Fritz Radovani: T’PAHARRUESHMIT MIQ!
SHKOLLA NORMALE E ELBASANIT, 1909.
KALUEN 70 E SA, VJET…
Po, po ikën vitet si ujë! Ishte viti 1953 kur në Shkoder mërrijti grupi i Profesorave të Elbasanit, Ishin Edukatorët dhe Miqtë tonë të Përjetshëm dhe të Paharrueshëm!
Dashunia e tyne prindore dhe edukative u skalit në gurt’ e Rozafës sonë!
Askujt nuk i shkonte mendja se ata do t’ ishin kopjot e Prindve tonë të vërtetë!
Asht shumë e vështirë me mbetë në kujtesën e brezave të ardhshme dhe me u besue ajo tragjedi aq e madhe që ka ngja për 47 vjet në një vend aq të vogël sa asht Shqipnia! Vetëm në një sistem komunist të tipit stalinist oriental dhe enverist mund të mendohet me gjet agjenta që janë të lindun me prish e me shkatrrue gjithshka që asht e mirë, jo vetëm e dobishme dhe përparimtare për shtetin e tyne, po edhe e realizueme me sakrifica shekullore.
Ngjau edhe kjo mbas vitit 1946 në Shkoder ku kishte mbet vetëm Gjimnazi i Shtetit, në të cilin mbas vitit 1949 përfshihej edhe shkolla e mesme pedagogjike, ku mund të vazhdonin shkollën vetëm ata nxanës që konsideroheshin të “deklasuar” dhe që nuk lejoheshin me shkue në shkolla të tjera jo vetëm në Shkodër, po n’asnjë qytet tjetër…
Ishte viti 1949 kur erdhi në Shkoder kryetar i degës së mbrendshme terroristi Hilmi Seiti, i cili, porsa shkeli në tokën e zharitun, i dërgon një kërkesë ministrit të ri të mbrendshem, Mehmet Shehut, me të cilën i kerkon: “Me që në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë nga Jugu”… (Arkivi i M.M.Tiranë). Perveç 100 konviktorëve që do t’i shërbenin Sigurimit të Shtetit, drejtor i Gjimnazit vjen nga Korça amorali kriminel Skender Villa, i cili në vitin 1945 asht kenë hetues në degën e Korçës, punë që e vazhdon me perkushtim ndaj kolegëve dhe nxanësve të Gjimnazit te Shkodrës.
Bashkë me té janë edhe disa mësues të atij qyteti, por kurrë në modelin e drejtorit katil të porsaardhun dhe të panjoftun nga Shkodra…
Ishte viti 1952, kur unë detyrohem me vazhdue shkollën pedagogjike, që ishte nën një kulm me gjimnazin dhe me një drejtor të përbashkët, aso kohe vijnë në Shkodër edhe një grup pedagogësh nga një drejtim tjetër, jo ma nga Korça, po nga Elbasani. As sot nuk dij me tregue as kush i solli, as pse i sollën këta pedagogë në Shkoder, mbasi koha e shërbimit të tyne kje mjaft e gjatë dhe shumë frytdhanëse në disa drejtime. Vetëm ata e dinin pse?
E para që filloi vitin e dytë nga ky grup ishte Prof. Roza Bebi, që na mësonte histori dhe gjeografi. Ajo ishte moshë e re, por një vajzë e nderueme, që respektohej nga të gjithë për qëndrimin e saj. Një tjetër mësues i këtij grupi në moshë të re, që na mësonte rusisht në vitin e tretë, ishte profesori Ndriçim Gjata, i cili ishte edhe kujdestar i klasës sonë. Djalë serioz, kërkues dhe fjalëpak… Shumë persona të rezervuem dhe të sjellshëm me ne.
Kujtoj nga profesori ynë Ndriçim Gjata, kur erdhi një orë në klasë, ban apelin dhe ngriti një nxanës tek tabela… Ai vetë erdhi nga fundi i klasës dhe u ul në bankën ku ishe unë vetëm mbasi mungonte shoku i bankës atë ditë… M’u afrue tek veshi dhe më tha këto fjalë: “Kjo është ora e fundit që bëjmë sëbashku mbasi jam transferuar dhe do iki nga Shkodra. Më vjen shumë keq për disa nxënës që po shkëputem. Shiko, Radovani, ruaju fort dhe tregou i kujdesëshem, mbasi drejtori Villa kërkon për të bërë keq”!
Unë u topita nga fjalët e tij, mbasi katër vjet përpara drejtori Skënder Villa kishte arrestue vllaun e madh Alfonsin, që u dënue tetë vjet burg, ndërsa vllaun tjetër Toninin e përjashtoi përgjithmonë nga shkolla me motivacionin “nuk pajtohet me frymën e shkollës së re”, pra, edhe unë ishe në pragun e një vendimi të tillë prej këtij drejtori katil.
Në vitin e dytë (1953) një tjeter profesor, Abdyl Kajanaku na mësonte psikologji dhe landën kryesore, atë të pedagogjisë, me të cilën vlerësohej dhe aftësia e jonë për mësues. Ishte ma i moshuemi i grupit të profesorëve të Elbasanit, por me heshtjen e tij jepte me kuptue shumë. Në dukje jepte përshtypjen se nuk kishte shoqni me profesora të tjerë, po në të vërtetë shihej ma shumë se të tjerët me personelin shkodran, me të cilët ndonjëherë shihej edhe në Fushën e Qelës tue shetit.
Ndërsa në vitin e tretë dy landët e pedagogjisë (teori dhe praktikë) na i jepte profesor Gani Daiu, që njihej si autoritar dhe shumë i aftë. Kur fliste, dallohej në përdorimin e Gegnishtes së Elbasanit. Në fund të vitit 1955 shkolla Pedagogjike u nda nga Gjimnazi dhe në maturë na shkueme në një ndërtesë përballë ku deri atëherë grumbullohej drithi. Me ne erdhi edhe grupi i profesorëve të Elbasanit, prej të cilit drejtor i shkollës Pedagogjike u emnue prof. Gani Daiu, një profesor shumë i pergatitun në të gjitha drejtimet e jetës.
Vendi ku rrotulloheshin karro e qerre me drithë do të kthehej në shesh sportiv e mbrendë ambjenti duhej transformue nga magazina në shkollë… Për ambjentin e mbrendshëm u ngarkue profesor Lazer Kakarriqi dhe per ambjentin e jashtëm profesor Esat Haxhi, dy profesorë të cilët do të mbesin të paharrueshem për brezat që ata vite ishin ndër bankat e asaj shkolle. Me prof. Lazrin u ngarkuem me punue një grup studentash që mbetem miq të përjetshëm, Isa Alibali, Ferdinand Paci, Gjildo Haxhia dhe unë. Mbrenda dy tre muejsh ambjenti u kthye në një shkollë model. Po e njajta gja u realizue edhe në ambjentin rrethues përjashta.
Landën e marksizmit na e jepte sekretari i PPSh së shkollës, prof. Enver Thanasi, i ardhun nga Vlona. Ishte personi ma i lidhun me komitetin e rinisë së shkollës, ku sekretar ishte nxanësi i klasës s’ime Bep Jubani. Kishte tre vjet që ishte antar i komitetit të rinisë së shkollave të cilave i ka sherbye ashtusi donte “partia”!
Në muejn maji, pak javë para mbylljes së vitit shkollor, prof. Thanasi gjen një moment dhe organizon një mbledhje bashkë me sekretarin, Bepin, “me më thye mue dhe Eduard Çiurçisë nga një notë në sjellje, pse u qeshëm… në oren e marksizmit…”. Po mos t’ishte kundërshtue propozimi nga Luçije Abati dhe sikur gjithë kolektivi i klasës mos të mbante krah nga qëndrimi i saj, edhe sot nuk do t’ishe me dokument mature e kushedi ku ishte fundi!
As këshilli pedagogjik nuk e pranoi propozimin e tyne, që si argument kryesor përdornin “biografinë” tonë.
Përfundoi viti shkollor dhe shumica ikën nder fshatra. Bepi me disa “konviktorë” shkuen me studjue jashta shtetit, në Moskë dhe në vende të tjera socialiste… Vitet ecnin si gjithnjë! Kujtime që nuk shlyhen.
Me rasen e 10-vjetorit të maturës, në vitin 1966, unë përgatita një ekspozitë personale, me rastin e grumbullimit të shoqnisë sonë shkollore në shkollën pedagogjike, traditë që vazhdohet edhe sot nga ish studentët e atyne viteve. Fjalen e hapjes e mbajti Ferdinand Paci. Ishte jo vetëm shok shkolle po edhe mik i emi deri në ditën e fundit të jetës së tij…
Një ditë ma parë, pra me datën 24 Qershor të 1966, tue kalue kah Kafja e Madhe, po shoh një burrë me kapelë republika të ndalun tek blini përballë hymjes. Kur u afrova afër shoh se ishte prof. Ganiu, që kishte ardhë nga Tirana për takimin tonë tradicional dhe po fliste me Bep Jubanin. Prof. Ganiu kishte plot 6 vjet që ishte trasferue në një shkollë teknike atje. Prita sa u nda prej Bepit dhe mbasi u përshëndetëm, me kërkesën e tij, hymë me pi nga një kafe. Porsa u ulëm më pyeti për Bep Jubanin. I thashë vazhdoj mos me folë me të që nga mbledhja e fundit të vitit të maturës. Atëherë prof. Ganiu hapi një histori të vitit 1956, kur isha maturant. Aso kohe ai kishte pasë një të njohun të vetin oficer në degën e mbrendshme të Shkodrës, që e kishte thirrë në degë dhe i kishte kërkue mendim si drejtor shkolle, nëse mundej të ishte e vërtetë kjo deklaratë e lëshueme nga sekretari i rinisë komuniste të shkollës, Bep Jubani? – Ky e kishte lexue: “Traktet e hedhura këto ditë në shkollën Pedagogjike, mendojmë se janë shkrue nga Federik Radovani, mbasi ai ka shkrimin e bukur dhe të ngjashëm me këtë të trakteve. Njëkohësisht dy vëllaznit e tij, janë përjashtue nga shkolla se nuk janë pajtue me frymën revolucionare të shkollës sonë”. Në fund kishte firmue Bep Jubani. Prof. Ganiu ishte pergjegj: “Jo, kurrë nuk e ka bërë Fritzi këtë, jo! Unë e njoh mirë dhe ju garantoj se ai nuk është aq i papjekur. Domethënia e kësaj deklarate ka lidhje me një kurdisje të Bepit me prof. Enver Thanasin dhe ka të bëjë me një keqdashje të tyre ndaj Fritzit. Bepi ka punuar shumë për të eleminuar këtë njëri, ai edhe tek unë ka tentuar të më bind per gjëra të tilla… Fritzi nuk është i tillë. Ai është ndër nxënësit më të përgatitur dhe të rregullt të shkollës, për këtë ju garantoj unë e po qe nevoja këto fjalë i thëm edhe më lart”! Ky ishte prof. Gani Daiu nga Elbasani përballë një agjenti sigurimi nga Shkodra!…
Ata profesorë asht e vërtetë që nuk vijnë ma qytetit të Shkodrës!
Ata mësues nga Elbasani ishin edhe prindët tanë, po edhe dashamirë të pashoq!
Asht e vërtetë se kanë kalue shumë vite po ata mbesin të Përjetshëm ndër kujtimet tona!
Shumica vërtetë nuk jetojnë, po emnat e tyne nuk shlyhen asnjëherë nga kujtesa!
Themelet e asaj edukate janë të pashlyeshme!
Edhe sot ajo edukatë vazhdon me nxjerrë filiza tek ajo lulishtë që na kujton aq shumë vepra të përhershme, të atij brezi të Paharrueshem t’Atyne Miqve të Pavdekshëm t’ Elbasanit të Shqipnisë sonë!
E me ata profesora rreshtohen edhe qytetarët e Korçës dhe të qyteteve të tjera…
Ata kujtime shkëlqejnë edhe sot ndër ata gurë të daltuem atëherë!..
Kujtime, kujtime… Kujtime që janë shkrue përjetësisht ndër Gurt’ e Rozafës…
Rozafës, Asaj Plakës së vjetër karrshi Taraboshit…
Melbourne, 28 Fruer 2025.