Ndue Ukaj: Kisha dhe arti
(Fjalë për librin: Papa Gjon Pali II, Letër dërguar artistëve, Drita, Prishtinë 2024)
Papa Françesku, vitin e kaluar, më 4 gusht, ka publikuar një letër për rolin e letërsisë në formimin tonë, ku, veç tjerash, kërkon ripërtëritjen e dashurisë për leximin, si një shteg që hap mendjen, stimulon zemrën dhe përgatit për jetë. Më tej, duke shpalosur esencat e krijimit artistik, ai vë në spikamë dy aspekte, për mua esenciale të artit: arti në mëson ta dëgjojmë tjetrin, dhe shërben si njëlloj teleskopi për të parë jetën, në largësitë e mëdha e në thellësitë e pafundme.
E përmenda me qëllim këtë letër të Papa Françeskut, edhe pse unë po flas për librin “Letër drejtuar artistëve” të Papa Gjon Palit II, shkruar në vitin 1999, përkthyer në shqip nga Prend Buzhala dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Drita”, 2024, sepse, këto dy letra, të shkruara në kohë të ndryshme, tregojnë lidhjen e fortë e të pashkëputshme, që ka krijuar kisha me artin, duke e konsideruar aset tejet të çmueshëm në misionin e saj, duke e përbrendësuar e duke e shndërruar edhe fenë në kulturë, sepse, siç thoshte një papa tjetër erudit, Benedikti XVI, “feja vetë është kulturë”.
I përmenda këto elemente, për të theksuar një fakt: krishterimi artin e ka identitet të vetin, gjë të cilën e shpjegon mjaft bukur Gjon Pali II në këtë letër mbresëlënëse, ku, shtjellohet forca e krijimit artistik dhe ndikimi që ka ushtruar artit në historinë njerëzore.
Të kujtojmë se interesi artistik dhe estetik hynë në fushën e gjërave sublime, ngaqë e bukura me të cilën na ushqen arti, na nxjerr prej gjërave të rëndomta dhe në lartëson. E kjo nevojë imanente njerëzore, është esenca e kërkimeve ekzistenciale të njeriut, e shtrirë në shumë fusha të dijeve humane, por që te arti, ka gjetur shprehjen më të mirë të realizmit.
Gjon Pali II, vetë poet me ndjeshmëri të subtile artistike, duke njohur këtë përmasë shpirtërore, u drejtohet artistëve, me cilësime të larta, si “rojtarë të së bukurës në tokë” e “arkitektë gjenialë të së bukurës”, sepse, siç thotë ai, “përbrenda “krijimit artistik”, njeriu më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër, shfaqet si përngjasim i Hyjit, dhe këtë detyrë e sendërton, para së gjithash, duke e sunduar në mënyrë krijuese gjithësinë.” Pra, duke iu dhënë këto cilësime, kaq sublime artistëve, Gjon Pali II rithekson peshën e artit në formimin e shoqërisë njerëzore dhe qëmton thellë në kulturën universale, duke u përqendruar te ajo perëndimore, në të cilën, trashëgimia e Biblës dhe kishës, kanë krijuar vepra mahnitëse, që sublimojnë të madhërishmen, të bukurën e të mirën, në kuptimin më të lartë të fjalës.
“E bukura është vlerë e vërtetë dhe universale, e ngulitur në natyrën tonë racionale dhe sensi i të bukurës luan një rol të domosdoshëm në formësimin e botës njerëzore” – thotë filozofi Roger Scruton, te libri “E bukura.” Pikërisht këtë sens të së bukurës, të ngulitur në natyrën njerëzore, e trajton kjo letër, ku, përmes një shestimi e përjetimi të thellë, papa përsiat dhe analizon aspektet fondamentale të artit, ndikimin në identitetin njerëzore, sidomos te ndikimi i artit në jetën e kishës, duke nënvizuar se “kisha ka nevojë për art” e njëkohësisht duke potencuar faktin se lidhja mes Ungjillit dhe artit është e domosdoshme, për një shoqëri më të mirë, më humane, më të bukur e më të drejtë, sepse, artistët, si sundues të gjithësisë në mënyrë krijuese, nxiten nga e mira e përgjithshme, bëhen rojtarë të këtyre vlerave dhe afirmojnë aspektet më sublime njerëzore, duke krijuar vepra mahnitëse, që e bëjnë jetën më të bukur e më të gëzuar.
Veprat e artit, janë shpalim i përmasës shpirtërore të natyrës njerëzore dhe e ndihmojnë njeriun në besim, për të galduar ekzistencën njerëzore, si një detyrim kundrejt Krijuesit të shfaqur në zanafillë, përmes veprës madhështore, krijimit të tokës dhe gjithçkaje që shihet në të.
Krishterimi artin e gjeti në fillet e tij, mendon papa, duke parë atë njëherësh si fryt i pjekur i botës klasike, që do të manifestohet ndër shekuj, në vepra monumentale, si bazilika e vjetër e Shën Gjonit Lateranit apo kisha e Shën Sofisë në Kostandinopojë. Po ashtu, papa përmend muzikën, këndimet gregoriane. Pastaj, ai i kushton vëmendje mesjetës, humanizmit dhe renesancës, duke përmendur veprat magjepse të Mikelangjelos, brenda Kapelës Sikstinë, e ato të gjeniut subtil, Rafaell-os, ku paraqitet përmasa e bukurisë, trupore e shpirtërore, vepra që krijojnë një lidhje të pashkëputshme mes të bukurës e të vërtetës
Duke e njohur thelbësisht rolin e artit në historinë njerëzore, me theks në atë të Kishës, Gjon Pali II, e aktualizon nevojën e dialogut të domosdoshëm që duhet të bëjë kisha me artin, për të krijuar lidhje të reja me artistët, një grishje kjo, që kumbon sot si nevojë imediate, e veçmas në botën tonë shqiptare, ku, këto ura, nuk është se janë mirëmbajtur, për arsye të historisë e të trashëgimisë, e për pasojë, shëmtia, shpeshherë ka çuar krye.
Përmes bashkëpunimit kulturor, kisha synon “epifaninë” e ripërtëritjes, thotë Papa, dhe pastaj nënvizon rëndësinë që i ka dhënë kulturës Koncili i Dytë i Vatikanit, në kushtetuan baritore, Gaudium et spes, në të cilën, Etërit e Koncilit theksuan rëndësinë e madhe të letërsisë e të artit në jetën njerëzore.
Meqë e bukura dhe e vërteta sjellin gëzim në zemrat e njerëzve dhe “kisha ka nevojë për art”, pra, ajo ka nevojë për ata që dinë t’i ndriçojnë thellësitë e mistershme, përmes artit letrar, përmes mundësisë së pakufishme të figurave e vlerave të tyre simbolike, gjë të cilën e bëjnë shkrimtarët.
Në pyetjen që bën papa “A i duhet arti kishës”, ai thellohet në imanencën e pranisë së Biblës dhe religjionit në botën e artit, në të gjitha epokat dhe pohon në formë pyetje, “sa i varfër do të ishte artit, sikur do të braktiseshin burimet e pashtershme të Ungjillit.”
Në këtë letër, thirrja e Papës për artistët është e përkorë, është zemërgjere, tingëllon si një zë i forcave të epërme, sidomos kur i thërret artistët e krishterë dhe iu kujton lidhjet e ngushta e të përhershme mes Ungjillit dhe artit. Në këtë kontekst, Papa e përsërit fjalinë e mirënjohur të Dostojevskit se “e bukura mund ta shpëtojë botën.”
Duke e trajtuar krijimin e gjithësisë, si proces krijues, ai e shpjegon këtë vepër në kuptimin parësor teologjik, e pastaj, si realitetet njerëzor, duke i shtjelluar lidhjet mes Krijuesit e Mjeshtrit. Dhe shpjegon lidhjen personale me librin e zanafillës, duke shprehur mahnitjen me ngjarjet e tij, libër ky që, në imagjinatën e njeriut të artit, ka ushtruar ndikim të madh.
Bibla, si Libri i librave, i jep përmasë hyjnore krijimit dhe fillimi i këtij libri është i lidhur me procesin e krijimit. Zoti krijoi gjashtë ditë dhe në të shtatën u ndal dhe e kundroi veprën e tij, pasi ishin bërë shumë gjëra të mira, prandaj, që në hyrje të kësaj letre, ai u thotë artisteve se askush më mirë se ata, “arkitektë gjenialë të së bukurës, nuk mund të parandiejë diçka nga i pathos-i, në të cilën Hyji në ag të krijimit, shikonte veprën e duarve të tij”.
Libri “Letër drejtuar artistëve” meriton të lexohet e të bëhet pjesë e botës sonë, si një nxitje për të kuptuar përmasën e lirisë, të madhërishmes e të bukurës, që shprehjen më të mirë e gjejnë në botën e artit, ngaqë, ka një pajtim në qytetërimin tonë se arti e ka nxitur përparimin njerëzor, e ka bërë njeriun kërkues, qenie më të bukur, më humane e më të përgjegjshme përballë botës.
Prandaj, me galdim zemre, artistët e të gjitha epokave kanë afirmuar vlerat sublime njerëzore dhe janë bërë pararojë e ideve të bukura, kanë dalë kundër shtypjes, të keqes, duke shërbyer kështu si një përbashkim universal, sepse, flamuri i artit është flamuri më përbashkues për të gjithë njerëzit e për të gjitha kohët, duke i bërë ata ta përqafojnë bukurinë estetike si një prej mënyrave më të mira për ta kuptuar ekzistencën njerëzore.
Me këtë rast përurimi, nuk mund të mos përmendi faktin se Bibla e ka dominuar kulturën perëndimore. Duke u bazuar te ky fakt, nobelisti i letërsisë, Tomas S. Elioti thotë se ”e gjithë kultura perëndimore është mbështetur në antikitetin greko-latin dhe në Bibël”, kurse studiuesi Northop Fray thotë se ”letërsia perëndimore ka qenë e ndikuar nga Bibla më shumë se nga çdo libër tjetër”.
Si rrjedhojë e kësaj që thamë më sipër, edhe kultura jonë kombëtare, lidhjen më identitare e më thelbësore e ka pikërisht me këtë trashëgimi, meqë, zanafillën e kërkon te Shën Jeronimi ilir e Niketë Dardani, pastaj, rrjedh përmes Formulës së Pagëzimit, që, nëse nuk është një rastësi, është një shenjë përkatësie identitare, për faktin se kjo formulë, ka pagëzuar gjuhën shqipe e për rrjedhojë, artin shqiptar, që do të pasohet me veprat më përfaqësuese, prej Pjetër Bogdanit deri te artet e stome, ta zëmë, te shkrimtari më i madh shqiptar e njëri prej më të mirëve në botë, Ismail Kadare. Dhe kjo letër e papës, në realitet tona të brishta, ku shpesh çojnë krye idetë e shëmtuara, duhet të lexohet e të shërbejë si burim frymëzimi, për t’i rritur antitrupat kundrejt helmit të gjuhës. Dhe arti, siç e dëshmon edhe ky libër, shërben si ilaç dhe rrit shëndetin shoqëror.
Njeriu, ka krijuar artin si një formë e veçantë e shprehjes dhe shpirtëzimit të gjërave, situatave, gjakimeve, ka udhëtua me të, duke i kënduar gëzimet e jetës, por edhe vuajtjet e humnershme. Në këtë aspekt, kjo gosti që na ofron papa, vërtet është një gosti e mirë në tryezën tonë kulturore, që të mendojmë për këto lidhej kaq jetike e kaq të nevojshme, edhe për shoqërinë tonë, ndonjëherë të molepsur, e njëkohësisht, kjo letër na thërret, ta kujtojmë edhe ndikimin që kishte frymëzimi kristian në historinë tonë. Në fakt, paradigma e identitetit tonë, është kultura, e njerëzit e kulturës ishin rojtarë të kombit shqiptar, nga Buzuku, Bogdani, Fishta, Harapi, Kuteli, Noli, Koliqi, Pashku, Rugova e deri te Kadare.
Kjo letër e shkruar me ndjeshmëri e kulturë të lartë, i thërret lexuesit e sidomos artistët, që kulturën e artin, të mos i mendojnë vetëm si një regjistër aktivistesh, por si një mënyrë jete, siç e ka bërë kisha përgjatë historisë së saj, prej ku janë ndikuar e kanë buruar veprat mahnitëse, të letërsisë, muzikës, pikturës, skulpturës e arkitekturës. Kjo lidhje duhet mirëmbahet, kjo lidhje duhet të ushqehet, përmes dialogut, të ripërtërihet kjo trashëgimi kaq me vleftë e t’iu përcillet breznive të reja si pasuria më e madhe që ka njeriu, si shëmbëllim i krijimit hyjnor./drita.info
Kisha dhe arti