Sadik Bejko: APOKALIPS, MESDHEU 2016
Më duhet të rilexoj Biblën, që të mbledh veten.
Befas Mesdheu si Vaterloja u mbush me kufoma.
Jo galat, peshqit hanë mish të gjallë njeriu.
Anije të fryra si kazanët në vlim, vjellin njerëz.
Vajza kthyer në prostituta, të mitur mekur plazheve, fund-deteve,
Djemtë lecka dhune në tela kufiri.
*
Ku ta çoj këtë varrezë, këtë kujtesë,
Këtë hartë zogjsh pa qiell?
Bomba mbështjellin fjalime për tolerancë, për paqe,
Bisedime ku abortojnë shtete dhe fëmijë.
*
Më duhet të rilexoj Psalmet, Biblën që të mbath zemrën.
Bregdetin ta mbath me apokalipse digash e zbaticash.
Më dunat që fshehin varrezat lakuriqe, njerivrasjen,
Me jastëkë pyjesh që fshehin plazhe luksi
Dhe pishina konkubinash Herodi.
*
Dëshmitar kohësh të dështuara,
Kam humbur sysh miq, më janë tretur tej bijtë,
Kam humbur mjeshtërinë e vrasjes së gurit
Që ma mbyll hapësirën atje përtej,
Mjeshtërinë e vrasjes së resë, vrasjes së muzgut,
E ujkut plak që më ha vuvas dhe fshehur dritës,
Ma ha pyllin tim kthyer në fantazma drurësh.
*
Më duhet një shtupë me rërë e me baltë që të mbyll një “ooo”!
Një “ooo” që më shqyen nga brinjët kur ia mbyll grykën
Me shuplakë, ia mbyll muzgut a ia mbyll gojës sime.
*
Më duhet ta mbath zemrën me ujëra Nili
Vdekur gjuhëthara në shkretëtirë.
Më duhet ta mbath zemrën me piramida Gize,
Varrosur si milingona në copë të mykur buke.
Më duhet të mbush grushtet me shkretëtirë,
Me rërë, me shumë rërë,
Kur të më vijë për të qarë me lotë të flakur tej si krizantema dhjetori.
Kur gulçet të më toshitin si kontinent të vdekur qëkuri,
Kontinent që nuk di ku e ka Sirinë, ku Sinajin a Uralet,
Apeninet, ku Ukrainën a Ballkanet.
*
Të rilexoj Biblën, të mbathem me imazhin apokaliptik
Dhe si currilat vdekur në gur
Të mos e dëgjoj cicërimën e shuar të zogut të vendlindjes
cicërimë zogu të fikur brenda shtëpisë sime.
Mos ndihem si mbret që ka abdikuar zotërimet,
Ka abdikuar të qenët mbi dy këmbë druri a kocke
Në ajër të gjallë, në agim të çelur
Në gurë e pemë këtij dheu, mbi themele të shtëpisë sime.
2016
Nga libri “Këngë të Solomonit”, Toena 2017.