Koncerti bamirës për Nënën Terezë në Nju Jork, simbolika e besimit te përkujdesja njerëzore
“We ourselves feel that what we are doing is just a drop in the ocean. But the ocean would be less because of that missing drop.” Mother Teresa



Rafaela Prifti
Koncerti kushtuar Nënës Terezë, një figure ekuivalente me dhembshurinë njerëzore, u prezantua në sallën e madhe koncertale Carnegie Hall në Nju Jork nga EGC Productions dhe Legato Arts mbrëmjen e ditës së shtunë. “Rrugëtimi i Besimit” (Journey of Faith) shprehu me anë të artit të muzikës jetën e saj në shërbim të njerëzimit “për të frymëzuar tek pjesëmarrësit ripërtëritjen e forcës së bamirësisë dhe dashamirësisë ndaj njëri tjetrit”, thanë organizatorët në pritjen e dhënë përpara koncertit. Miku i Nënës Terezë dhe autori i librit me kujtime personale për të ‘To love and be Loved’, Jim Towey tregoi se ajo e përjetonte bukurinë e Zotit përmes artit prandaj kjo formë dedikimi i shkon më së miri emrit dhe veprës së saj.
Pa dyshim prejardhja dhe kombësia e saj shqiptare ishin ato për të cilat krenoheshin më shumë të ftuarit e Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA: Presidenti Dr. Elmi Berisha, Kryetarja e Degës më të re VATRA Utah Erjola Xheko, Ilir Cubi, Anëtar i Kryesisë, Bardh Tomaj, Anëtar i Këshillit, Elio Ahmetaj, anëtar dhe aktivist, editorja për anglisht e gazetës Dielli Rafaela Prifti, Vehbi Bajrami, veprimtar i respektuar, botuesi dhe pronar i gazetës ‘Illyria’. Në pritjen që i parapriu shfaqjes ishin ftuar mbështetës dhe personalitete të fushave të artit, biznesit, fesë e diplomacisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe ambasadore nga Kosova dhe Shqipëria.
Maestro virtuoz Dante Anzolini dirigjoi orkestrën me famë të St. Luke në një program rreth dy orë me soprano Catherine Wethington dhe bariton Sean Michael Plumb me shoqërime kori. I konceptuar si metaforë muzikore e jetës së saj, programi ndërthurte krijime klasike si St. John Passion nga Johann Sebastian Bach, Panis Angelicus nga César Franck me vepra bashkëkohore të artistit më në zë Nico Muhly. Pikat kulmore ishin premierat amerikane të dy kompozitorëve shqiptarë, Thoma Gaqi Vallja me Daire nga Valle Simfonike dhe Genc Tukiçi Valsi Hyjnor – Hymn për Nënën Terezë, i luajtur për herë të parë në ceremoninë e pranimit të saj si shenjtore në vitin 2016. Pas koncertit Kryetarja e degës së Vatrës Utah Erjola Xheko tha se kompozimet shqiptare i përcollën emocione të veçanta.
Programi ishte përzgjedhur për të ndriçuar momente kyçe të jetës së bamirëses së madhe që nga lindja në familje shqiptare në 1910 në Shkup, vajtja në Irlandë dhe pesëdhjetë vite pune misionare në Indi. “Meqë Bronksi ishte vendi ku ajo hapi qendrën e parë misionare në Amerikë, programi i jepte hapësirë lidhjes shpirtërore të Nënës Terezë me Nju Jorkun, duke sjellë premiera të kompozitorëve njujorkez si Philip Glass dhe Missy Mazzoli”, tha dirigjenti Dante Anzolini.
Sot Misionaret e Bamirësisë që ajo ngriti shërbejnë në 139 vende të botës. Nga fondet e mbledhura në koncertin bamirës do ndihmohen shoqatat misionare të Nënës Terezë në Nju Jork dhe në botë përmes organizatave që sigurojnë strehim, ushqim dhe ndihmë për të pastrehët, të sëmurët, të anashkaluarit, për të cilët ajo u kujdes gjatë gjithë jetës së saj. Në fund të mbrëmjes, Dr. Elmi Berisha kujtoi porosinë e saj për vlerën e ndihmës njerëzore atëherë kur pyetemi sesa kemi ndikuar apo kur na duket se nuk arritur mjaft sepse “vetë Nënë Tereza bënte krahasimin me një pikë uji në oqean, duke thënë se pa atë oqeani do kishte një pikë më pak”.