Albspirit

Media/News/Publishing

Eva Vatoci: Të gjithë bashkë të kontribuojmë për Tropojën!

Të dashur tropojanë, në këtë prag zgjedhjesh, ju lutem ngrini zërin tuaj! Kërkoni mundësi për të jetuar dhe për të pasur një të ardhme më të mirë. Ju e dini më së miri gjendjen e vështirë që po kaloni dhe si tropojanë, e kuptoni shumë mirë se sa shumë ka vënë përpara interesat e ngushta politika, jo interesat e popullit të asaj zone. Pas çdo zgjedhjeje të dështuar, Tropoja ka mbetur më e varfër, më e margjinalizuar dhe më e harruar.

Tropoja vuan nga mungesa e shërbimeve bazike dhe kjo ka ndodhur për vite me radhë pa përcaktuar sigla politike të majtë apo të djathtë. Nuk ka arritur asnjë investim real për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe nuk ka pasur vëmendje për shëndetësinë, arsimin, drejtësinë, bujqësinë etj. Mungesa e mjekëve, e drejtorive dhe e shërbimeve të tjera është një problem serioz që po e ndiejnë çdo ditë të gjithë qytetarët.

Të dashur vëllezer dhe motra, keni pyetur ndonjëherë një drejtor spitali se sa mjekë ka spitali i Bashkiak i Tropojës dhe cilat janë profilet e tyre? A është e drejtë që një qytetar i Tropojës të jetë i detyruar të marrë çdo shërbim mjekësor në Kukës dhe për urgjencat më serioze të bëjë kilometra të tëra dhe të kalojë 4 postoblloqe doganore për të marrë një rekomandim drejt Tiranës?

Pse janë kaq të penalizuar tropojanët, apo siç na quajnë disa, “malokët”, kur bëhet fjalë për shërbimin shëndetësor “jetësor”? A është e drejtë që ne të mos kemi mundësi për të marrë shërbimet e nevojshme në vendin tonë, duke e paguar si çdo qytetar tjetër, po të detyrohemi të shpenzojmë kohë, energji dhe para për të shkuar në qytete të tjera?

Në një kohë kur bota po nxjerr robotet e mjekësisë, tropojanëve iu mungojnë mjekët fizikë, labaratore analizhash, echo etj. Shëndetësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, tropojanët vazhdojnë të ndjehen të harruar dhe të lënë pas dore. Kjo nuk është vetëm një padrejtësi, por një shkelje e të drejtave të qytetarëve për një trajtim të barabartë.

Po drejtësine ku e marrin qytetarët e Tropojës? A është e drejtë që për të marrë një vendim gjyqësor, tropojanët e varfër të udhëtojnë me kilometra të tëra, të kalojnë orë të tëra dhe të shpenzojnë para për të arritur deri në qytete të tjera, si Kukësi apo Tirana, për një të drejtë themelore që çdo qytetar duhet ta ketë pranë?

Një vendim gjyqësor duhet të jetë i drejtpërdrejtë dhe i aksesueshëm për çdo qytetar, pa pasur nevojë që të shpenzohen energji dhe burime për të arritur tek ai. A është kjo një drejtësi e vërtetë, kur shumë qytetarë të Tropojës duhet të kalojnë kilometra të tëra për një çështje ligjore që ka të bëjë me interesat e tyre?

Për më tepër, kjo situatë ka krijuar një hendek të madh mes qytetarëve dhe shërbimeve shtetërore. Tropojanët meritojnë një sistem drejtësie që është afër tyre, që është i aksesueshëm dhe që nuk i penalizon për faktin që jetojnë në një zonë më të largët. Duhet të krijohen mundësi që çdo qytetar të ketë mundësinë të kërkojë dhe të marrë drejtësinë në mënyrë të barabartë, pa pasur nevojë të udhëtojnë kilometra për ta marrë atë.

Përfundimisht, drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë, pa dallime dhe pa ndarë qytetarët sipas vendbanimit të tyre. Tropojanët janë qytetarë të Shqipërisë dhe meritojnë të trajtohen me respekt dhe barazi.

Që të mos flasim për punonjësit e administratës që iu mbyllën vendet e punës.

Largimi nga Tropoja ka lënë gjurmë të thella në çdo aspekt të jetës sonë. Ndihesh i ndarë, emocionalisht dhe shpirtërisht, nga ata që doje dhe që ishin gjithçka për ty. Familja është shkëputur, është ndarë nga njëra-tjetra dhe realiteti është kthyer në një periudhë të vështirë, sikur të ishim sërish në kohën e konvikteve, duke u përpjekur të mbijetojmë larg vendlindjes. Pas mbylljes së institucioneve dhe mungesës së mundësive, askush nuk ka pyetur për mënyrën si do jetojnë këta qytetarë të Tropojës. Ky lloj realiteti, i detyroi shumë nga ne të largohen dhe të krijojnë një jetë të re, por gjithmonë me një shpirt të thyer që mbart pas vetes dhimbje dhe humbje të pakthyeshme.

