Albspirit

Media/News/Publishing

Parlamenti ukrainas miraton rezolutën që rikonfirmon legjitimitetin e presidentit Zelensky

Parlamenti ukrainas miratoi sot një rezolutë që rikonfirmon legjitimitetin e presidentit Volodymyr Zelensky, pas një përpjekjeje të dështuar një ditë më parë.

Një shumicë e qartë prej 268 deputetësh votuan pro draftit, këtë herë. Për miratimin e draftit nevojiteshin gjithsej 226 vota pro.

Rezoluta mori dje vetëm 218 vota, gjatë një seance të posaçme të parlamentit ukrainas, “Verkhovna Rada”, zhvilluar në prani të të ftuarve ndërkombëtarë për të shënuar përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Rusisë.

Rreth 54 anëtarë të parlamentit të pranishëm në sallën e mbledhjeve, papritur nuk morën pjesë në votimin e djeshëm, duke përfshirë 38 përfaqësues nga partia Shërbëtori i Popullit i Zelensky. Ata nuk i zbuluan publikisht arsyet e tyre.

Rezoluta thotë: “Rada e Verkhovna – parlamenti njëdhomësh i Ukrainës rikujton edhe një herë se presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u zgjodh në zgjedhje të lira, transparente, demokratike. Mandati i tij nuk vihet në dyshim nga populli ukrainas apo nga Verkhovna Rada”.

Dokumenti gjithashtu thekson se Zelensky do të qëndrojë në detyrë derisa një president i zgjedhur të mund të marrë detyrën, në përputhje me kushtetutën e Ukrainës.

Mandati i rregullt i Zelensky në detyrë përfundoi në maj, megjithatë nuk mund të caktohen zgjedhje për shkak të ligjit të luftës që ka tre vjet që është në fuqi.

Rusia, megjithatë ka vënë në dyshim legjitimitetin e Zelensky. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë gjithashtu gjithnjë e më shumë presion që Ukraina të zhvillojë zgjedhje menjëherë pas një armëpushimi, i cili është aktualisht në diskutim e sipër./atsh

Please follow and like us: