Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Dhimbja

Endesha mendimeve të mia, e nuk përqëndrohesha dot tek ajo që më shqetësonte më shumë. Ishte si një turjelë që shponte vazhdimisht, tek ndjeja gërmimin e dhimbjes që më shkaktonte. Mundohesha ta largoja e nuk mundesha dot. Si ndodhte që dhimbja të mos shkulej prej meje? Nuk mundesha me fuqitë e mia të luftoja, edhe pse doja, edhe se kërkoja aq shumë prej vetes të mos ndjeja, të mos dëgjoja, të mos flisja, por tulatesha e pafuqi brenda luftës së heshtur me veten.

Ndjeja lodhje, doja të pushoja. U shtriva për një çast, por sytë nuk më mbylleshin. Shihja nga dritarja e shpirtit çfarë kishte ndodhur një ditë më parë. Ndjeja turjelën, gërmimin e saj të hidhur që më shponte e më gërvishte me zhurmën e heshtjes së saj… Oh, shpirt sa po më dhemb!

U ngrita e pafuqi, si të doja të pastroja pluhurin, mbetjet… Lëvizja nëpër dhomë bashkë me mendimet, bashkë me përjetimin që nuk më linte të qetë e nuk largohej prej meje, a thua se kishte bërë marrëveshje të fshehtë për të qëndruar në folenë e shpirtit tim të lodhur dhe të lënduar nga prania e ndodhisë që më vrau, që më lëndoi, që më zemëroi…

Eh, nuk e di më ku jam, ku gjendem brenda mendimeve të mia… Ku të kapesha, ku të mbahesha, tek cila pjesë, tek cili detaj? Gjithçka ishte veç dhimbje e një nate më parë, e një çasti përjetimi që dhembi… oh sa shumë… Dhimbje e trishtë që edhe emrin e ke të trishtë… Nuk të dua pranë vetes, dua të të largoj e nuk di se si…

Befas dëgjoj një thirrje nga jashtë. Ishte zëri i një fëmije që thërriste nënën e tij. Ai tingull më rrënqethi… M’u duk se ishte ai zë shpëtimi im. U afrova pranë dritares të shihja. Vogëlushi qëndronte i ulur në një stol të lulishtes. Në duar mbante një makinë të vogël dhe po luante me të. E vështroja dhe mendoja… “Engjëll i vogël, ti po luan me gëzimin tënd, e për një çast u bëre ti, streha e shpirtit tim”.

E vështroja me mallin e shpirtit, si të doja ta përqafoja dhe t’i flisja, tek e shihja të shkujdesur me lodrën-makinë… “Shpirt i vogël që po luan, ti nuk e di, ti ende nuk e njeh dhimbjen… Oh i vogël”…

Erdhi nëna e tij, i mori makinën nga duart, dhe tek e vështronte i buzëqeshte çapkënllëkut të tij, përkëdheljes së tij… Oh engjëll i vogël, sa shumë lumturi fal ti… Dhe për një çast, gjithçka brenda shpirtit tim u këput… Ndjeja dhimbjen që godiste fort… gulshet më mbytën… Nuk doja, por nuk mundesha. Trishtimi më mbuloi me dallgën e tij të pamëshirshme. Dhimbje që vret… nuk e doja këtë dhimbje, këtë trishtim… Ky zë fëmije, ky engjëll gëzimi… Oh dhimbje… shko tani… ti e bëre punën tënde… Lermë të kuptoj, se dashuria është më e fortë se ti…

Ai zë fëmije më shkundi përsëri… po qeshte me nënën e tij tek vraponte i shkujdesur brenda lojës së shpirtit. Vraponte i pafaj brenda gëzimit, brenda haresë së botës së tij. E shihja e çlodhesha, tek ndjeja si largohej dhimbja, trishtimi, si këputeshin fijet që më kishin lidhur mendimin… Ndjeja liri. Ai zë fëmije, ajo e qeshur… Oh shpirt i gëzimit…

Jeta vazhdon, jeta është e bukur… Natë dhe ditë që kaluat me dhimbjen, me trishtimin, mos u ktheni më tek unë, sepse një ditë e re, një gëzim i ri troket dhe do të trokasë përsëri. Ashtu si ky fëmijë që jeton ditët e gëzimit me harenë e shpirtit, ashtu edhe ti shpirti im… kaloi… e nuk kthehet më…

Please follow and like us: