Trump: Kemi marrëveshje për mineralet ukrainase, Zelensky vjen në Uashington
Donald Trump, i cili ka nënshkruar urdhra të reja ekzekutive në Shtëpinë e Bardhë, ka konfirmuar tashmë dy lajme të rëndësishme rreth Ukrainës.
Presidenti amerikan u tha gazetarëve se homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky “do të vizitojë të premten Uashingtonin” dhe tha se “do të nënshkruajë me mua marrëveshjen për mineralet”.
Duke folur më gjerë për negociatat për paqen, lideri amerikan tha se trupat paqeruajtëse do të jenë të nevojshme për Ukrainën “në një formë”, shkruan skynews.
Ndërkohë, Kremlini ka kundërshtuar deklaratën e Trumpit, se Rusia ka pranuar mundësinë e dislokimit të trupave paqeruajtëse evropianë në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov riafirmoi qëndrimin rus – se Moska nuk do të pajtohej me këtë – pavarësisht komenteve të presidentit amerikan.
“Ka një qëndrim mbi këtë çështje që është shprehur nga ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov. Nuk kam asgjë për të shtuar në këtë. Do ta lë këtë pa koment”, tha ai.
Java e kaluar, Lavrov tha se “dislokimi i trupave… [nga] shtetet e NATO-s, por nën një flamur të huaj, nën flamurin e Bashkimit Evropian ose nën flamuj kombëtarë… është, natyrisht, e papranueshme për ne”.
Ndryshe, Italia ka propozuar një mision ushtarak paqeruajtës si në Kosovë – KFOR. /Telegrafi/