Ndue Ukaj: Ta kujtojmë sot At Anton Harapin!
Ta kujtojmë sot At Anton Harapin! Të cilin, para 79 vjetëve, e në emër të ideologjisë së çmendur komuniste, e pushkatuan mizorisht predikuesit e ferrit, ata që deshtën me dhunë me vendosë “drejtësi” dhe “lumturi komuniste”, por popullit shqiptar i shkaktuan tmerre dhe vuajtje pafund.
Shkrimtari Anton Harapi ishte frat i ditur, njeri i vlerave të mëdha kulturore e shpirtërore – një iluministi i klasit të lartë.
Ernest Koliqi thoshte për të se ai ishte “nji ndër njerëzit mâ të kulturuem të Shqipnís”.
Ai ka shkruar tekste në prozë dhe u shqua veçmas në publicistikë, duke u lanë shqiptarëve një vepër shumë të pasur diturore e me vlera të tejkohshme.
Janë të njohura i ligjëratat e tij monumentale për çështje shoqërore, për naltimin e ndërgjegjes, me të cilat krijoi një monumentin të bashkimit shpirtëror e kulturor të shqiptarëve.
Vepra e tij, edhe sot, në kohë shtrëngatash të frikshme ideologjike, është ushqyese për kombin e tij, të cilin e këshilloi se “çdo ndërtese i vihen themelet në dhé”, që domethënë se pa kulturë e pa traditë, asnjë komb s’ mund të shkojë përpara e as të hyjë në rrugën e qytetërimit.
Porosia e Harapit se “pá kênë nierz kulture, nuk kemi si e krijojm kulturen shqyptare, Shqypnín ideale…” tingëllon akutuale edhe sot, në Tiranë dhe në Prishtinë, ku helmi i gjuhës së egër, ka infektuar njeriun shqiptar dhe po e pamundëson naltimin tonë kombëtar.
Po, historia e Harapit, fundi tragjik i jetës së tij, thotë Aurel Plasari te libri kushtuar tij, “do të kishte edhe një epilog të denjë për penën e Shekspirit”.
Harapi kishte një dashuri që s’njihte limite. Një dashuri që s’lëkundet përballë asnjë kërcënimi, e madje as nga vdekja. Dhe në çastet e fundit, pak para se ta ekzekutonin, Harapi i bekoi vrasësit dhe i fali për aktin që do të kryenin.
Çfarë dashuri shembullore e çfarë vepre frymëzuese, mësim për jetë të jetëve!