TAHIR XHUVANI, DËSHMORI TRIM QË RA PRANË KALASË HISTORIKE TË BORSHIT
(Me rastin e 105 vjetorin e lindjes dhe 81 vjetorin e rënies në fushën e nderit PRANË KALASË SHEKULLORE TË Borshit historik, të dëshmorit të shquar të LANÇ-it Tahir Reiz Xhuvani (12.3.1920 në Fushëbardhë dhe rënë më 15.4.1944), dhe 80 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin, ndërkohë që eshtrat e dëshmorit Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu që të dy kushërinj preheshin deri para gjysëmshekulli në kodrën-xhami të Fushëbardhës ndërkohë që pas viteve ’70-të të shekullit të kaluar dhe në vijimësi prehen në varrezat e dëshmorëve në Gjirokastër. Tahir Xhuvani është i shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Gjirokastër si dhe është njohur sipas paramentrave e standardeve zyrtare shtetërorë pranë Ministrisë së Mbrojtjes);
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Tahir Xhuvani ishte lindur në Fushëbardhë të Gjirokastrës më 12 mars të vitit 1920 (dhjetë ditë para ditës së Nevruzit në vitin e Luftës së Vlorës). Tahiri rridhte nga një fis i shquar dhe i vjetër i fshatit Fushëbardhë që jetonin me djersën e ballit sikurse gjithë bashkëfshatarët e tjerë. Profesioni i të parëve ishin blektorë dhe punonin ato pak toka që kanë pasur në Fushëvërri përbri lumit të Kalasës në Delvinë, në vendin e quajtur “Bregu i Xhuvane”. Tahiri u mëkua dhe u rrit me historitë e njohura të fisit Xhuvani/Shehu/Poçi. Me Shehajt gjithë Xhuvanajt mbaheshin si “kushërinj të parë”, si të një gjaku dhe të një zjarri në vatër. Edhe pse duhet thënë ndarja e këtyre dy fiseve ka ndodhur në momentin kur Sali Shehu i parë u shkollua në vendet lindore dhe që kishte marrë një kulturë të gjerë teologjike dhe që dinte pesë gjuhë të huaja, si dhe udhëhoqi teqenë në Fushëbardhë deri në momentin kur erdhi shkatërrimi dhe djegia barbare e andartëve grekë e librave, bibliotekës, shëmimeve dhe kulturës e trashëgimisë historike, edhe pse kurrë nuk mundën ta shuanin shqiptarizmën. Babai i Tahirit, Reizi dhe nëna Havaja gëzonin respekt në fshat dhe në krahinë. Ata shquheshin për njerëz të dashur e punëtorë dhe mbi të gjitha ishin bukëdhënë si i thonë në Labëri. Ata rronin me punën e djersën e tyre, ndërkohë që të parët e oxhakut të Xhuvane ishin shquar në historinë e fshatit, të Krahinës dhe të mbarë Labërisë. Tahiri i vogël i dëgjonte historitë e trimërisë dhe rritej me dashurinë për vendlindjen si dhe me ndjenjën e drejtësisë dhe respektit për njerëzit. Kështu ai u arsimua në disa klasë fillore të shkollës së kohës shkollë që ishte krijuar nga Nexhip Çarçani dhe mbështetur nga Dervish Mehmet Golemi që në vjeshtën e parë të vitit 1907, vit kur u themelua shkolla e parë shqipe e Fushëbardhës. Me kushëririn e parë Alem Shehun kishte koinciduar të ishin lindur në të njëjtin vit, ishin si të thuash vërsnikë, ishin rritur bashkë, në shkollë bashkë në jetë bashkë dhe koha i hodhi bashkë edhe në llogoret e luftës për idealet e lirisë dhe po në të njëjtën ditë edhe ranë pranë njeri tjetrit pranë mureve të kalasë së Borshit historik, bashkë ishin varrosur atë ditë prilli të vitit 1944, bashkë sërish edhe në varroshin monumental tek kodra e xhamisë dhe po ashtu bashkë përjetësisht në varrezat e Dëshmorëve të Gjirokastrës. Në moshë të vogël Tahiri kishte mësuar edhe për trimëritë e disa nga luftëtarët e kapedanët e shquar të Fushëbardhës dhe mbarë Labërisë sikurse ishte Habip Xhuvani, që kishte rënë në luftimet e përgjakshme bashkë me Bajo Kazon e parë në vitin 1854 në Mecovë, Vilajeti i Janinës. Nga ana tjetër edhe Skëndo Xhuvani e derdhi gjakun për Atdhenë më 1878 në fushën e Palavlisë bashkë me dëshmorë të tjerë. Mendja e Tahir Xhuvanit të vogël po rritej e piqej shpejt bashkë me shtatin e tij. Llabanja e sharku/bërruci nuk ju ndanë ndërkohë që mësoi parmëndën, punonte në ara si bujk, por nuk përtonte edhe punëve të malit si blektor, në traditën e të parëve. Në fshat Tahirin e donin sepse ishte djalë i urtë e punëtor, por dhe i hedhur dhe i gjindshëm në çdo kohë. Pa mbushur të pesëmbëdhjetat ndihej i rritur dhe i burrëruar, që merrte përsipër egjithëfarë punësh edhe përtej moshës së tij. Arsimimi në vendlindje në Fushëbardhë ishte i kufizuar si për gjithë bashkëmoshatarët. Për kohën e mobilizimit ushtarak, “detyrën për shtetin” e kohës nuk ka shumë të dhëna nga kërkimet e deritanishme. Krahas punëve në fushë e në mal mësoi sikurse gjithë djemuria e fshatit zanatin e përdorimit perfekt të armës, që do ti shërbente në luftë kundër pushtuesve. Ndërkohë që epopeja e trimërisë do të vijonte edhe për Xhuvanajt gjatë LANÇ-it. Habip Xhuvani, Skëndo Xhuvani, Shuko Xhuvani ishin pjesë e formacionit luftarak të batalionit teritorial që u krijua më 13.4.1943 në Cepo “moj ballëlartë,/të mbiu lufta në prag/luftë ditë e luftë natë”, që komandohej nga komandanti i batalionit Karafil Bello dhe zv/komandant Nexhip/Xhipe Kozaku. Vetëm nga Fushëbardha në këtë batalion kishte 72 luftëtarë: 72 luftëtarë: Karafil Bello, Zano Shehu, Sami Golemi, Rushit Golemi, Ali Proda, Axhem Muho, Avni Bello, Asllan Nora, Zenel Bello, Bastri Bello, Tafil Lagji, Kasëm Golemi, Mehmet Lagji, Baxhul Nora, Lesko Nora, Çete Nora, Destan Nora, Boro Zani, Brahim Miho, Boço Muho, Hodo Basho, Çobo Miho, Çaush Kondi, Idriz Stefani, Nishat Çarçani, Hazis Çarçani, Xhelo Çarçani, Jonuz Çarçani, Kanan Muho, Kajtaz Onjea, Kudret Veliu, Birçe Basho, Laze Caca, Merko Zani, Mehmet Kondi, Maliq Cama, Mato Mato, Musa Muho, Manxhar Muho, Mitat Baho, Musto Zani, Namik Veliu, Nimet Veliu, Qek Cama, Razi Veliu, Dino Meçani, Ferik Shalari, Ferjat Zani, Ferdi Veliu, Gusho Muho, Gjolek Shalari, Hariz Nora, Harrem Gjeçi, Hair Shalari, Hasko Kazo, Hajrulla Çarçani, Habip Xhuvani, Ramiz Cama, Sedat Veliu, Sadedin Bineri, Sejdo Shkurti, Sadik Cama, Serjan Muho, Sulçe Kondi, Sali Basho, Skëndo Xhuvani, Shuko Xhuvani, Shuquri Këndeci, Veli Nora, Veiz Onjea, Xhevdet Baho, Zubo Proda, Zeko Basho. Tahiri kur ishte 19 vjeç më 7 prill 1939 erdhi përsëri pushtuesit italianë. Në shpirtin e zjarrtë të Tahir Xhuvanit ziente lufta, ngritja krye dhe rrebelimi kundër pushtuesit. Prandaj edhe ai ka qenë në radhën e parë të djalërisë së Fushëbardhës për ta shporrur fashizmin nga vatrat tona.
Nëpër rrënjët e fisit fushëbardhas “Xhuvani/Shehu/Poçi”
Tahir Xhuvani bën pjesë në ato figura të shuara të antifashizmit shqiptar, pasi ka rrënjë të thellë atdhetarie nëpër shekuj. Gjyshi i Tahir Xhuvanit ka qenë Shemsho Xhuvani një ndër burrat më të njohur të Fushëbardhës dhe krahinës. Ishte fakt se njerëzit më të afërt të Shemshos kishin luftuar në të katër luftrat e Fushëbardhës për të ruajtur trojet shqiptare në Vilajetin e Janinës (më 1854, 1878, 1897, 1913-1914). Shemshua kishte dy djem Reizin dhe Myslimin. Djali i madh i Shemshos, Reizi kishte katër fëmijë dy djem, Shuko Xhuvanin dhe Tahir Xhuvanin, si dhe dy vajza: Kanakaren e cila ka qenë martuar në fisin Korbeci të Kolonjës (fisi i njohur i Shane Korbecit) dhe Hada martuar në Shalaraj me Hariz Shalarin. Reiz Shemsho Xhuvani ka qenë martuar dy herë, në martesën e parë nga fisi i Osman Camës kishte lindur dy fëmijë, Shukon dhe Kanakaren; por pasi ndërroi jetë e shoqja gruaja e parë nga fisi Cama, është martuar me Hava Haluli nga fisi Halulaj të Kardhiqit, ndërsa me shtëpi kanë qenë aty ku janë edhe aktualisht Xhuvanajt në Fushëbardhë. Reizi dhe Havaja sollën në jetë Tahir Xhuvanin më 12 mars 1920 (që ra dëshmor në Borsh) si dhe një vajzë, Hada, e cila ka qenë martuar me Hariz Shalarin. Sikurse thamë Tahiri bashkë me kushëririn e tij të parë Alem Shehu, birin e Zano Shehut dhe Bedries ishin një e të pandarë kudo më mal dhe në fushë. Zanua kishte tre djem e dy vajza. Gjyshi i Alem Shehut ishte Sali Shehu, klerik i njohur i Fushëbardhës, ose “Sheh Sali Shehu”, titull nderi i dekretuar/ i trashëguar përmes rrugës shpirtërore në shërbim të njerëzve. Për Sheh Saliun deviza ishte “Atdheu dhe feja”, dhe i përket rreth viteve 1800, kohë kur Xhuvanajt dhe Shehajt kanë qenë të një oxhaku dhe pak më thellë në histori edhe fisi “Poçi”. Ishte periudha kur Sheh Saliu e ktheu mbiemrin nga “Xhuvani” në “Shehu”, një llagap 220 vjeçar, por ngelen përjetësisht “kushërinj të parë”, ku përtej legjendës qëndron e vërteta se gjyshi i Alemit, Sheh Saliu kishte një bibliotekë të madhe me libra teologjikë, historikë e shkencorë, që u vuri flakën greku ushtria dhe andartët (ushtarë të veshur civilë në formën e bandave plaçkitëse). Në Fushëbardhë dhe fshatrat përreth kanë mbetur mjaft të dhëna bisedore dhe mbi të gjitha të dhënë e këngë që lartësojnë figurën e burrave dhe grave të Fushëbardhës dhe të mbarë Labërisë. Tahir Xhuvani erdhi në jetë rreth dhjetë ditë përpara ditës së Nevruzit në mars më 13 marsin e vitit 1920. Ai erdhi në jetë rreth dy muaj para Alem Zano Shehut, në vitin famëmadh për shqiptarët sepse kishte përfunduar Kongresi historik i Lushnjës dhe po përgatitej Lufta e Vlorës, ku mori pjesë edhe Fushëbardha me 78 luftëtarë. Në Vlorë shkruhej trimëria, heroizmi, lufta për mbrojtjen e truallit, të jetës dhe të familjeve me çeta fshatçe dhe më gjerë. Kënga në Fushëbardhën e Alem Shehut shprehte lashtësinë “jemi këtu në vendin tënë,/ që pa lerë diell e hënë..” dhe më tej edhe sot në Fushëbardhë këndohet një këngë domethënëse që flet fort për pjesëmarrjen e në betejat e historisë dhe gjaku i derdhur në mbrojtje të truallit arbëror. Kënga për Luftën e Vlorës për çetën e Fushëbardhës, thotë: “…merri Vlorë bijtë tanë,/ shtatëdhjetë e tetë jataganë”.
Në Fushëbardhë “hyri një çetë partizanësh, por dhe Tahiri me tre partizanë të BrVISulmuese”
Në rreshtat e dedikuar dëshmorëve dhe pikërisht dëshmorit të Fushëbardhës dhe të gjithë Shqipërisë ka edhe një pjesë biografike në formë skice që po e sjellim të plotë të shkruar përpara gjysëm shekulli nga shkrimtari fushëbardhas Resul Bedo, Yje të Pashuar, Vëll. II, faqe 123: “Ajo ishte vetëm në shtëpi. Djali kish dalë që herët e s’qe kthyer. Nëna Havaja pasi pregatiti drekën, u ul në qoshe, pleksi një cigare, e ndezi dhe filloi ta thithë mendueshëm. Tre netë më parë kish pasur miq në shtëpi. Ishin katër partizanë. Kjo s’qe ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme për shtëpinë e saj. Ajo, qysh në fillim të luftës kishte pritur e kishte përcjellë partizanë. Por, në mes të miqve të tri netëve të shkuara, nëna Havaja kish takuar edhe një djalë të vogël që s’dukej t’i kish kaluar të katërmbëdhjetat. Djali dukej i drojtur. Gjatë gjithë kohës që qe biseduar rreth vatrës, djali kishte heshtur. Nëna Hava e kish pyetur për familjen. Historia e trishtuar e jetës së tij e preku shumë. Ajo qe përpjekur ta ngushëllonte, por s’kish bërë tjetër veçse kish sharë e mallëkuar armiqtë e egër që i kishin djegur prindërit partizanit të vogël. Dhe pastaj i kish thënë: Zjarri që dogji prindrit e tu, o bir, do të përvëlojë gjithë armiqtë e mallëkuar që na i gjakosën shpirtin. Dhe ti s’do të jesh jetim. Jo, për prindër kam dhe do të kem kurdoherë shokët e luftës, moj nënë, kish ndërhyrë djali pa e lënë të mbaronte fjalën nëna Havaja. Dhe plaka po mendonte për atë djalë. Në fshat u ndjenë krisma armësh dhe pak më vonë buçiti kënga. Nëpër dyert deshtëpiave njerëzit dolën të shihnin. Në Fushëbardhë hyri një çetë partizanësh. Fushëbardhasit pritën bijtë e vet. Edhe nëna Havaja doli tek dera të shihte. Tek qoshja e rrugës pa të birin, Tahirin, që vinte me tre partizanë. Kishte kaluar një kohë e gjatë që kur nëna s’kish parë të birin, djalin e vetëm, që i shoqi ia kish lënë fëmijë e që qe bërë burrë. Ndofta dhe s’kishin kaluar shumë muaj që kur bashkë me çetën partizane qe larguar dhe i biri, qe hedhur në luftë. Po asaj i dukej se një kohë e gjatë kish shkuar që kur u nda nga i biri. Çdo partizan që kish pritur e përcjellë, e kish pyetur për të birin. Ata që e njihnin i kishin thënë se luftonte në radhët e Brigadës VI S, se ish treguar trim në shumë përpjekje me armikun. Nënës i gëzohej zemra nga fjalët e mira që dëgjonte për të birin dhe e pushtonte malli. Shpesh, pasi mbaronte punët e shtëpisë, delte në prag të derës, ulej mbi një gur të madh që kish zënë vend prej kohe aty, në anë, dhe, me parandjenjën se do ta takonte, e priste me orë të tëra. Një ditë pa se në rrugën që çonte në shtëpinë e saj, ecnin dy partizanë. Njëri nga ata iu duk si i biri, ndaj s’e mbajti dot thirrjen: Tahir, bir i nënës! Partizanët ecnin drejt shtëpisë. Plakës i qe mjegulluar vështrimi nga lotët dhe nuk i dallonte mirë më dy partizanët që i afroheshin.- Bir o bir, sa më ka marrë malli! shkriu në këtë thirrje gjithë ankthin e dashurinë dhe doli nga oborri. U ndal. Asnjëri nga ata që u dhanë tek dera e gardhit atë çast nuk ishte i biri. Buzëqeshja ngriu mbi buzë dhe ashtu e qeshur iu drejtua: Mirësevini, o bij të nënës! Nga kështu? Pa ejani brënda në shtëpi! Pas partizanëve në shtëpi hyri kryetari i këshillit të fshatit dhe pas tij disa burra e gra. Ç’ka ndodhur?! – pyeti e tronditur kur pa se në dhomë u mblodhën burra dhe gra nga fshati. Tahiri u vra në Borsh pranë Fterrës në përpjekje me armikun, o nëna jonë, i tha njëri nga partizanët. Plaka u mpi. Gati s’po e kuptonte atë që dëgjoi. Në fytyrën e saj të rreshkur, dalëngadalë ra një hije e zymtë.- Si trim u vra, ndërhyri partizani tjetër me një zë plotë dhimbje. Nëna Hava ia mbërtheu sytë djalit që sapo foli dhe vështrimi i tij sikur e përmëndi. Tahir, o bir, sa më kish marrë malli! vetëm kaq mundi të thotë dhe sytë iu njomën. Dy partizanët që sollën lajmin e rënies së Tahirit, u çuan, u përqafuan me nënën e dëshmorit dhe u larguan. Nëna Hava u ul në qoshe. Kryetari i këshillit i dha një cigare dhe i tha: Mbahu e fortë, Hava. Yt bir ra si trim. Populli dhe shokët s’kanë për t’i harruar kurrë bijtë që po japin jetën për vatanin. Ajo thithte fort cigaren. Iu kujtua koha kur e nisi të birin në luftë. Disa herë ish takuar deri jashtë oborrit. Pastaj qe kthyer në shtëpi, qe ulur atje ku ndodhej dhe…Kaq mbante mend. Kaluan javët dhe atë e kish djegur malli për të parë djalin, të vetmin djalë që kishte. Luftime shumë të ashpra u bënë në Borsh dhe në afërsi të Fterrës. Aty mbeti duke luftuar trimërisht edhe Tahiri, po i fliste kryetari i këshillit nacionalçlirimtar të fshatit (Nishat Çarçani). Plakës iu kujtua partizani i vogël që kish mbetur pa prindër dhe fjalët e tij: “Për prindër kam e do të kem kurdoherë shokët e luftës, moj nënë..” Dhe, pas heshtjes së gjatë, foli: Të gjithë bijtë e popullit janë edhe të mitë. Edhe unë s’jam nënë e shkretë. Mblodhi forcat dhe nisi të këndojë ashtu si dinë nënët labe t’i këndojnë trimave që mbeten në luftë: “I the syrit: njihe hasmin!/i the gishtit: hiqe çarkun!/i the zemrës: derdhe gjakun!/ Tahir, o zemëro, /Bir, o djalë i nënëso”. Ndërkohë që kënga për dëshmorët nuk do të rreshti kurrë: “Alem Shehu me Tahirë (Xhuvani),/Të dy Kushërinj të parë, Për Atdhe e për Lirinë,/ Në Borsh jetën e dhanë. Janë vargjet e shkëputur nga kënga “Dymbëdhjetë yje të rrallë të Fushëbardhë” të kënduar nga të rinjtë e fshatit në vitin 1975 marrës Natasha Kapo, Kthyes Maksi Onjea dhe hedhës Habib Maçi; dhe nga të dhënat kënga është shkruar nga ish drejtori i shkollës së fshatit Tamaz Kondi, por këngë për dëshmorët ka shkruar dhe Zeqir Cama. Të dhëna për çdo familje partizane të fshatit më mirë se kushdo tjetër i kanë njohur Këshilltarët dhe Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar në Fushëbardhë i cili u krijua në 10 nëntor 1942 menjëherë pas Konferencës së Pezës dhe që kishte në përbërje të tij këta këshilltarë Nishat Çarçani, Kasëm Golemi, Dino Meçani, Zylfo Proda dhe Shuquri Këndezi.
*
Epope trimërie e Tahir Xhuvanit dhe Alem Shehut në frontin antifashist të çlirimtarëve
Për të shkruar epopenë e çlirimtarëve nga djemtë e Fushëbardhës nuk mund të ndajmë dy kushërinj të parë Tahir Xhuvanin dhe Alem Shehun. Që të dy u rritën dhe burrëruan dhe kishin vetitë më të mira të luftëtarëve të Labërisë, veti që i trashëgonin nga vatra familjare. Tahiri dhe Alemi e kërkonin me ngulm aktivitetin, punën në mal dhe në fushë, nuk i ndante asgjë por dhe nuk i ndalte asgjë. Janë të njohura në një farë mënyre një bashkëbisedim fisnor, por shkonte përtej oxhakut familjar, pasi ishte përhapur në gjithë Fushëbardhën, pasi ishte kptimplotë që Tahir Xhuvani pyeste kushëririn dhe vëllamin e tij Alem Shehun, që kishte braktisur shërbimin ushtarak në Ulqin. Ja si është trashëguar vargëzimi në gojëdhënën popullore: “Ku i ke armët Alem trimi?/ I kam varur në degë të ullirit, /Dritë t’i bëjnë gjithë Ulqinit..”. Tahirin dhe Alemin i thirri zëri i brendshëm i ndërgjegjes kombëtare, zëri i sinergjuar kundër fashizmit, për t’u bërë shpresë për mëmëdheun që ishte pushtuar më 7.4.1939. Pas shërimit nga një plagë që mori Alem Shehu në shpatull, Tahiri dhe Alemi u përbashkuan përsëri për idealet e larta të lirisë. Vrapin e lanë në Cepo dhe luftoi krahas bashkëfashatarëve dhe bashkëkrahinorëve të krahinës së Kardhiqit në radhët e batalionit territorial që komandohej nga trimi dhe bashkëfshatari i tij Karafil Bello, një trim që luftonte në këmbë, një trim që kishte zbritur nga burgu i “7 dritareve” në Gjirokastër si askush më parë. Fakt është se ai zbriti bashkë me Zeman Xhuvanin (që e ekzekutuan rojet fshaiste italiane të burgut gjatë arratisjes, ndërkohë që Karafili mundi të arratisej edhe pse u plagos me një plumb në thëmbër të këmbës dhe që me gjakun e tij leu rrugët e kalldrëmta të Gjirokastrës e deri sa mbriti në Cepo. Tahir Xhuvani ishte rritur e burrëruar dhe idealet e tij tashmë ishin të qarta por edhe bindjet të pandryshueshme. Lufta kundër fashizmit ishte kthyer në një formë që po rritej përditë dhe ishte bërë si të thuash imediate e kohës. Tahiri ishte ndër partizanët e parë pjesë e formacioneve luftarake të çetës emërndritur në histori “Çerçiz Topulli”, të batalionit partizan “Asim Zeneli” etj. Tahir Xhuvani përjetoi momentet kur më 7 gusht 1943 tek rrepet e Kardhiqit e Prongjisë u formua batalioni partizan “Asim Zeneli”, ku nga Fushëbardha në këtë batalion bënin pjesë Tahir Xhuvani, Alem Shehu, Siri Çarçani, Baxhul Nora, Bexhet Shalari, Cirok Cama, Elmaz Zervoi, Emro Kondi, Hariz Shalari, Islam Poçi, Kutbi Gjeçi, Latife Nora, Lulo Nora, Muho Duka, Mevlut Veliu, Nishat Kondi, Beqir Kondi, Nimet Veliu, Qazim Baho, Sami Golemi, Xhezo Proda, Ziadin Çarçani dhe Fidai Veliu i cili pas disa muajsh kaloi me forcat e tjera, si rrjedhojë e një situate komplekse luftarake në Borsh e Fterrë dhe më konkretisht në momentet kur ju vranë dy bashkëfshatarët e tij Tahiri dhe Alemi. Me rritjen e fuqizimin e luftës partizane dhe pas krijimit të formacioneve të më të mëdha partizane, Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu u bë pjesë e luftëtarëve të batalionit të dytë të BrVIS. Edhe në këtë formacion luftarak në batalionin e dytë partizan Tahir Xhuvani ishte bashkë me Alemi Shehun si dhe disa bashkëfshatarë të tjerë. Urdhëri luftarak i SHP të UNÇSH, e dërgon BrVISulmuese për të luftuar në rajonin e bregdetit, dhe për rrjedhojë edhe Tahir Xhuvanin dhe Alem Shehun. Ata nuk e dinin se këtu në bregdetin Jonian do të ishte edhe fundi i rrugëtimit jetësor të dy kushërinjve fushëbardhas. Në kalanë e Borshit ishin vendosur garnizon i përforcuar këmbësor dhe mortajash të fashistëve gjermanë. Nga historia e LANÇ-it mësojmë se në bregoret e fshatit Fterrë, ishte vendosur komanda e batalionit të dytë partizan, ndërsa në pozicion luftimi një kompani partizane që kishte disa djem partizanë nga Fushëbardha dhe jo vetëm. Ishte mesprilli i vitit 1944, ku fashistët dilnin nga kështjella dhe ndërrmerrnin sulme në drejtimin Borsh dhe drejt fshatit Fterrë, kundër forcave partizane për të shuar lëvizjen dhe luftën partizane. Aty në pozicion luftimi qëndronin në krah të njeri-tjetrit dy kushërinj të parë Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu. Qëndresa partizane ishte mjaft e fuqishme. Luftonin dhe nuk tuteshin nga pozicionet e luftimit djemtë e Labërisë dhe më gjerë. Nazistët gjermanë u zbrapsën disa herë dhe në çastin e fundit kur partizanët i kishin vënë përpara me sulm pushtuesit një predhë mortaje zbriste me një tingull rrënqethës ulëritës, dhe që shpërtheu ndërmjet dy luftëtarëve, ndërmjet dy kushërinjve nga i njëjti fshat me emër Fushëbardhë, predhë që ua preu jetën në mes. Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu jetuan vetëm disa orë pasi plagët i kishin mjaft të rënda dhe të thella. Nuk është e rastit që kjo ngjarje e rëndë ka hyrë edhe në historikun e Brigadës së gjashtë sulmuese, Tiranë, 1989 në faqen 125: “..forcat gjermane të ndodhura nën kërcënimin e rrethimit të plotë, pas një qëndrese të dëshpëruar dhe pasi dogjën materialet, që nuk mund të merreshin, u detyruan të tërhiqen në Sarandë. Gjatë këtyre luftimeve armiku la 13 të vrarë dhe shumë të plagosur. Në luftimet e brigadës u vranë partizanët Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu nga Fushëbardha. Batalioni pa u ndalur spastroi të gjitha fshatrat e bregdetit nga forcat armike dhe i detyroi ato të përqëndroheshin në Spile dhe në Dukat”. Edhe pse djemtë partizanë të Fushëbardhës ranë në fushën e nderit në Borshin historik në bregdet, idealin e lirisë, idealet e tyre i vijuan shokët e tyre, partizanët e Brigadës së gjashtë sulmuese, që me plotësisht të drejtë është shpallur “Brigadë Hero i Popullit”. Fakt është se pas vrasjes së tyre pranë kalasë së Borshit, të dy partizanët Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu u përcollën me nderim nga shokët e tyre, mes bataresë së pushkëve kun ë bazë të dhënave që të dy dëshmorët e Fushëbardhës janë edhe të Borshit, edhe të Fterrës, janë dëshmorë të të gjithë Shqipërisë dhe në fakt janë varrosur tre herë, varrimi i parë nga shokët, varrimi i dytë është bërë në qendër të fshatit në kodrën-xhami ndërsa varrimi i tretë është bërë para rreth gjysëmshekulli duke i çuar eshtrat e tyre të prehen përjetësisht në Varrezat e Dëshmorëve të Gjirokastrës (një ndër 36 varreza dëshmorësh që ka Shqipëria). Të dhënat gojore të trashëguar brez pas breza nga ish dëshmimtarë okularë të fshatit flasin se mbas vrasjes së Tahirit dhe Alemit drejtuesit e kompanisë dhe batalionit e brigadës patën debate të ashpra për pozicione të pafavorshme dhe të pafavorshme të pozicioneve të zgjedhura, ndërkohë që bashkëfshatarët e tyre mendonin se pozicionet e tyre duhet të ishin më të mirëmenduara. Kjo çoi në kontradikta të thelluara veçanërisht pas vrasjes së dy partizanëve fushëbardhas. Edhe pse problematika më tej gjeti mirëkuptim e zgjidhje tre luftëtarë fushëbardhas Fidai (Fido) Veliu, Llano Golemi e Rrapo Kongoci shkuan me formacione të tjera luftarake. Nga të dhënat skedës së dëshmorit gjejmë se “Tahir Reiz Xhuvani, lindur më 12.3.1920 në Fushëbardhë dhe rënë më 15.4.1944 pranë fshatit Borsh (pranë kalasë së vjetër) të Sarandës në moshën 24 vjeçare. Shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër. Eshtrat e tij preheshin në Varrezat e Dëshmorëve në Gjirokastër.
*
BrVIS brigade e heroizmit partizan e Tahir Xhuvanit dhe Alem Shehut
Brigada e Gjashtë Sulmuese është një ndër brigadat e shquara partizanëve gjatë LIIB, është edhe brigada qe kanë pasur edhe disa dem dëshmorë të fshatit të Fushëbardhës. Fakt është sxe është një copëz e historisë së luftës çlirimntare të shqiptarëve, është rrugëtimi historik i përgjakjes me fashistët, e partizanëve dhe dëshmorëve të paepur. Forca, vitaliteti dhe trimëria partizane shpaloset edhe në këngën e shkruar nga Zini Sako, “Marrshi i Brigadës së Gjashtë Sulmuese” thuhet: “..Shpresë e madhe kjo brigadë,/ Për çlirimin e Shqipërisë,/Ylli i ndritur dhe i zjarrtë,/Për dërrmimin e skllavërisë..”. Brigada e VI-të Sulmuese ishte ndër brigadat e Frontit Nacionalçlirimtar gjatë LIIB në Shqipëri, e cila u themelua nga batalioni “Asim Zeneli” i krijuar në rrepet e Kardhiqit e Prongjisë më 7.8.1943, batalioni “Baba Abaz” krijuar në Kalivaç të Tepelenës më 10.8.1943, batalioni “Naim Frashëri” në Garzema të Përmetit më 21.9.1943, batalioni “Abaz Shehu” i krijuar më 12.12.1943 në Fushbardhë, pas ndarjes së batalionit “Asim Zeneli”, ndërkohë që batalioni i pestë ishte batalioni partizan “Zaho Koka” (heroi që ra në qershor 1944). Partizanët e këtyre batalioneve kishin me përvojë të gjatë luftarake pasi kishin marrë pjesë në luftimet në Cepo, Ura e Kardhiqit, Libohovë, Shkallë të Zezë, Tepelenë, Mezhgoran, Kiçok, Rrëzomë, Kurvelesh, Mesaplik etj. Brigada e VI Sulmuese “Heroinë e Popullit”, numëronte 912 partizanë, 120 vajza e gra, 60 ponierë lufte, me efektiv që shkoi deri në 1700 luftëtarë. Drejtuesit e brigadës e shkruan biografinë e tyre me luftime të përgjakshme, të sukseshme. Në kohën e krijimit BrVIS kishte: komandant Tahir Kadareja, nënkomandant Jaho Gjoliku, komisar Mustafa Matohiti, zv/komisar Haki Toska; Rruga luftarake e Br6S ishte e lavdishme dhe heroike, pasi përshkroi 3500 km, i shkaktoi armikut qindra të vrarë, robër e të plagosur; kapi mijëra pushkë e automatikë, qindra mitraloza, topa e mortaja dhe me shumicë municione, veshmbathje etj. Brenda vendit shkoi në 10 prefektura, 32 krahina, çliroi 8 qytete e i dha atdheut 220 dëshmorë, nga të cilët 10 janë dëshmore. 53 dëshmorë ranë jashtë kufijve administrativë shqiptarë. Veprimtaria luftarake e BrVIS ishte plotësisht e suksesshme, madhore në interes të kombit, atdheut, shteteve fqinje dhe koalicionit, ndaj u nderua me dekoratën më të lartë dhe plotësisht të merituar “Hero Populli”. Brigadës partizane ju ngritën himne, këngë, vjersha, poema etj. Është e vetmja brigadë partizane për të cilën është ngritur epope me titull: “Vij nga Vjosa,/ më pret Buna”: Brigada që tundi dhenë,/ në popull ngriti folenë,/ atje jataku dhe shpirti,/ ndaj lavdinë lart e ngriti… Për kombin, tokën e lashtë,/ Grusht çelik Brigada e gjashtë,/në beteja, fushë dhe mal,/ ngriti flamurin shqiptar…Dil nëno dhe shiko jashtë,/ si lufton Brigada e gjashtë…Trimat tanë të Shqipërisë,/sollën dritën e lirisë,/ në këtë tokë plumb të rëndë,/ me mençuri, pushkë dhe këngë… Brigada e Gjashtë Sulmuese është vlerësuar si brigada epope lavdie e LANÇ-it, që luftoi 308 ditë lufte në Shqipëri dhe 371 ditë të tjera lufte në ish-Jugosllavi. Luftëtarët e brigadës së gjashtë mbajtën lart flamurin e lirisë dhe çlirimit dhe plotësuan më së miri idealin e të gjithë të rënëve në fushëbetejat e luftës, përfshi edhe idealin e partizanit fushëbardhas Tahir Reiz Xhuvani. Tahiri ishte lindur dhjetë ditë përpara ditës së Nevruzit më 12 Mars e vitit 1920 në Fushëbardhë, u rreshtua në çeta, batalione dhe kur u krijua BrVIS në 26.1.1944, atë ditë që “u gdhi me këngë por u ngris me luftë”, Tahiri dhe Alemi ishin caktuar në batalionin e dytë të Brigadës. Thonë se kur u plagosën rëndë djemtë e Fushëbardhës rënkuan dhe vetë malet, por përtej folklorizmave dhe ideologjizmave lufta çlirimtare ishte bindje e brendshme e shqiptarizmës, prandaj idealet e lirisë dhe çlirimit janë të përputhshme me ndërgjegjen kombëtare. Fakt është se Alem Shehu u plagos rëndë në Fterrë më 15 prill 1944 dhe vdiq disa orë më vonë rrugës për spitalin partizan të Kuçit e më tej drejt Fushëbardhës. Alem Shehu është i shpallur dëshmor i atdheut me Vendim nr.65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Gjirokastër dhe prehet në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës.
*
Burime studimi: Resul Bedo, Yje të Pashuar, Vëll. II, faqe 123-126; Historiku i BrVIS, Tiranë, 1989, faqe 125;374, 375, nr 62, i dëshmorëve të BrVIS të Batalionit II.; Dosja historike e BrVIS të përgatitur nga Departamenti i Historisë i AFA-së, Dokumente të ndryshe të MHK, të Muzeut të luftës në Gjirokastër, të ish-Muzeut të luftës të fshatit Fushëbardhë; të muzeut të Forcave të Armatosura në Bërzhitë, Tiranë; Grushtçelik Brigad’ e Gjashtë, Tiranë, 1973; Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm, Vëllimi II, Tiranë, 1976, faqe 130.; Resul Bedo, shkrimi “Tahir Reiz Xhuvani” shkruar në serinë e librave; Grusht çelik Brigadë e gjashtë, Tiranë, 1979; Sevo Tarifa, 912 shqiponja partizane formuan BrVIS, Gazeta telegraf.al. publikuar më 24.1.2014.; Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015.; Gojëdhëna për luftën e luftëtarëve të BrVIS janë marrë nga ish-bashkëluftëtarët e dëshmorit; AIU, dugj, T. 314/664, datë 11.9.1944.; AQSH, Fondi dokumentar i Brigadës së Gjashtë Sulmuese, viti 1944, dosja nr.6. ; AQSH, Fondi i BrVIS, kutia nr.1. dosja 6 viti 1944; Herman Frank, “Bandenkampfe in Albanien”, Heidelberg, 1957, faqe 91.; Të dhëna të marra nga bashkëluftëtarë ish partizanë të Brigadës së Gjashtë Sulmuese, që janë shkruar në gati gjysëm shekulli si Sevo Tarifa, Resul Bedo; Mit’hat Baho, Xhule Çiraku, Esat Golemi, Janul Dango, Jaup Dabulla, Xhemil Frashëri, Kapo Kapaj, Maliq Hashorva, Lame Çekani, Avni Gjoni, Zagoll Skëndaj, Petrit Mamaj, Arif Bizhga, Refik Kucaj, Xhelal Gjeçovi, Islam Poçi, Iljaz Peçi; Prof.As. Zaho Golemi, Dëshmorët e Fushëbardhës nder dhe krenari shqiptare, shkrime për dëshmorët e Fushëbardhës në Telegraf, Labëria, Ushtria, Mbrojtja, Revista Pavdekësia, Dielli në SHBA, në shumë portale si në Balkanëeb, Albspirit, dhe shumë të tjerë brenda dhe jashtë vendit.; Një histori e zgjeruar e BrVIS viti 1961; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Libri zyrtar në Republikën e Shqipërisë “Dëshmorët e Atdheut”, publikuar në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Tiranë, 2012, faqe 89;; gazeta “Flaka”, organ politiko-ushtarak i BrVIS; libri “Për popullin me popullin”, Tiranë, 1968; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, 2004-2014; Të dhëna nga përpjekja e parë për shkrimin e historikut të brigadës së gjashtë u bë që në vitin 1945; Periodiku i gazetës “Për Mëmëdhenë”, organ i Shoqatës Atdhetare për të Rënët e Kombit Shqiptar; Broshura: “BrVIS, 40 vjet 26 janar 1944-1985, përgatitur nga drejtoria kulturore (Muzeu Historik) i Përmetit”; Periodikë revistash e gazetash të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.