, tha se nga diskutimet për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë përfiton vetëm Rusia.

“Kjo çështje po ngrihet për të minuar legjitimitetin e Qeverisë në Ukrainë, për të dobësuar besimin në ekzekutiv, për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën nga partnerët ndërkombëtarë”, tha ai.

“Sipas meje, ky është një element i luftës hibride që po përdoret në mënyrë aktive nga armiku ynë”.

Këto deklarata erdhën pasi Trump shkroi një ditë më herët në Truth Social se “ne po negociojmë me sukses me Rusinë për përfundimin e luftës”. Ai shtoi se Zelensky “bënë mirë të veprojë shpejt, apo nuk do të ketë më shtet”.

Reagimet e Trumpit erdhën pasi Zelensky e akuzoi Trumpin se po jetonte në “hapësirën e dezinformimit” rus.

Senatori Thom Tillis (republikan nga Karolina e Veriut) nuk u pajtua me cilësimin që Trumpi i bëri Zelenskyt, kur e quajti “diktator”, edhe pse Tillis nuk e kritikoi drejtpërdrejt presidentin amerikan.

“Nuk është kjo fjala që unë do të përdorja”, tha ai, duke shtuar se “nuk ka ekuilibër moral mes Vladimir Putinit dhe presidentit Zelenskyt”.

“Qartësisht, Vladimir Putin është përgjegjës për këtë luftë”, tha Tillis. “Vendimi i tij ka rezultuar në vrasje, përdhunim, torturë dhe rrëmbim të një numri të panjohur të ukrainasve. Ai e ka përgjegjësinë për këtë luftë”.

Udhëheqësi i Senatit, John Thune (republikan nga Dakoda e Veriut) po ashtu nuk e kritikoi Trumpin për deklaratat e bëra.

“Presidenti flet për vete”, u tha ai gazetarëve. “Unë mbështes një rezultat dhe përfundim paqësor në Ukrainë… Dhe, mendoj se tani, administrata, presidenti dhe ekipi i tij po punojnë për të arritur këtë”.

Edhe pse mandati presidencial i Zelenskyt ishte paraparë të përfundonte në maj të vitit 2024, Ukraina nuk ka mundur të mbajë zgjedhje pasi vendi ka shpallur gjendje lufte pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022./REL

Please follow and like us: