BOTOHET REVISTA “STUDIME PËR HISTORINË USHTARAKE” nr. 17 (2024) 2
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Revista është botim i Institutit të Studimit të Historisë Ushtarake (revistë e pajisur me ISSN: 2305-5073). Doli nga shtypi revista “Studime për Historinë Ushtarake” 17 (2024) 2. Ky numër i kushtohet tërësisht Sesionit Jubilar kushtuar “Jetës dhe veprës të President Alfred Moisiut” me me rastin e 95 vjetorit të lindjes 1 dhjetor 1929-1 dhjetor 2024.
Revisat pasqyron gjerësisht materialet e sesionit: nga Pëllumb Xhufi “Alfred Moisiu burrë shteti dhe figurë e shquar e politikës shqiptare; Bernard Zotaj “Alfred Moisiu, jeta dhe karriera e pasur e një ushtaraku dinitoz e të talentuar”, Sali Onuzi “Alfred Moisiu dhe Familja e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”; Mehmet Gëzhilli “-Alfred Moisiu, pasardhës i një Familjeje të shquar atdhetare dhe kulturore”; Zaho Golemi “Alfred Moisiu, pesonalitet i shquar i shkencës ushtarake dhe i ndërtimeve xheniere”; Teki Kurti “Alfred Moisiu, në fletët e arkivit të Forcave të Armatosura”; Skënder Bajraktari “Alfred Mosiu, për problemet e sigurisë dhe mbrojtjes”, si dhe një “Falënderim për pjesëmarrësit dhe organizatorët” nga Alfred Moisiu.
Një vend të veçantë në revistë zënë dhe përshëndetjet e bëra nga organizata dhe shoqata atdhetare kulturore të vendit si: Agim Çiraku nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”; Hamit Gojani nga Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë; Dr. Kujtim Çako nga Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve; Tatjana Parllaku Çarkaxhiu, kryetare nga OBVLP dhe Bujar Shtylla nga Shoqata “Detaria shqiptare”.
Në revistë pasqyrohet dhe material i përgatitur nga Bajram Ibraj “Mbi Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Policia e Shtetit”, që tregon për rolin e presidentit A. Moisiu, kur drejtonte shtein shqiptar.
Në fund revista pasqyron dhe disa nga urimet që President Moisiu ka marrë me rastin e 95 vjetorit të lindjes nga personalitete, akademik, profesor, ushtarakë dhe drejtues të shtetit Shqiptar dhe të Kosovës.
Nëpërmjet kumtesave të përgatitura me seriozitet del në dukje historia e jetës së President Moisiut që u ngjiz në mundin dhe përpjekje të jashtëzakonshme, por dhe me talentin, me forcën që i jep ndjenja e thellë e atdhetarizmit, pasioni i zjarrtë ndaj dijes, devotshmëria ndaj çështjes fisnike të ushtrisë, si dhe të përkushtimit me përgjegjësi ndaj detyrave të besuar në jetë.
Presidenti, si shumë burra të shquar të këtij populli, ka punuar në jetë me kritere të rrepta profesionale, në heshtje e me durim, duke filluar që me rreshtimin në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, për t’u përfshirë më pas në angazhime të rëndësishme dhe me përgjegjësi shumë të larta ushtarake, e duke kulmuar në postin e Presidentit. Ai ka trokitur në zemrën e çdo shqiptari të ndershëm mirësi dhe urtësi, ekuilibër dhe frymë pajtimi.
E gjithë jeta e Alfred Moisiut na tregon dhe vërteton përkushtimin ndaj detyrës, punën e palodhur të një atdhetari dhe ushtaraku shembullore, të një modeli frymëzues për të gjithë shqiptarët. Për këto dhe të tjera virtyte e cilësi të manifestuar në jetë, u shpalosën për herë të parë në këtë sesion jubilar, që ishte i veçantë dhe i zhvilluar për herë të parë nga Instituti i Studimit të Historisë Ushtarake.