Ardian Dhana: Pse shqiptarët nuk duan të kthehen në Shqipëri?
Shpeshherë në jetën tonë të përditshme, në studiot televizive apo edhe në tavolinat e bisedimeve, bëhet me djallëzi pyetja: Pse nuk duan shqiptarët të kthehen në Shqipëri? E them me “djallëzi” sepse kjo temë delikate dihet nga të gjithë dhe përgjigjet janë të qarta, por duhen ndezur debate sepse studiot bëjnë më shumë para. Dhe diskutimet fillojnë të zjarrta dhe përfundojnë me rrahje në sytë e moderatorëve. Djallëzia gjithashtu qëndron edhe në faktin se ata që diskutojnë këto tema hiqen sikur me të vërtetë na duan ne të kthehemi mbrapsh. Me të vërtetë? Kush na do ne që të kthehemi? Vatani, Atdheu, Qeveria, Bagëtia apo Njerëzit që kanë mbetur pas? Hipokrizi! Hajde Ardian se po të pres të kthehesh në Shqipëri ku ke lënë tokën (që nuk e mora fare), atdheun që më përzuri, qeverinë që të pushoi nga puna! Kujt iu hap barku për ne? Çfarë hipokrizie!
Atëhere le të fillojmë me analizën psiko-social-ekonomiko-politike. Arsyet janë si më poshtë:
- Skënderbeu u kthye me 300 kalorës sepse e kërkoi vendi në rrezik por Hamzai, me sa di unë, nuk e kthye. Pellazgët dhe Ilirët që u shpërndanë nëpër gadishull edhe më larg nuk u kthyen më deri sa u asimiluan. Rilindasit që u larguan gjithandej, ca u kthyen, ca vdiqën jashtë territoreve shqiptare. Zogu që u largua nuk u kthye më, por u kthye djali i tij për të marrë fronin e të atit. Në kohën tonë moderne, ata që u larguan në kohën e Enverit, që u arratisën me not apo nga kufiri nuk u kthyen më, vetëm të vdekur. Pra ç’duhet të bëjnë ata që u larguan në kohën e anarshisë? Sistemet politike në Shqipëri kanë nxitur dyjëzimin e shqiptarëve. Shqipëri-Kosovë, komunistë-ballistë, socialistë-demokratë në luftë me njeri-tjetrin për çfarë? Për t’u kthyer mbrapsht? Jo jo, në luftë për Pushtet, Para, Pozitë, Persekutime dhe Plumba. Në fund të fundit, në kohën tonë moderne ata që u futën në ambasada, që sakrifikuan edhe jetën në anijet, që u spastruan nga vendi, që u përzunë nga sistemi “demokratik” ishin “persona nongrata”nga qeveritë e tyre nga udhëheqësit e tyre politikë dhe elementë opozitarë të politizuar. Kjo është Politika e shqiptarëve ndaj shqiparëve. Prandaj mos më thuaj se “shqiptarët e duan njeri-tjetrin”.
- Revolucioni mendor, që është bërë në disa vende të botës si në Kinë, Izrael etj është një domosdoshmëri për shqiptarët që të injektohet në AND e tyre dashuria për gjuhën shqipe, familjen, njerëzit, shqiptarët e tyre pa harruar edhe sokakët e gurta të Gjirokastrës dhe Beratit. Revolucioni mendor për të gjithë shqiptarët duhet të fshijë një herë e mirë dasitë, mllefet, inatet, dashakeqësitë, xhelozitë dhe planet e shkatërrimit dhe nguljes së thikave pas shpine. Edhe kombe të tjera e patën këtë problem. Hebrejtë, të marrim një shembull, u ngritën mbi të gjitha këto neuroqeliza të dëmshme dhe e ndihmuan njeri-tjetrin dhe të tjerët nuk guxuan dot të ankoheshin sepse atë nxorrën një ligj “defamimin antisemit”. Edhe shqiptarët kanë nevojë për një ligj “antishqiptarizmi” që kur vepron kundër interesave të shqiptarëve duhet të ndëshkohet. Shumë personalitete e kanë theksuar se “e keqja e shqiptarit është vetë shqiptari” dhe unë e kam vërtetuar këtë aksiomë të personaliteteve letrare politike të kohës. Thika pas shpine të gjakos më shumë kur ta fut shqiptari yt, baxhanaku yt, vjehrra, kunata, gruaja se sa një i huaj.
- Kur shqiptarët u larguan në kohët moderne nuk gjetën kopshtin me trëndafila, pritjen me gjel deti si pilgrimet apo jetën e begatë të elizës në botën e çudirave. Emigracioni dmth largimi nga vendi ynë nuk ishte një “champagne party with the cherry on the cake”. Ne kemi sakrifikuar deri në vetëmohim të të drejtave tona dhe vetvetes. Jemi shkolluar me sakrificat të kohës, ato financiare, familjare dhe kemi arritur në majat e sukseseve personale. Dhe t’i hedhësh poshtë të gjitha këto 5, 10, 20, 30 vite poshtë se të kërkon vendi yt që të mbarështrosh dhen e dhi apo të bësh bujqësi? Kjo është e pamundur.
- Pasi shqiptarët janë larguar nëpër botë dhe kanë vuajtur jashtë mase deri sa kanë arritur diçka për vete dhe familjen e tyre nuk mund t’i braktisin ato arritje dhe të kthehen në Shqipëri. Ata janë përshtatur, kanë krijuar familje, janë martuar, kanë lindur edhe fëmijë në vendet ku kanë shkuar. Dhe ti një politikan mediokër më thua mua se duhet të kthehem të kontriboj në Shqipëri Unë të them se ti je një xheloz i sëmurë, një malukat shpirtzi apo një demagog injorant që kërkon të fitosh votat dhe poste. Nuk ka shanse.
- Kur ne jemi larguar nga Shqipëria që na donte shumë, dhe për rastin tim, me dy fakultete dhe katër gjuhë dhe me eksperiencë me kompani të huaja, Amerika e re apo Evropa plakë nuk na ofroi vende pune, pagesa apo jetesë të barabartë me vendit tonë. E filluam çdo gjë nga a para, nga zero. Diplomati shqiptar punoi kuzhinier, gazetari në pizza, doktoresha në pastrime, aktori i humorit si pjatalarës, inxhinieri si janitor dhe profesori si security. Pasi punuam fort dhe studiuam me sforco arritëm në ato pozicione dhe biznese që dëshironim. Ndërkohë, nuk morën as përfituam asgjë nga vendi ynë mëmëdhe dhe 30 vite të larguara krijuan një boshllëk. Edhe sikur të kthehemi ne në Shqipëri, nuk do gjejmë asgjë aty, jo sepse origarkët kanë vjedhur për 40 vite por gjithçka është “ tokë a marrun” dhe ne jemi si në vend të huaj, pa shtëpi, pa biznes, pa punë, pa para por ti i dashur shqiptar dëshiron që unë të kthehem në një tokë djerrë? Edhe diçka. Mora vesh që edhe bizneset e mia në Amerikë nuk pinë ujë aty në Shqipëri dhe unë duhet të filloj nga e para. Po pse sa vjet rron njeriu? “Ku ka kohë çeta të presi sa të mblidhet fshati”.
- Shqiptarët e edukuar në vend dhe jashtë shtetit nuk dëshirohen as në botë as në Shqipëri. Vagabondët dhe hajdutët e kanë marrë vendit peng dhe ne rrezikojmë edhe jetën po të kthehemi aty. Prandaj them se është djallëzi dhe propogandë.
- Meqë dolëm tek siguria. Në Shqipëri me gjithë nofkat si “shtet narkotik”, “vend i tretë” siguria e shtetasve mungon dhe nuk ka nevojë tua provoj juve që jetoni çdo ditë. Sapo ndodhi rasti në Shkodër. Rrahjet, vrasjet, vjedhjet, aksidentet, plaçkitjet, deri tek vrasjet janë të përditshme dhe ti më thua “kur të vish merr edhe fëmijët me vete të vizitojnë Shqipërinë”. Haha shaka me kripë. Shqiptarët nuk vijnë në Shqipëri për të vdekur megjithëse një miku im citon me ironi se “Shqipëria është një vend i mirë për të vdekur”.
- Sapo lexova një post në facebook: “ Shqiptarë , Atdheu është si foleja e dallandyshes, vjen çdo vit aty ku ka folenë” dhe përgjigja ime ishte “kur largohet dallandyshja, folenë dhe zogjtë e saj i ha korbi, skifteri, gjarpëri dhe fajkua dhe kur vjen dallandyshja dhe gjen folenë bosh, ajo shtegëton përsëri”. Shqipëria është bërë shumë mos mikpritëse për shqiptarët e diasporës. Shpjegoj se në Shqipëri nuk bën dot një biznes pa kuar klanin e Metës ose pa dhënë 10,20,30% haraçin e kishës. Aty duhet të vish me para të madhe. Pyes një mik se kam një dëshirë “call of the wild” që të vij të punoj aty. Më tha punë nuk ka, por po pate ndonjë milion dollarë edhe mund të kapësh ndonjë post. Kur them 1 million dollarë, i kam thënë të tëra.
- Kur kemi vizituar vendin tonë për një kohë të shkurtër si për të tatuar pulsin nga një dallandyshe e mërguar, kemi vënë re jetesa në Shqipëri po bëhet edhe më e shtrenjtë. Një shtëpi nuk e blen dot, transporti i rrezikshëm, makina të shtrenjta por ato kane edhe shpenzime, nafta e shtrenjtë, trafik i paparë edhe shofera trutharë. Kemi harxhuar 5000-10000 dollarë për një muaj dhe kemi pyetur veten: si mund të jetojmë këtu me 500-1000 Euro në muaj? Bello impossibile! Jeta në Shqipëri për ne nuk është rritje apo përmirësim, por një “downsize-zvogëlim” në gjithçka.
- Ja, arritëm edhe në aeroport. Më kujtohet ai skeçi i Landit që vinte puthte tokën mëmë dhe Landi që largohet dhe shfrynte e shante me duf. Trafik në aeroport, rrugë të ngushta dhe me punime. U nisëm për në Durrës për në plazh. Zumë hotelin nga halli se nuk kishim as shtëpi jo si politikanët tanë që në hotel shkojnë për qejf me të dashurat e zemrës. Hapësirat publike nuk egzistojnë më. Por lamë edhe leshtë në plazh me shelongjet. Një rrogë Shqipërie merr me qira një zhezlong në ditë për një muaj plazh dhe pastaj “ngrohu në diell”. Në plazhet amerikane shkon në çdo moment të ditës, merr një çafe dhe një sandwich dhe rri sa të duash. Jo në Shqipëri. Atje edhe mund të rrihesh si në Velipojë. Kur të vijë puna tek ushqimi duhet të mbash prapanicën me dorë jo vetëm sepse ushqimet janë të shtrenjta por edhe të preventosh ndonjë diarreja nga ushqimet e keq gatuara. Shërbimi është mizerabël. Pronari kosovar na ngriti edhe nga tavolina ku po hanim byrekët me dhallë të tij. Çfarë shërbimi? Rekomandoj të mirrni ndonjë kurs Taekwando sepse mund të sherrosesh në çdo moment. (Unë kam black belt).
- Në vendet ku ne jemi vendosur, marrim mesatarisht 5000-10000 dollarë në muaj prandaj na tepron edhe ndonjë lek për pushime. Po të kthehesh në Shqipëri dhe të paguhesh 500-1000 euro në muaj, si do i përballosh shpenzimet mujore? A e ka menduar qeveria ndonjë herë këtë çështje apo vetëm dëshiron kthimin tonë të dashuruar me rërën e plazhit. Ajo pagesë nuk të del për pushime, insurancë, pension, makinë, arsimim apo ndonjë investim privat pensioni. Kur ti sigurojë qeveria këto, atëhere kthehem unë sidomos të më paguajë me rrogën e këtushme. Në qoftë se më jep edhe ndonjë tender, kjo më josh më shumë. Salillari nuk ka ndonjë veti më shumë se unë. Dypunësimin harroje dhe hajdutërinë konsideroje në plan të parë. Tani duhet paguar edhe EKORR-i.
- Transporti privat dhe parkimi është një gangrenë në Shqipëri dhe ne e ndjejmë shumë kur vijmë aty sepse jemi mësuar pothuajse me hapësira të mëdha dhe falas parkimi. Në Tiranë e ha gjobën e parkimit nga policia me flurudhë të fshehtë se nuk e sheh se nga të vjen fshehurazi. Ka biznese pa parkime, rrugë dhe shtëpi ku nuk gjen një parkim kur vjen në shtëpi në darkë, lokale pa parkime, vende pune pa parkime. Vetëm mund të parkosh tek Tegu apo Toptani center. Tirana është një qytet për të rinjtë por jo për më të moshuarit. Edhe unë kur isha i ri, në këmbë e bridhja Tiranën, nga Porcelani në Kombinat dhe nga stacioni i trenit tek Qyteti Studenti.
- Që të mbyll këtë diskutim të pafund, shqiptarët nuk kthehen në Shqipëri edhe për faktin se nuk ka përfitime “benefits” si insurance jete, mjekësore, dentare, pensione, investime. Unë të kuptoj çfarë po mendon ti. Pse ne që jetojmë këtu, po vdesim? Jo jo se politikanët kurohen jashtë të tjerët po harxhojnë pensionin për të blerë ilaçe dhe vizita doktori. Për më tepër edhe fëmijët tanë që kanë lindur në vende të tjera dhe janë shtetas të atyre vendeve nuk të kthehen në Shqipëri për demokraci. Ne që kemi krijuar një mënyrë jetese me një biznes të vogël, nuk do braktisim sakfificat tona se po na kërkon qeveria për fushatë elektorale. Dhe kjo besoj i vë pikën mbi ‘I’ të gjithë këtij diskutimi skeptik, mediatik dhe manipulues për folenë e dallandyshes.
Boston, MA 2025.