Edmond Kaceli: Kur u shembën statujat…
Kur u shembën statujat
(nën rrëmujën dhe delirin e turmës)
turma u çmend prej gëzimit…
Në çmendje e sipër, turma e çmendur
filloi ndërtimin e statujave të reja
Themelet po ato!
*
Vetëm një, theksoj, vetëm një
nga mijërat e turmës së çmendur
u afrua të shihte bronxin hijerëndë
derdhur sipas formave të atyre që
dikur,
në një kohë të afërt, sundonin turmën!
Forma të bukura, bronx i cilësisë së lartë!
*
Hodhi sytë brenda, ndërsa turma në delir
vallëzonte përreth themeleve
në pritje të statujave të reja
sundimi.
*
Kurioz i madh! Hodhi sytë!
-pa boshllëkun e madh brenda statujave
Ishte një njeri i vetëm!
Përballë mijërave turmave të çmendura…
Please follow and like us: