Albspirit

Media/News/Publishing

RIFAT ISMAILI – NJËRI NGA ESEISTËT MË TË SHQUAR TË SHQIPËRISË

ZEKERIJA IDRIZI

Fragment nga monografia ime “NË LABORATORIN KRIJUES TË RIFAT ISMAILIT”

Kritika letrare e ka vlerësuar poetin dhe shkrimtarin durrësak Rifat Ismaili si njërin nga eseistët më të spikatur të letërsisë shqipe.
Dhe jo vetëm kjo, por ai është sot edhe njëri nga zërat më të spikatur të prozës romanore, poezisë dhe kritikës letrare dhe artistike në atdhe dhe jashtë në mërgatë. Është, do thosha, kreator i kritikës racionaliste dhe fine artistiko-letrare dhe, në këtë rrafsh, edhe i qasjes dhe mendimit filozofik në fushën e teorisë letrare, të letërsisë dhe të artit.
Sepse në këtë kontekst dhe ai ka krijuar një amalgamë vlerash letrare plot estetizëm. Ai po i dhuron një frymë dhe imazh të kristalizuar idesë së prozës, poezisë, kritikës dhe eseistikës, në ç’domene shpërfaq vrojtime e gjykime të ëmbla, të kristalta e aq vezulluese, të cilat i qëndisë dhe “pikturon” me farfuritë e mendimeve të tij të mprehta në pikëpamje estetike e artistiko-letrare.

Deri më sot ai ka shkruar e botuar librat vijues eseistikë:

*Dilemat e lirisë njerëzore”, ese e shkrime “DDS” Durrës 2011.
*Laboratori i fshehtë krijues – ese, Botimet Meshari, Prishtinë 2022.
*Kurthet e letërsisë” – ese, Botimet Meshari, Prishtinë 2022.
*Mallkimi i shkrimit dhe shkrimtari i mallkuar” – ese, FastPrint Tiranë.
” Qasja ndaj librit dhe leximit” Fast Print Tiranë 2025.

Veçmë për librin e tij me esse “Dilemat e lirisë njerëzore” kam shkruar një vështrim të thellë të cilin ai ma publikoi te revista e tij “Kryefjala”.

