Gelanda Shkurtaj: Requiem për drejtësinë
Retorika e reformës
E indeksuar në të gjitha kërkimet si ndër vendet më të korruptuar, në politikë dhe gjithë sistemin e drejtësisë, Shqipëria kishte nevojë emergjente për një reformë radikale mbi këto dy akse.
Kërkuesit e kësaj reforme, de jure ishin ndërkombëtarët dhe partitë politike, de facto ndërkombëtarët dhe njerëzit e thjeshtë, të nënshtruar nga vjedhja e pronës e të përçudnuar nga padrejtësitë. Kush deklaron e aq më keq beson se, ky vend nuk është fundosur nga korrupsioni i politikës dhe gjyqësorit, ose jeton në Jupiter, ose është palë morale e këtyre sistemeve. Rrugë të mesme nuk ka. Ndërkombëtarët për arsye që gjenden kancelarive të tyre, ndërhynë në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët kishin ende de-stabilitet politik, ekonomik dhe social.
Në risi’ të reformës skeptikët, ndofta me të drejtë, ishin kundër ngritjes se shumë institucioneve ad hoc (të posaçme), pasi luftën ndaj korrupsionit e bëjnë njerëzit: juristët, gjyqtarët, prokurorët me integritet moral dhe profesional, me mbështetje të institucioneve. Megjithatë, duke parë në retrospektivë e po të konsiderohet fakti se strukturat aty ishin, por enkas nuk u bënë kurrë funksionale, del se reforma ishte dhe mbetet zgjidhja më optimale.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (si vëllau i SPAK-ut para reformës) asnjëherë nuk denoncoi, proçedoi e aq më keq gjykatat shqiptare nuk dhanë asnjë dënim ndaj ndonjë politikani apo magjistrati për korrupsion. Parimi ishte i thjeshtë: “mos më prek ti mua sot, të mos prekë unë ty nesër”. Qëndrimeve dyshuese nëse duhet të ishin ndërkombëtarët që të bënin reformën, i kundërpërgjigjet llogjika racionale, sigurisht që jo!.
A pati dhe ka probleme teknike dhe pasoja të vështira reforma? Sa të duash!. Pasojat e saj padyshim kanë afektuar shumë hallka të sistemit, por me një të veçantë: janë prap filtrimet e ish-ve në çdo drejtim që e bëjnë gati të pamundur funksionimin korrekt të organeve të drejtësisë së re. Partitë politike u dakordësuan me bërjen e reformës në drejtësi, me oportunizmin klasik që i karakterizon për të bërë qokën e rradhës për ndonjë promovim të pritshëm në arenën ndërkombëtare. Çështja që debatohet është e thjeshtë, por mbart një problem që ne nuk duam as ta shohim dhe as ta pranojmë dhe qëllimshëm mënjanojmë në retorikën rreth këtij argumenti: A ishim ne si shoqëri, politika dhe gjykatat tona, të afta të denonconim dhe dënonim korrupsionin? Kurrë!
Shoqëria jonë viktimizohet si e varur nga ndërkombëtarët gati në prekje të sovranitetit, e ndërkohë është shpërdoruesja më e rëndë e “fytyrës” së tyre kur ia kërkon interesi. Me përdorimin e emrit të tyre “lahen” duart mes njëra-tjetrës për të justifikuar ndëshkueshmërinë se gjoja: “shiko nuk po ta bëj unë, kështu e do Amerika”, ose kur duhet të gënjehen militantët me fitore iu thuhet: “kam Amerikën në krah unë”, ose kur nuk i fërshëllen njeri kartën mashtruese politike e quajnë Amerikën Soros-iste, Trump-iste e kështu me rradhë. Ky është populli i pulave, nën hyqmin e dhelprave, në vendin e predikuar të shqiponjave.
