Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Një amanet për skicat nga Novruz Dervishaj
Në vend të një amaneti
I dashuri Bernard! Në prill 2009, nga 1000 copë skica, vetëm këto pak po jua dhuroj… Juve e dini vet se ku mund ti vendosni. Mund të vijë rasti ti shikoni të tjerat dhe vetë Juve, mund të zgjidhni të tjera. Përqafime vëllai, Novruz Dervishaj
Në këtë 9 vjetor të ndarjes nga jeta, po përcjell grimca nga kujtimet e tij, si dhe skica që ka bërë për Ramicën, vendlindjen.
Në fund është jetëshkrimi i publikuar në Enciklopedinë e Vlorës nga prof. dr. Bardhosh Gaçe, për ushtarakun madhor dhe intelektualin Novruz Ferik Dervishaj.
Rëndësia e kujtimeve për jetën e një drejtues ushtarak
Kujtimet janë një nga llojet e letërsisë dokumentare, janë një rrëfim letrar i autorit të tyre për jetën shoqërore, për jetën letrare, për ngjarje historike, për jetën personate dhe për njerëz të tjerë, bashkëkohës i të cilëve ai ka qenë relativisht gjatë. Në kujtime Novruz Dervishaj ka të përmbledhur ditarë, vëzhgime vetjake, biografi dhe autobiografi, të cilat përbëjnë atë që quhet letërsi memorialistike. Kujtimet përfaqësojnë në vetvete një burim të dhënash me mjaft interes.
Modele nga më të shquarat të letërsisë memorialistike janë vepra të tilla, si “Rrëjimet” e Zhan Zhak Rusoit, “Nga jeta ime. Poezia dhe e vërteta” e Gëtes, “Historia e bashkëkohësit tim” e Korolenkos, “Pasqyra e shekullit” e Henrih Mann-it e shumë të tjera. Të botosh kujtimet e tua është shprehur Novruzi, nuk është gjë e lehtë. Ndaj këtë privilegj e kanë vetëm ata syresh që kanë lënë pas një jetë shumë të pasur me ngjarje, të cilat paraqesin shumë interes jo vetëm për bashkëkohësit, por edhe për brezat e ardhshëm.
Në Shqipëri letërsia memorialistike, si një nga llojet e rrëfimtarisë artistike, tani për tani vazhdon të jetë në hapat e para, është në pasurim e sipër. Nga të paktat vepra të këtij lloji që më ka qëlluar t’i lexoj, mund të përmend kujtimet e zonjës Vera Ibrahimi me titull “Vikama e tingullit” (Tiranë, 1999), kushtuar shokut të saj të jetës, artistit të populllt Feim Ibrahimi, “Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)” e Petro Markos (Tiranë, 2000), si edhe librin “Sikur të isha vetërrt…” (Vlorë, 2002), në të cilin inxhinieri ushtarak nënkolonel Guri Shyti i përcjell lexuesit “përjetimet” e veta nga jeta ushtarake, të shoqëruara këto me uljengritjet e rënda shpirtërore që iu desh të përballonte në vitet e rënda të diktaturës komuniste.
Në jetë librat nuk i lëshoi nga dora
Leximi ka qenë pasioni i përhershëm i Novruz Dervishaj, i cili nuk i është shuar për asnjë çast. Ai ka nisur që nga bankat e Shkollës “Skënderbej”, në fushimet gjatë stërvitjeve ushtarake në terren e deri tani, në moshën e pensionit. Poetët e mij më të parapëlqyer janë Jesenini, Bemsi, Petëji, Migjeni dhe Poradeci. Nga shkrimtarët parapëlqej Gëten, Balzakun dhe KacLarenë. Mes piktorëve, më tërheqin më shumë Vangjush Miho, Van Gogu, Rembrandti etj. Nga moria e personaliteteve të shquara të artit ushtarak, adhuroj veçanërisht Zhukovin dhe Petrit Dumen.
Figurë e shquar e artit tonë ushtarak
Natyra e punës në Drejtorinë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes Novruz Dervishaj i pati dhënë shumë mundësinë të komunikonte me shumë kuadro të larta të ushtrisë. Ai ka vrejtur botën e tyre të brendshme, si dhe formimin e tyre profesional. Midis atyre kuadrove, kishte që dalloheshin për horizontin e gjerë në lëmin e artit ushtarak veçon Petrit Dume. Për të ka ushqyer ndjenja të një respekti të thellë.
“…Dume, gjenerali legjendar, ushtaraku i përmasave të mëdha, luftëtar i paepur për liri, i shkolluar në dy nga akademitë më të rëndësishme në Rusi, ky Hero, mori për mision drejtimin dhe fuqizimin e ushtrisë. Dora e tij e fuqishme u ndie në momentet kyçe, në detyrat e mëdha të komandantit të divizionit e më pastaj të Drejtorit Operativ të Ushtrisë. Karriera e tij do të rritej shpejt dhe ky gjeneral i përmasave operative, do të merrte në dorë për 20 vjet, detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në krye të Shtabit të Përgjithshëm do të do spikatnin ato cilësi të rralla të cilat i dhanë drejtimit ushtarak dhe nivelit të stërvitjes e gatishmërisë, nivel të kohës. Energjia dhe përkushtimi i tij të pashoq, mbeten emblema e punës në fushën e mbrojtjes. Shembulli vetjak dhe kërkesat profesionale, u bënë shpirti operativ i ushtrisë. Metodat e drejtimit ishin sa origjinale aq dhe dinamike, dendur pleksja dhe kombinimi i kontrollin me ndihmën, riorganizimin me kushtrimin, stërvitjen me qitje, ishin natyra e punës së tij të paarritshme. Këtë mund ta bënte vetëm Petrit Dume kundërshtar i çdo formalizmi e qëndrimi indiferent, i pajisur me njohuri të lakmueshme, njohës i kërkesave të Artit të organizimit dhe të drejtimit të ushtrisë, njohës i terrenit duke e vënë atë në shërbim të forcës së mbrojtjes. Ruajti dhe në të 50-tat pamjen dhe fuqinë e një djaloshi, sepse përgatitjen fizike e kishte natyrë dhe pjesë të pa ndarë të jetës së tij aq dinamike…”.
Novruz Dervishaj ka mbetur në një mendim me shumë të tjerë se personalitetin e Dumes, goditja që ju dha nga sistemi, nuk mund t’ia pakësojnë lavdinë, përkundrazi koha, kjo gjykatëse e paanshme, i ka dhënë atij atë vend nderi që e ndërtoi vetë.
Në Enciklopedinë e Vlorës
Novruz Dervishaj u lind në Mesaplik, më 15 mars 1936, në fshatin Ramicë të rrethit të Vlorës. Shkollën fillore e kreu në Ramicë, ndërsa shkollën 7-vjeçare në Korçë e Peshkopi nën kujdesin e xhaxhait, Bako Dervishaj. Në vitet 1949-1956 kreu studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej”, dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerave. Në vitin 1956 shërbeu si topograf ushtarak në shumë vise të vendit, në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1964-1966 përfundon studimet në Akademinë Ushtarake. Në vitin 1969 emërohet Komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Mirditë, ku qëndroi deri në korrikun e vitit 1974. Ndërkohë, gjatë viteve 1971-1972, vazhdoi Shkollën e Lartë të Partisë, ku kreu kursin e lartë të filozofisë. Gjatë vitit 1974 u emërua për disa muaj në detyrën e shefit të shtabit të Korpusit të Pukës. Po në vitin 1974 (më 9 korrik) emërohet Komandant i Korpusit të Këmbësorisë në Gjirokastër, ku qëndroi për 12 vjet. Në tetor të vitit 1985 emërohet Komaniant i Divizionit të Këmbësorisë në Fier. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1989, kur u transferua për në Tiranë. Pas 38 vjetësh shërbimi në ushtri, në mars të vitit 1991, Novruz Dervishaj doli në pension. Pas daljes në pension, ka vazhduar të shkruaj. Përveç shënimeve të shumta që ka hedhur në letër, ka të sistemuara mbi 450 poezi, të shkruara në kohë të ndryshme. Në vitin 1986 botoi vëllimin poetik “Malli i viseve të mia”, si dhe “Jeta e një oficeri” (publicistikë) 2004, “I fala hënës” (poezi) 2005, “Këngët e natës” (poezi) 2006, “Rrugët e mia” (poezi) 2007, “Prapa portës”2007, “Intervistë me vetveten” 2007. Në shënimin e vëllimit poetik ai thotë: “Mbas kaq vitesh që u pleksa me këngën, m’u bë një vandak me vargje. Brenda tyre është një pjesë e pasionit tim për letrat. Të mirat këngë, venë nga venë gjenden në viset fëminore. Në atë strehë të butë është shtëpia e tyre…”. Ka të përfunduara 800 tablo me bojë vaji dhe 1.000 skica me laps dhe me bojë kine. Përveç kësaj, është mjaft i dhënë pas gdhëndjes në dru. Deri tani ka 12 objekte të gdhëndura. U nda nga jeta në Vlorë më 28 shkurt 2016.