POETJA IRMA KURTI BOTOHET NË GJERMANI; LIBRAT E SAJ JANË BOTUAR NË 19 VENDE TË BOTËS
Pas botimit të fundit me poezi dygjuhëshe (holandisht- italisht) me titull “Tijd om lief te hebben/ Tempo di amarci” (Kohë për t’u dashur), me logon e shtëpive botuese Boekenplan në Holandë si dhe Point Editions në Belgjikë, poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti vjen përpara lexuesve me një botim të ri. Libri titullohet “Walking in the rain” (Duke ecur në shi). Përmbledhja poetike mban logon e shtëpisë botuese Just fiction Edition që ndodhet në Gjermani dhe Moldavi. Poezitë janë të pabotuara më parë dhe trajtojnë tematika të ndryshme.
Shkëpusim një fragment nga parathënia e shkruar nga Pier Carlo Lava, drejtor dhe botues i revistës italiane “Alessandria today”: “Irma Kurti, poete e jashtëzakonshme, na drejton në labirintin delikat të emocioneve njerëzore me përmbledhjen e saj më të fundit me poezi. Ky kapitull i ri në karrierën e saj letrare mbresëlënëse shquhet për thellësinë e reflektimeve dhe aftësinë për të prekur zemrat e lexuesve. Sinqeriteti me të cilin Kurti ndan përvojën e saj personale u shton një nivel autentik dhe njerëzor poezive të saj, duke e bërë çdo varg një përvojë të përbashkët”.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 90 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para. Përveçse në Shqipëri, ka fituar gjithashtu çmime në konkurse letrare ndërkombëtare në ShBA, Filipine, Liban dhe Kinë. Ka shkruar rreth 200 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivalet e muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në vitin 2021 është nderuar me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëresh në Itali.
Po ashtu, i janë akorduar çmimet “Leonardo da Vinci”, 2021 dhe “Giacomo Leopardi” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Leçe.
Në vitin 2022 u nderua me çmimin “Ambasadore Europiane” si dhe “Poetja më e mirë e vitit” për arritje të rëndësishme në fushën e letërsisë. Në të njëjtin vit emërohet Ambasadore për Shqipërinë e Çmimit Akademik Internacional të Letërsisë Bashkëkohore Seneca nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. Iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Është nderuar me diplomën e meritës dhe medaljen Grazia Deledda nga Komiteti Kombëtar brenda Enciklopedisë Poetike WikiPoesia me rastin e 150 vjetorit të lindjes së poetes së madhe italiane. Është nderuar me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Ka fituar gjithashtu çmimin prestigjoz Naji Naaman Literary Prize, 2023 në Liban. Është vlerësuar me “Çmimin e Kulturës” në Konkursin Ndërkombëtar të Letërsisë AIDO, në Coccaglio, Brescia, në 2024.
Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Ajo ka botuar mbi 100 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Të gjitha librat i dedikohen kujtimit të prindërve të saj të dashur Hasan Kurti dhe Sherife Mezini që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap të rrugëtimit letrar.
Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 19 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Gjermani, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi, Kolumbi, Argjentinë dhe Moldavi.