Derby politik
Në Shqipëri ka njerëz që nuk besojnë në integritetin dhe atdhedashurinë e asnjërës prej partive dominante të politikës. Arsyeja përse? Sepse janë njësoj fajtore në korrupsion, në përfitime, qoka reciproke, moral dhe politikëbërje. Pastaj, sa? Një më shumë e një tjetër më pak, nuk ndryshon cilësimin e krimit dhe rënien e mosbesimit, në të cilin janë përfshirë me dashje. Kur këto akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, duke u përpjekur të sfidosh trazimin e stomakut, e për një çast të kërkosh një llogjike racionale, kriteri matës të sjellë ndërmend virgjërinë e prostitutës mbi numrin e klientëve. Ca kanë treqind, ca dyzetë, por doli që kishin edhe shumë klientë të përbashkët, dmth i përdorin një herë njëra parti pastaj tjetra. Problemi i sjelljes së tyre, do të ishte edhe shqetësimi sesi do të ishte mbështetja në publik, pra a do t’i gjykonin mbështetesit për fajet e tyre. Mesa duket këto këmbana janë pak njerëz që i dëgjojnë.
Sikur secili të pyeste: me çfarë të drejte t’i shan apo akuzon partinë tjetër kur e jona është e zhytur ekzaktësisht në të njëjtin llum deri në fyt? Shurdhët më të mirë janë ata që nuk duan të dëgjojnë: e kujt i duhet? Bëjmë lekët se ç’na bëhet vonë, në të keqen më të madhe kush do na gjykojë? Elektorati? Cili elektorat? Militantët i kemi me vete çfarëdolloj gjëje të bëjmë: se e vrasim këtë vend, se e vjedhim këtë vend, se e përçudnojmë këtë popull kush do na korrigjojë?. Ndërgjegja e tyre sakate që shkon deri tek maja e hundës mbi thënien e liderit: “bëni si them unë mos bëni si bëj unë”. Studimi i homo sapiens-it, ka një hallkë që mungon në zinxhirin e evolucionit sociologjik.
Militantët janë të prerjeve heterogjene, fjalavjen ata që e kuptojnë çdo gjë, por nuk u intereson t’i kundërvihen kreut, sepse presin me gojë hapur ndonjë thelë. Hipokrizia e tyre është bërë një me ndërgjegjen sa edhe vetë besojnë gënjeshtrën që iu del më parë se çdo formë tjetër arsyetimi. Pastaj vijnë të tjerë që mund të keqpërdoren sido të sillet lideri. Këta janë emblemë studimore, përaq kohë sa nuk ka drogë sintetike që mund të prodhohet në laboratore e të krahasohet me mprijen që iu bëhet trurit të tyre, përnga manipulimi dhe trushpëlarja. Rasti është i pashpresë. Më superiorët akoma janë intelektualët, artistët apo elita e kombit që duke u vënë në krah të ndonjë partie apo lideri, dashur pa dashur i mësojnë publikut që politikanët e përkrahur prej tyre, jo vetëm janë të pastër, por publiku duhet të turpërohet nga vetja qoftë edhe për kalimin në para-dhomën e trurit, se filan politikan qenkësh i korruptuar, apo i përfshirë në afera korruptive.
Ndaj nuk ka Spielberg që do mund të krijonte mizanskena interpretimesh si ato të politikanëve tanë, kur meqë bie fjala akuzojnë për vrasje nga foltorja e parlamentit, apo japin mësime mbi çfarë duhet të jetë morali politik; leksione mbi lëvizjen e rradhës së gjeopolitikës ndërkombëtare dhe influencën që ata kanë në të; mbi dashurinë që liderët globalë kanë ndaj tyre; mbi thjeshtësinë e tyre prej njerëzish të mëdhenj kur përqafohen me romët; mbi vrasjen e thellë shpirtërore kur qajnë për të varfërit; mbi kumtin e vërtetë të bamirësisë kur shtrojnë dreka; mbi dashurinë ndaj fesë kur ulen në darka iftaresh dhe i falen perëndisë për pastërtinë e mosmëkateve të tyre; kur qajnë për heronjtë; kur mbrojnë idealet; kur gënjeshtra ha, fle dhe pi me ta këmbëkryq; kur të mësojnë se manipulimi është arma më efikase për të besuar se ata trupin e ndërgjegjen nuk ia kanë shitur djallit; kur pas mbarimit të fjalimit të tyre ti popull kërkon të falësh veten se ndjehesh i lumtur për varfërinë e merituar, dhe i pafat sepse vetë ke kërkuar nderin mbi gjithçka.
Requiem per krimin
Në dashje apo jo të shumëkujt reforma deri tani mësoi dy fakte të pakundërshtueshme e që nuk mund të hidhen poshtë: Së pari, sepse provoi forcën e institucioneve mbi individin, dhe jo e kundërta, sikurse na ishte zhdukur edhe nga imagjinata. Kur do shteti, të nxjerrë dhëmbët (!). Politikanët e korruptuar që ishin kthyer në mitin e Drago-s u thyen: tigrat ia kanë mbathur, luanët janë pas hekurave jo të zoologjikut, trimat e çartur janë duke u dridhur dhe flasin si e ëma e Zeqos nga maja e thanës. Së dyti, e gjitha është vullnet i njeriut dhe shoqërisë. Po të duan gjërat bëhen dhe nëse në Shqipëri nuk kanë funksionuar deri më sot, arsyeja në bazë është tejet e thjeshtë: binomi i pandarë shoqëri-politikë as nuk e ka dashur dhe as nuk e do reformën. Sot, si askurrë, kemi evidencën më të qartë të kësaj thënieje. Për turpin e kujtdo që ka goditur drejtësinë në këto kohë, të majtë e të djathtë, sipas interesave të tyre apo lidershipit, i qëndron mbi kokë haka e të gjithë atyre që rropaten të jetojnë denjësisht në këtë vend dhe nuk ngrejnë dot dinjitetin e tyre, sepse po në këtë vend fukarrallëku quhet maskarallëk, nderi quhet turp.
Ata që vjedhin dhe vrasin janë të nderuar, pa tjetër, sepse nuk kanë vrarë këngëtarin, por Arditin e varfër që për të mbledhur dy lekë, trupi iu gri si në lagerat nazistë. Të paktën mbyllni gojën duke i bërë pak nder vetes. Këneta e ndenjur me llumin në fund, ku lustrohet sipërfaqja është dashuria më e madhe e shqiptarit. Bare, lokale, vjedhje, dukje, moralizime, sharrje, rrahje, vrasje, drogë, armë, gjithollogji, media-kritete janë interesat ku ata fokusohen në përditshmërinë e tyre. Reforma rezultoi mjeti më oportun qoftë edhe për të vënë këdo përpara pasqyrës dhe për të mos i thënë më vetes në këtë vend: “unë jam Zeusi, unë jam perëndia”.
Rrugëtimin e mëtejshëm të reformës askush nuk mund ta parashikojë, veçanërisht në vendin e çudirave. Historia e njerëzimit ka parë në krye të shteteve edhe burra, edhe delirantë, kështuqë edhe gjeopolitikës që po riformëzon gjithë globin asgjë nuk i dihet. E megjithatë sidoqë të shkojë po nuk u turbullua mirë nuk mund të kthjellohet asgjë. Piskama e artistëve për ndëshkimin e modelit-idhull është momenti kur takohen mes tyre hipokrizia, lëpirja, lëtyrojsa dhe mungesa e dinjitetit që kanë treguar dhe mbajtur në vite. Të përkrahësh dhe mbështetësh dikë, që vetëm për hir të drejtësisë, duhet pritur shprehja e kësaj të fundit, është tregues i të qënurit njëlloj, në mos në bërjen e krimeve në pranimin e tyre si normalitet. Fajësia mbetet e njëjtë.
https://www.panorama.com.al/requiem-per-drejtesine