Nisur nga ky fakt, unë kam shfletuar pjesë të konsiderueshme nga krijimtaria e tij eseistike.
I lexova me vëmendje të thellë dhe shijova filozofinë, përkatësisht, mesazhet mjaft sublime logjiko-filozofike në esetë nga libri i tij “Kontributi ndaj artit” me titujt: “Tabutë dhe origjinaliteti i shkrimtarit”, “Arti, ushqimi dhe dashuria”, “Afiniteti midis krijuesit dhe lexuesit”, “Të jesh vetvetja” dhe “Fati i librave dhe i letërsisë”, në të cilin, në hyrje konstaton:
“Fati i pjesës më të madhe i librave është shkruar që të harrohen. Vetëm një pjesë e vogël, shumë e vogël e asaj që shkruhet, i mbijeton kohërave…” Mandej, krejt në fund të këtij eseu Rifati tregon lidhshmërinë e ngushtë midis krijuesit dhe lexuesit, duke pohuar:
“Krijuesit duhet gjithmonë të jenë të zellshëm për të qenë farëhedhës të denjë, ndërsa lexuesit peshkatarë të zhdërvjellët thesarësh. Kjo i jep mundësinë letërsisë të mbijetojë, edhe pse rrojmë në një kohë që përpiqet gjithnjë e më shumë ta mënjanojë e zvetënojë letërsinë”.
Te eseja “ARTI, USHQIMI, DASHURIA”, ndërsa, e shijova thellë atë pjesëzën ku autori Rifat I. Ismaili
vetërrëfehet:
“Shpesh, pasionit tim për të shkruar, nuk iu ka ndarë dhe ai për kuzhinën, ndaj arrita të mësoj diçka edhe nga zanati i kuzhinierit, zanat i lehtë dhe i vështirë njëkohësisht, që sado përparon nuk mbaron kurrë, sepse është si një art në evoluim. Një zanat delikat, imagjinar, pothuaj femëror, eksitues dhe që ndihmon aq shumë në përmirësimin e jetës, shëndetit dhe humorit të njerëzve. Kënaqësi të tilla si ushqimi, dashuria, arti, nuk njohin moshë, janë në cdo vend e komb me ndryshimet e ritet e nevojshme, nuk njohin as harresë, e as shuarje. Janë gjithnjë forma të përdëllimit njerëzor, askush nuk u mërzitet këtyre gjërave, nuk ka sesi. Të çohesh nga një shtrat dashurie, apo nga një tavolinë ku ke lënë atje lëvozhgën e një gaforreje të freskët, me ca ofshama në të dyja rastet, nga kënaqësia e provuar, më duket se është e njëjta gjë. Të thithësh një ushqim të shijshëm ka në vetvete një lloj erotike të brendshme që s’mund të shpërfillet, as të hidhet poshtë…”
Kurse te eseja tjetër mbresëlënëse “Afiniteti midis krijuesit dhe lexuesit” e “gëlltita” sentencën proverbiale:
“Marrëdhënia midis krijuesit dhe lexuesit është diçka e magjishme, e papërsëritshme. Dy njerëz që në kohë të ndryshme, puqen diku rastësisht, dhe krijohet një afinitet i çuditshëm, por e pafundme për nga vlera dhe rëndësia. Që në moshë të re e gjer më tani kam gëlltitur me sy me mijëra e mijëra faqe librash, i kam futur në sirtarët e kujtesës, kësaj dhurate të paçmuar e hyjnore që na është dhënë ne njerëzve, dhe dalin prej aty vetiu, kur trurin ma ngacmon ndonjë ide, imazh apo kujtim…”
Qershia mbi tortë ishte eseja tjetër e tij me titull “Të jesh vetvetja”, në të cilin i thërret mendjes së krijuesit që të shpërfaq BOTËN E VET – VETVETEN, pra, teksa me plot urtësi konstaton në fund:
“Gjatë udhëtimit njerëzor dhe poetik, do takojmë rrugës mjaft shpirtra binjakë dhe do bëjmë me ta një copëz rruge. Por në çdo udhëkryq, secili rishtas do ndërmarrë pelegrinazhin e tij drejt visesh të panjohura për veten dhe të tjerët , me forcën e kërkimit dhe rizbulimit të universit dhe Vetvetes.
Ndaj të jesh Vetvetja, do të thotë , të sjellësh risi dhe origjinalitet, të përcjellësh mendimin tënd të pangjashëm me mendimin e tjerëve, të përcjellësh rrahjet e zemrës tënde dhe ndjesitë turbulluese të shpirtit tënd unik. Njeri apo krijues qofsh, ji Vetvetja!”
Edhe në botën e poetikës ka shkëlqyer Rifati, duke treguar një nivel solid letrar, të cilin e ka vlerësuar shumë kritika letrare. Jeta e këtij krijuesi u plazmua mes një kodre dhe një lumi të vendlindjes së tij, në qytetin e vogël por të dashur të Durrësit, dhe pikërisht këtu, mes rendjeve të para çamarroke ka thithur ajrin dehës, i cili muzën kreatoriale të poetit e bashkon me muzën primordiale të Perëndisë. Asnjë qytet në botë, pavarësisht se ai ka jetur shumë vjet në Firence e Savona të Italisë, por dhe dy vite në Berat, kur ishte në shërbim ushtarak, nuk mund t’i zëvendësojë aromat e qytetit të tij dhe të shtëpisë, të asaj foleje që ia ka ndjerë me aq forcë mallin kur mungonte për një kohë të gjatë. Shpesh herë në mërgim i kujtohen mijëra episode të vogla të fëmijërisë që lidhen me shtëpinë dhe Durrësin e tij. Kjo lëndë e gjallë e mpiksur në kujtesë, ka qenë për të si një llavë që kthehet në poezi dhe art sa herë që është ulur dhe ka shkruar. Nuk janë të pakta poezitë që i ka shkruar ai për vendlindjen, por edhe nëpër prozat e tij të shkurtra, kjo ndjenjë shpesh ka qenë primare dhe pjesë e pandashme e muzës së tij. Mund të përmend këtu tregimet e tij, si: “Unë dhe babai”, “Afërdita, vajza e qytetit tim”, ” Kthimi në shtëpi” e sa e sa të tjera. Por edhe poezitë e tij, si: “Lumi i qytetit tim”, “Atje ku unë jam rritur”, “Malli për vendlindjen”, ” Në qytetin tim si jetohet”, e sa e sa krijime të tjera. Por edhe romani “Një vend burrash” ka nga fillimi gjer në fund në qendër të tij Shijakun, por jo vetëm atë aktual e real, por edhe si qytet imagjinar e metaforik, brenda një proze që mendoj se i përafrohet realizmit magjik.
Mandej edhe poezitë me temën e dashurisë zënë një vend të rëndësishëm në lirikat e tij. Ato shquhen për nga gjetja metaforike dhe vargjet mjaft elegante, ku ndjeshmëria e sharmi përshkon çdo strofë të tij.
Në esenë e tij me titull ”Dashuria në art”, shkruar herët dhe botuar në gazetën “Drita”, para shumë vitesh, Rifati ka trajtuar forma të ndryshme të shfaqjes dhe përndijimit të dashurisë duke i ilustruar me vargjet e disa prej poetëve më të mëdhenj botërorë, si: Verleni, Bodleri, Miltoni etj. e gjer tek Lasgushi ynë i madh. S’do mend kjo, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, që poezia e tij të mos flladitej nga kjo ndjenjë sublime, nga kjo thirrje hyjnore që ngjall gurët dhe bën të flasin dhe muret….

P Ë R F U N D E S Ë

Rifat Ismaili, në thelb, po shfaq gjithnjë e më tepër personalitetin e një studiuesi e eksploruesi serioz të artit, letërsisë, kulturës, historisë dhe qytetërimeve jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare, gjithënjerëzore. Në veprat e tij gjykuese e këndvështrimore, ai shpërfaq përsiatje vlerash të pambaruara në sofrën e artit, letërsisë, kulturës e filozofisë. Ai bëhet i kapshëm, i kuptueshëm, interesant në “mistikën” dhe “metafizikën” e tij letrare, energjik në krijimin e fenomeneve artistike me kuptime shumëdimensionale, racional në këndvështrimin e cilësive të krijuesve e veprave të tyre dhe madhor njëherësh në temat e diskutimet që shtron kundruall temave shumëzhanrore të letërsisë dhe teorisë së saj. Një krijues i këtillë gjigant e shumëdimensional, në sofrën e letërsisë është një dashuri e shtuar e shpirtit, është një balsam në tryezën e krijimtarisë që të lë me zemër e shpirt të frymëzuar.
Ai nuk di të ndalet, studion masivisht, shkruan pambarim e vrapon të kap çastin e ditën më të mbarë. Është madje edhe një krijues pa cmira, pa xhelozi, pa keqdashje, por gjithmonë një njeri komunikues dhe stoik me studiuesit, poetët e shkrimtarët shqiptarë e ndërkombëtarë. Për më tepër, nuk është në natyrën, karakterin dhe subkoshiencën e tij t’i miklojë e t’ju bëjë qejfin sa për sy e faqe krijuesve.
Jo, përkundrazi! Truri dhe syri i tij arrijnë të pikasin me elegancë e delikatesë të rrallë talentet e talentët e rinj të shkronjëbërjes, të krijimtarisë gjithëzhanrore. Në këtë rrugëtim mjaft sublim, ai i miqëson poetët e shkrimtarët, shfaq dhe evidenton të veçantën dhe cilësoren në çdo talent e krijues. Me përqasjet e tij mandej për shumë vepra mirëfillore në cilësinë e redaktorit e recenzentit ai ngre lart vlerën e shkrimtarëve dhe poetëve cilësorë, ndërton një botë artistike unike njerëzore dhe kombëtare dhe çliron energjitë krijuese në çdo udhë të krijuesve tanë.

Në veçanti Rifati bën përçapje vështrimore në mënyrë të veçantë në ato vepra që kanë ndikime të fuqishme në kohë dhe hapësirë dhe që do lënë gjurmë përjetësisht në histori. Kjo pikërisht, ashtu siç shkruante i madhi gjermano-hebre Franc Kafka:
“Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthej në ligj dhe ta bëjë njeriun të pavdekshëm, vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik”. Për të konstatuar në vazhdim: “Një libër do të duhej të ishte një sëpatë që e thyen detin e ngrirë brenda nesh”.
Çmistifikimi dhe çmitologjizimi i letërsisë nga dokrrat e “doktrinat” obskure që shpiejnë në mesjetë, në shkretërirë o në “epokën e gurit” është nga detyrat parësore të z. Rifat, i cili në çdo zhanër e gjini letrare mëton të inkuadrojë idetë e mendimet racionaliste e progresiste që do na çonin në hap me të arriturat e kohës e të botës së qytetëruar. Pra, ai, si studiues e estet është larg qarqeve mendimore e letrare skolastike, dekadente e reaksionare, duke përfaqësuar kështu veten si protagonist e zëdhënës i ideve racionaliste, moderniste dhe postmoderniste. Së këndejmi dhe pikëvështrimet qëmtuese të tij janë një “zbulesë” gati sa hyjnore dhe një estetikë e kulluar e kristalore në botën e empirizmit të kritikës së letërsisë.
“Sot jetojmë në kohën e simulakrave dhe simulimeve, në epokën e hiperealitetit, kur banalja është bërë kategori estetike”, – ka konstatuar filozofi dhe kritiku i medias e letërsisë, Jean Baudrillard.
Letërsia nuk është në vëmendjen e këtij qytetërimi. Vendin e saj e ka zënë spektakli.
Prandaj dhe Rifati ka kërkuar me ngulm në disa esse të tij objektivizëm dhe pluralizëm idesh në rrafshin e krijimtarisë letrare.
“Pa këtë pluralizëm një kulturë dhe veçanërisht një letërsi s’e arrin dot lirinë elementare”, – konstaton mes të tjerash ai.
Së këndejmi dhe ai është kundër atyre që e ngatërrojnë ende letërsinë me ideologjinë, pasi që letërsia, në thelb, s’njeh ideologji, sepse qëndron me parimësi përmbi ideologjitë. Letërsia e mirë, në fakt, mund ta ketë shtresën aktuale, por ajo s’mjafton, kur veprës letrare i mungon shtresa universale. Letërsia nuk është gazetari. Letërsia e mirë u flet të gjithë kohërave dhe të gjitha shtresave të shoqërisë. Madje-madje, ajo u flet edhe lexuesve që ende s’kanë lindur, pra ardhmërisë…
E pikërisht këtë punë po e bën shkëlqyeshëm krijuesi erudit Rifat Ismaili, i cili, si MISIONAR në fushën e letërsisë, i ka thyer gjitha limitet përkufizuese të kohës dhe hapësirës, duke depërtuar kështu gjenealisht në majat e piramidës së panteonit të letërsisë…

Please follow and like us: