Vdes Frank Wisner, ish i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet për statusin e Kosovës
Diplomati Frank G. Wisner, njëherësh ish i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet për statusin mes Kosovës dhe Serbisë, vdiq në moshën 86 vjeçare.
Familjarët e tij thanë se zoti Wisner vdiq për shkak të komplikimeve shëndetësore të shkaktuara nga kanceri.
Zoti Wisner ka qenë ambasador në disa vende si dhe ka mbajtur pozita të larta në korporatat amerikane.
Në vitin 2005, administrata e Presidentit amerikan George W. Bush e emëroi zotin Wisner si të dërguar të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për bisedimet për statusin e Kosovës, që çuan pastaj në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008.
Ai ishte përfaqësuesi amerikan i Troikës ndërkombëtare që ndërmjetësoi bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në prag të pavarësisë krahas diplomatit austriak Wolfgang Petrisch dhe diplomatit rus Alexander Botsan-Kharchenko për të mbështetur përpjekjet e ish Presidentit finlandez, Martti Ahtisaari për të negociuar një zgjidhje përfundimtare për Kosovën.
Ambasadori Wisner e filloi karrierën e tij diplomatike në vitin 1961 dhe shërbeu në pozita të ndryshme gjatë administratave të presidentëve Jimmy Carter, Ronald Reagan, George Bush, Bill Clinton dhe George W. Bush dhe Barack Obama. Ai ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Egjipt, Indi, Zambi dhe Filipine.
Emërimi i tij si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, erdhi gjashtë vite pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe vendosjes së saj nën protektoratin ndërkombëtar. Në atë kohë, Kosova administrohej nga një mision i OKB-së, ndërsa sovraniteti i saj mbrohej nga misioni paqeruajtës i NATO-s.
Si pjesë e këtyre përpjekjeve dhe negociatave gati dyvjeçare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u hartua i ashtuquajturit Plani Ahtisaari, që i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, në këmbim të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve pakicë.
Edhe pas përfundimit të misionit të tij në Kosovë, Ambasadori Wisner vazhdoi të vëzhgonte situatën në Kosovë dhe rajon. Në intervistën e tij të fundit për Zërin e Amerikës në gusht të vitit 2022, ambasadori Wisner nënvizoi qëndrimin e përbashkët të Perëndimit për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por paralajmëroi se njohja e Kosovës së pavarur nga Serbia nuk do të ishte e shpejtë.
Në një intervistë në vitin 2019 për Zërin e Amerikës, ambasadori Wisner e kishte quajtur idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë si “jorealiste”, duke theksuar se ajo nuk kishte mbështetje të mjaftueshme politike dhe të publikut në Kosovë dhe Serbi dhe se zgjidhja mes dy vendeve duhej të kërkohej përmes një integrimi të rajonit në Bashkimin Evropian.
Ai kishte bërë thirrje edhe për një angazhim më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në rajon, duke paralajmëruar për një rritje të ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.
“Miqtë e mi rusë nuk ofrojnë burime për rajonin. Ata janë destabilizues. Ata duan të kenë një zë, por nuk ofrojnë asgjë. Ajo që duhet të ndodhë është një bashkëpunim më i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe rajonit dhe mënyra më e mirë është që kjo të bëhet përmes një bashkëpunimi më të intensifikuar ekonomik dhe zhvillimit ekonomik”, kishte deklaruar ai për Zërin e Amerikës.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u shpreh e pikëlluar me lajmin për vdekjen e diplomatit Frank G. Wisner.
“Si i dërguar i SHBA-së gjatë negociatave për statusin e Kosovës, ambasadori Wisner luajti një rol kyç në avancimin e rrugës sonë drejt pavarësisë. Mençuria, integriteti dhe mbrojtja e tij e palodhshme në momentet tona më të rëndësishme do të kujtohen përgjithmonë me mirënjohje dhe respekt”, shkroi ajo duke theksuar se Kosova do ta nderojë përgjithmonë trashëgiminë e tij dhe shpresën që ai frymëzoi.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj shkroi në rrjetet sociale se diplomati amerikan Frank Wisner, si përfaqësues i posaçëm i SHBA-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, luajti rol vendimtar në procesin që çoi në pavarësinë e vendit.
“Përkushtimi, profesionalizmi dhe vizioni i tij për një Kosovë të lirë dhe demokratike do të mbeten përjetësisht në kujtesën e popullit tonë”, shkroi zoti Haradinaj.