Ku janë drejtoritë që shërbejnë për qytetarët e Tropojës? Ku janë shërbimet si ujësjellësi, OSHEE, drejtoritë e patentave, kolaudimet e makinave dhe të tjera? A është e drejtë që një qytetar i Tropojës të udhëtojë me kilometra të tëra për të marrë shërbimet më elementare që i takojnë?

Kjo situatë është pasojë e neglizhencës dhe mungesës së investimeve dhe planifikimeve për zhvillimin e infrastrukturës dhe administratës në këtë zonë. Ujësjellësi dhe shërbime të tjera elementare janë të pamjaftueshme, ndërsa qytetarët e Tropojës janë të detyruar të vuajnë nga mungesa e tyre.

Po ashtu, drejtoritë si ajo e patentave dhe kolaudimeve janë të shpërndara në qytete të tjera, duke krijuar një barrë të madhe për ata që duan të kryejnë procedurat e nevojshme. Kjo situatë është e papranueshme, pasi çdo qytetar ka të drejtë të ketë akses të lehtë dhe të shpejtë në shërbime të tilla.

Ndalemi pak tek të rinjtë e Tropojës, një pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë. Dua të ngre një pyetje: Pse një i ri apo e re nga Tropoja nuk ka të drejtën e arsimit të lartë në rrethin ku ka lindur dhe është rritur? A duhet të mallkojmë origjinën tonë, për shkak të mungesës së mundësive për arsimim dhe përmirësimin e jetë në qytetin tonë?

Asnjë degë e fakultetit nuk operon në Tropojë dhe kjo është një padrejtësi për të rinjtë tanë. A mundet një familje, e cila nuk ka mundësi ekonomike të mjaftueshme, të mund të sigurojë mundësitë që fëmijët e saj të arsimojnë në Tiranë apo në ndonjë rreth tjetër të largët? Për shumë familje, kjo është një barrë shumë e madhe dhe shpeshherë e pamundur.

Kur të rinjtë përballen me këto pasoja të papranueshme, shpeshherë rruga më e shkurtër dhe më e dhimbshme që ata shohin është emigrimi. Shumë prej tyre detyrohen të largohen nga atdheu dhe të kërkojnë mundësi jetese jashtë Shqipërisë, për të ndihmuar veten dhe familjarët e tyre.

Ky është një cikël i vështirë, që nuk duhet të ekzistojë. Ne duhet të ofrojmë mundësi për të rinjtë tanë, duhet të krijojmë mundësi për të studiuar dhe zhvilluar aftësitë e tyre në atdhe, që ata të mos detyrohen të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit. Arsimimi i lartë është një e drejtë e çdo individi dhe duhet të jetë i aksesueshëm për të gjithë, pavarësisht nga origjina apo gjendja sociale.

Tropoja tashmë është zbrazur. Të rinjtë kanë ikur për mundësi jetese dhe kanë tërhequr dhe familjarët e tyre. Ai vend i bekuar nga perënditë, me natyrën më të bukur dhe pasuri natyrore që nuk e ka asnjë trevë tjetër në Shqipëri, tashmë ka mbetur bosh. Pyes veten: kush është përgjegjës për këtë boshllëk? Pse kjo shkrirje e shpresës dhe mundësive për brezat që lindin dhe rriten atje?

Tropoja ka turizmin malor më të favorshëm në të gjithë Shqipërinë, me peizazhe mahnitëse, male të pasura dhe tradita të pasura që mund të jenë një burim i madh për zhvillim ekonomik. Çfarë ndodhi? Pse ky vend i mrekullueshëm vazhdon të mbetet një zonë e lënë pas?

Një pyetje që më vjen shpesh: A mos ”largoje Zot këtë rrezik” i intereson dikujt pikërisht zbrazësia e Tropojës? A mund të jetë shitja e shtëpive dhe e tokave, apo zaptimi i pasurive të këtij vendi një strategji për të pastruar këtë territor për interesa të tjera? Dhe a është ky një proces i planifikuar që ka për qëllim vetëm përfitime afatshkurtra, në dëm të një pasurie të jashtëzakonshme që mund të shërbejë për zhvillimin e Tropojës dhe mirëqenien e banorëve të saj?

Përgjigja është në duar të çdo tropojani, çdo qytetari që ka lindur atje dhe ka mbetur i lidhur me këtë vend. Ata që kanë mbetur duhet të ngrijnë zërin, të kërkojnë investime dhe mundësi, dhe të mos lejojnë që Tropoja të shndërrohet në një vend pa jetë, të shitur dhe të haruar për interesat e pakicës.

Tropoja ka një të ardhme të ndritur nëse ajo mbrohet dhe zhvillohet me kujdes. Dhe ne, të gjithë bashkë, duhet të kontribuojmë për këtë.

Please follow and like us: