Albspirit

Media/News/Publishing

Medlir Mema: Gjermania dhe e ardhmja e sigurisë europiane

Zgjedhjet e fundit në Gjermani premtojnëtë hapin një epokë të re për arkitekturën politike dhe të sigurisë në Evropë. Fitorja e Friedrich Merz me Unionin Kristian Demokrat (CDU) sinjalizon mundësinë e ndryshimeve të rëndësishme që mund të kenë jehonë në gjithë kontinentin.

Triumfi i Merz tregon për një rigjallërim të politikës së qendrës së djathtë në Gjermani. Megjithatë, zgjedhjet po ashtu sollën një rritje të ndjeshme të së djathtës ekstreme, me Alternativën për Gjermaninë (AfD) që dyfishoi përqindjen e saj të votave në 20.8%, duke u bërë partia e dytë më e madhe në Bundestag. Ky zhvillim reflekton pakënaqësinë në rritje të publikut për çështje si emigracioni, paqëndrueshmëria ekonomike dhe dështimet e perceptuara të elitës politike.

Formimi i një qeverie të qëndrueshme do të kërkojë negociata të ndërlikuara për koalicion. Alternativa më e dukshme—partneriteti potencial CDU/CSU me Socialdemokratët (SPD), të cilët pësuan rezultatin e tyre më të keq historik me 16.4% të votës—mund të kërkojë kompromisa të vështira politike, veçanërisht në lidhje me reformën ekonomike dhe shpenzimet ushtarake. Balancimi i agjendës së CDU për uljen e taksave dhe deregullimin në kontrast me prirjen e SPD-së për më shumë investime publike do të jetë një sfidë e vështirë qëdo të vë në provë qëndrueshmërinë e institucioneve politike gjermane dhe të vetë koalicionit qeverisës.

Merz ka artikuluar një vizion të politikës së jashtme për një Evropë më autonome, më pak të varur nga mbështetja amerikane. Kjo qasje vjen në një kohë marrëdhëniesh transatlantike të tensionuara, veçanërisht pas retorikës dhe vendimeve të fundit të administratës së presidentit Trump. Zotimi i Gjermanisë për një kthesë drejt vetë-mjaftueshmërisë evropiane mund të çojë në rritje të shpenzimeve të mbrojtjes dhe rishikim të dinamikës brenda NATO-s, duke ndikuar kështu të gjithë arkitekturën e sigurisë evropiane.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Gjermania premton një politikë evropiane më të pavarur. Një retorikë e ngjashme u dëgjua edhe në 2021, kur qeveria e atëhershme në ardhje synonte të nxiste përpjekjet për një investim më të madh nësektorin e mbrojtjes. Politika e shumëpërfolur “Zeitenwende” e kancelarit Scholz, e konceptuar për të shënuar një pikë kthese në strategjinë e sigurisë gjermane dhe evropiane në përgjigje të ndryshimeve të mëdha globale, në fund nuk arriti të sjellë aspak ndryshime të rëndësishme.

Katër vite më vonë, vendi dhe rajoni mbetet ende shumë i varur nga garancitë e sigurisë amerikane, ndërsa integrimi ushtarak evropian vazhdon të përballet me sfida politike dhe logjistike.

Nëse Gjermania është serioze për ndjekjen e autonomisë strategjike, do të duhet të marrë vendime të vështira mbi investimet ushtarake, politikat industriale dhe të ardhmen e aleancave. Por problemi qëndron në faktin se të njëjtat sfida ekonomike dhe politike që e penguan qeverinë e mëparshme për të zbatuar agjendën e saj ambicioze, vazhdojnë ta rëndojnë Gjermaninë edhe sot.

Parashikimi ekonomik i Gjermanisë paraqet një pengesë të madhe për ambiciet e saj. Sipas raporteve më të fundit, aktiviteti ekonomik pritet të rritet vetëm me 0.3% në 2025, pasi kishte pësuar tkurrje në dy vitet e fundit. Situata bëhet edhe mëproblematike kur konsiderojmë që pasiguri të larta rëndojnë mbi konsumin dhe investimet. Kërkesa globale për mallra industriale—një nga eksportet kryesore të Gjermanisë—vazhdon të dobësohet, duke përkeqësuar perspektivën tregtare të vendit.

Për më tepër, plakja e popullsisë, politikat e tranzicionit energjetik dhe polarizimi i brëndshëm politik shtojnë sfida strukturore afatgjata. Nëse Gjermania synon të udhëheqë transformimin e sigurisë evropiane, duhet fillimisht të adresojë stanjacionin e saj ekonomik. Deficiti qeveritar pritet të ulet, duke stabilizuar borxhin publik rreth 63% të PBB, por pa një rritje të fortë ekonomike, mbajtja e shpenzimeve më të larta për investim në sektorin e mbrojtjes do të jetë e vështirë.

Ndërkombëtarisht, qeveria e Merz do të duhet të manovroje me delikatesë një marrëdhënie të ndërlikuar franko-gjermane. Vendimi i presidentit francez Emmanuel Macron për të thirrur zgjedhje të parakohshme verën e kaluar e dobësoi atë politikisht. Kjo do ta detyrojë atë të kërkojë legjitimitet duke projektuar forcë në arenën ndërkombëtare dhe duke marrë një rol udhëheqës në Evropë, përfshirë këtu në lidhje me konfliktin Rusi-Ukrainë.

Ndërkohë, aktorë të tjerë evropianë po forcojnë ndikimin e tyre. Giorgia Meloni në Itali dhe Donald Tusk në Poloni po pozicionohen si lojtarë kyç në gjeopolitikën evropiane. Për ta, motori i famshëm franko-gjerman mund të mos jetë më aq i domosdoshëm—apo aq efektiv—sa dikur. Ende mbetet e paqartë nëse Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe shtetet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore janë të prirura të mbështesin një kornizë sigurie evropiane të udhëhequr nga Gjermania, pa përfshirjen e SHBA-së.

Shumë prej këtyre shteteve do të preferonin një prani të fortë amerikane nën ombrellën e NATO-s dhe mund t’i rezistojnë nismave që reduktojnë rolin e Uashingtonit. Arsyeja e ekzistencës së NATO-s—të mbajë Rusinë jashtë Evropës, SHBA-në brenda saj dhe Gjermaninë nën kontroll—sugjeron se një strukturë sigurie evropiane e udhëhequr nga Berlini mund të mos mirëpritet gjerësisht brenda aleancës. Si rrjedhim, çdo përpjekje për të krijuar një forcë të pavarur ushtarake evropiane ka të ngjarë të përballet me skepticizëm nga këto anëtarë të rinj të NATO-s.

Për më tepër, një strukturë e dobësuar e sigurisë evropiane mund ta inkurajojë Rusinë. Menjëherë pas negociatava në Arabinë Saudite, Rusia u shpreh se do të dëshironte që NATO të tërhiqej në kufijtë e saj të para vitit 1995, përpara zgjerimit së aleancës drejt lindjes. Nëse Moska arrin të konsolidojë fitimet e saj territoriale dhe ekonomike në Ukrainë dhe të bindë BE-në dhe SHBA-në për të hequr sanksionet ekonomike që rëndojnë mbi të, ajo mund të rifitojë ndikim më të madh mbi politikën e sigurisë evropiane. Kjo do të përbënte rreziqe të konsiderueshme për stabilitetin e Evropës, veçanërisht për shtetet në vijën e parë të konfliktit si vendet Baltike dhe Polonia.

Kina mbetet një faktor i rëndësishëm i jashtëm në sigurinë evropiane. Pekini ka interes të balancojë ndikimin amerikan, duke siguruar që çdo afrim mes Uashingtonit dhe Moskës të mos vijë në dëm të tij. Për më tepër, Kina mund të kërkojë të shfrytëzojë ndarjet brenda Evropës për të thelluar lidhjet ekonomike me shtete të veçanta të BE-së, duke dobësuar kështu qëndrimet e përbashkëta mbi sigurinë evropiane.

Lidhjet ekonomike të Gjermanisë me Kinën gjithashtu e komplikojnë situatën. Ndërsa Berlini ka shprehur shqetësime mbi ambiciet gjeopolitike të Kinës, ai mbetet i ndërlidhur ekonomikisht me Pekinin, veçanërisht në sektorët e prodhimit tëmakinerive industriale dhe të teknologjisë. Siç kemi parë gjatë viteve të fundit me përpjekjet e Gjermanisë për t’u shkëputur nga varësia e saj e thellë ndaj burimeve energjitike ruse, marrëdhëniet me Kinën, krahas përpjekjeve për të krijuar hapësirë për një autonomi më të madhe evropiane, do të kërkojnë një lojë shumë delikate.

Çfarë nënkupton se me përfshirjen në rënie të SHBA-së në sigurinë evropiane dhe me rritjen e përçarjeve brenda BE-së, vendet e Evropës Juglindore mund të përballen me paqëndrueshmëri edhe më të madhe. Një kornizë e fragmentuar e sigurisë evropiane mund të krijojë hapësirë për njëfuqi rajonale si Serbia që synon të rrisë ndikimin e saj, duke destabilizuar rajonin.Për më tepër, mungesa e një qasjeje të bashkërenduar nga ana e Bashkimit Evropian mund të lejojë aktorë të jashtëm, si Rusia dhe Kina, të thellojnë praninë e tyre në rajon, duke ndikuar në ekuilibrin gjeopolitik.

Në këtë kontekst, vende si Shqipëria duhet të rishqyrtojnë politikat e tyre të jashtme dhe të sigurisë, duke forcuar aleancat tradicionale dhe duke kërkuar partneritete të reja strategjike për të mbrojtur interesat e tyre. Shqipëria duhet të mbetet vigjilente për të mos u kapur në manovra gjeopolitike që mund të dëmtojnë sigurinë dhe pavarësinë e saj politike dhe ekonomike. Në vazhdimësi të kësaj politike, Shqipëria duhet të vazhdojë të forcojë lidhjet me Kosovën, duke siguruar që sovraniteti dhe integriteti i saj territorial të mbetet i pacënueshëm ndaj presioneve të jashtme.

Rezultatet e zgjedhjeve në Gjermani paralajmërojnë një periudhë transformimi dhe pasigurie në rritje. Ardhja në fuqi e CDU/CSU në një periudhëndryshimesh tektonikenë rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare do të formësojë jo vetëm të ardhmen e Gjermanisë, por edhe drejtimin e sigurisë dhe tëunitetit evropian. Ndërkohe, Evropa po përjeton destabilitet të brendshëm, pasiguri ekonomike dhe pasojat gjeopolitike që rrjedhin nga një partneriteti transatlantik më pak të qëndrueshëm.Nëse Gjermania do të jetë nëgjëndje t’i rekthejë stabilitetin dhe rëndësinëkontinentit apo jo, qëndron për tu vërtetuar në të ardhmen jo shumë të largët.

*Medlir Mema është Drejtor i Programit për Inteligjencën Artificiale dhe Qeverisjes Globale në Institutin e Qeverisjes Globale, Bruksel. Ai gjithashtu është Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Brigham Young University në Idaho, SHBA.

Please follow and like us: