Gazeta Bashkimi: Cilët janë Kandidatët e Frontit, Sejfulla Maleshova
Lindi në Malëshovë të Përmetit. Mësimet e para i mori në gjuhën turqishte në Vlorë, studimet e mesme në Liceun Italian në San Demetrio Corone. Që aty çquante inteligjenca dhe karakteri i tij i fortë.
Bëri disa vjet studime universitare, në Fakultetet e Italisë , po patriotizma e tij e çquar, pasioni për të luftuar robërin e huaj dhe të brendshme e hodhën Sejfullain në lëmin e politikës aktive, e hodhën në fushën e gazetarisë dhe të literaturës militante.
Penda e Sejfullait ka qënë një armë në dorë të popullit tonë hallemath. Gjer më 1924 Sejfullai udhëheq shoqëri studentësh, bashkëpunon ngushtë me Fan Nolin, me Faik Konicën, me Vatrën e Amerikës. Prandaj talenti dhe temperamenti i tij çquhen në lëmin e patriotizmës shqiptare.
Qeveria e Zogut dhe klikat reaksionare ia presin bursën e studimeve Sejfullahut, po ay vazhdon dhe më me tepërbim luftën, për të drejtat demokratike të popullit. Bashkëpunon ngushtë me shokun e tij të pandarë Avni Rustemin, del në ballë të shoqërisë “Bashkimi” që lufton për një Shqipëri përparimtare e demokratike.
Më 1924 Imzot Noli e zgjedh si kryesekretar të kryeministrisë në moshën 24 vjeç. Dhe që nga zyrat e kryeministrisë Sefullahu frymëzon bashkimin dhe përpjekjen e djemurisë përparimdashëse.
Në emigracion Sefulla Mallëshova bën pjesë në “Çlirimin Nacional”…
Në Moskë mbaron mësimet e filozofisë dhe çquhet për studimet e tij. Për një kohë të gjatë bëhet “bashkëpunëtor shkencor” i akademisë së shkencave të Bashkimit Sovjetik.
As nga Moska Sejfullahu nuk e pushon punën e tij për çlirimin e Shqipërisë. Një nga kolaboratorët më aktivë të gazetës “Sazani”; ay i jep këtij organi frymë e gjallëri; që më 1938-1939 hodhi parullën e bashkimit të gjithë shqiptarëve kundra imperializmit Italian dhe veglave të tij brenda dhe jashtë Shqipërisë, ishin zë kushtrimi për popullin tonë.
Sa kohë që ndënji në Francë Sefullahu qe shpirti i organizatës së atjeshme “Federata e Shqiptarëve të Francës” që kishte si të vetmin program atë që ka sot Fronti N.Cl. Aktiviteti i Sefulla Malëshovës dhe i shokëve të tij shkrihet me pjesën e madhe të emigracionit politik shqiptar, veçanërisht në atë të Amerikës.
Në verën e vitit 1943-së Sefulla Malëshova me një mijë mundime kthehet në Shqipëri, ku menjëherë hidhet në ballë të L.N.Cl. si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm N.Cl. dhe pakë më vonë si pjesëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
Në Konferencën e Labinotit Sefulla Malëshova është nga më të ashprit për të dënuar Mukjen, po është partizani më i nxehtë dhe më i flaktë i bashkimit të popullit shqiptar pahile e pa dallavere, në luftë kundra zaptonjësit e tradhëtorëve. Ata që e njohin Sejfulla Malëshovën në punë e dinë mirë se sa i do shokët dhe miqtë, sa e do popullin dhe sa e urren armikun dhe pa-drejtësinë.
Shkrimet, vjershat, fjala e Sefulla Malëshovës, dëshmojnë për shpirtin dhe për inteligjencën e tij
politike ashtu si dëshmon për karakterin e tij vetë apostullati i jetës së tij, dedikuar Shqipërisë dhe popullit. Atdhe, popull, Shqipëri, komunizmë venë në harmoni të plotë për Sefulla Malëshovën, në një harmoni që sot e kupton i math dhe i vogël në Shqipëri. Sefulla Malëshova është një nga prekursorët e demokracisë shqiptare. Ky djalë i popullit e ka kënduar patriotizmën si rallë mund të ketë ndodhur në Shqipëri. Çdo vjershë e tij është një hymn lirije, një hymn patriotizmi, një hymn demokracie. Sejfulla Malëshova është një vlerë e madhe letrare për Shqipërinë.
Kongresi i Përmetit i dha edhe një vënt më të shënuar Sejfulla Mallëshovës si në Këshillin Antifashist N. Cl. ashtu dhe në Komitet. Mbledhja e Beratit e bëri Ministër të Kulturës Popullore.
Mburren miqtë, mburren shokët, mburret populli, mburret Shqipëria për vlerën dhe karakterin e çquar të Sejfulla Malëshovës.
Si anëtar i Qeverisë dhe si Ministër i Kulturës Popullore, Sefulla Malëshova çquhet për zotësin e tij të rallë si udhëheqës dhe organizator, si kokë politike, shkurt si burrë shteti.
Roli i Sefulla Malëshovës si në Këshillin Ekonomik ashtu dhe në Këshillin Administrativ të Bankës së Shtetit, është i dorës së parë.
Aktiviteti politik i Sefulla Malëshovës është i lidhur ngushtë me gjithë jetën e këtij populli e tërë këtij kombi.
Sejfulla Malëshova është një nga krerët më të nderuar dhe më me talent të Frontit Demokratik. Kongresi i I-rë i Frontit duke çmuar cilësitë e ralla të Sejfulla Malëshovës e zgjodhi si Sekretar të Përgjithshëm.
Sefulla Malëshova me penën e tij frymëzon gjithë një popull; frymëzon gjithë një brez. Vjershat e Lame Kodrës, artikujt e tij janë shëmbulla të gjalla dhe burim frymëzimi për gjithë një popull, për të gjithë ata që duan me të vërtetë Shqipërin e Re.
Mbledhja e Shkrimtarëve e zgjodhi “poetin rebel” kryetar të komitetit. “Bashkimi” kjo tribunë e gjallë e Frontit Demokratik dhe e përpjekjes shqiptare i ka caktuar një vent të veçantë Sejfulla Malëshovës.
Populli dhe Kombi ynë e kanë pjellë e rritur Sefulla Malëshovën e shohin sot në ballë të çdo gjëje që mbron interesat e tyre.
(Marrë nga Gazeta Bashkimi, 14 nëntor 1945)
Në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945 për Prof. Sejfulla Malëshova, si kandidat për rrethin elektoral të Nën prefekturës Këlcyrë, nga 5810 votonjës, 5744 vota ishin për të dhe vetëm 66 vota u hodhën në kutia pa kandidat. Populli i krahinës së Dishnicës që kish kandidat të Frontit Demokratik Prof.Sejfulla Malëshovën, i kish dhënë luftës 53 dëshmorë dhe 800 partizanë.