Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Drenusha

Ishte natë dimri, natë e ftohtë, ku ngrohtësia mbetej si shije e ushqimit që dëshirohet kur ndjen uri. Ndjeja të ftohtin të më mbërthente trupin ngadalë. U ngrita të shihja përse nuk ngrohte më oxhaku. Drutë ishin djegur dhe hiri kishte mbuluar gjithçka.

Iu fryva me butësi, si të kërkoja ndihmën e thëngjijve të mos shuheshin për të më lënë nën ethet e të ftohtit. Shtyva ngadalë thëngjijtë që kishin mbetur të vakur pranë njëri-tjetrit, dhe shtova drutë si të ndërtoja një kështjellë. Mendimi se zjarri duhej të ndizej shpejt, më shtonte më shumë ndjesinë e të ftohtit, sa për një çast m’u kujtua filmi me drenushën, film që më dhuronte një ngrohtësi të çuditshme. Drenusha që kërkonte të voglin e saj nëpër terrin e natës me dëborë të dendur…

Ishte një film që ngjante aq shumë me jetën e gjithkujt, me dashurinë e nënës për të voglin e saj, dashuri që kishte marrë udhën të kërkonte nën dritën e shpresës, tek i largohej dëshpërimit për humbjen, tek çante dëborën me forcën e vullnetit, me forcën e shpresës se i vogli i saj ishte diku atje, tek e priste, tek e shihte me sytë e dashurisë që përqafon shpirtin e tij, shpirtin e saj. Ajo drenushë u bë aq e dashur për mua, ndjenjë që u fut brenda meje tek përcillte me gjuhën e saj emocione, prej të cilave vizatoja brenda shpirtit drenushën, të voglin e saj, tek përqafoheshin me brirët, tek lëpinin njëri-tjetrin me shenjën e dashurisë, shenjë e ngrohtësisë që përcjell gjuhën e komunikimit shpirtëror, krijesa që dhurojnë dashuri me gjuhën e krijimit…

Thëngjijtë filluan të merrnin frymë, të merrnin dritë. I shtyva me mashën e gjatë tek afroja copat e drurëve pranë njëri-tjetrit. Ethet e të ftohtit po largoheshin ngadalë. Zjarri i vatrës merrte frymë teksa ndriçonte me ëmbëlsinë e tij, dhe përsëri kujtova drenushën, ngjarjen e saj të kthyer në skenar filmi, por që për çudi ky skenar është vetë jeta. Çdo nënë e kërkon të voglin e saj, çdo nënë nuk do e humbiste të voglin e saj, çdo nënë e humbet qetësinë e shpirtit kur nuk e ka pranë të voglin e saj. Shpirti i nënës del e kërkon nëpër natë, pa pyetur se i ftohti të ngrin gjymtyrët, se i ftohti dhe nata janë pusia e egërsirës, e së keqes, e drenusha nuk ka frikë, e nëna nuk ka frikë, tek sfidon errësirën, të ftohtin, tek kërkon me dritën e shpresës se do ta gjejë, do ta mbrojë, do ta përqafojë dhe do ta marrë me vete, shpresë që nuk lodhesh brenda shpirtit tek dhuron dritë. Drita e shpresës udhëhiqte drenushën-nënë, i ngrohte gjymtyrët në kërkim, e nuk ndalte tek kërkonte si çdo nënë kur ndjen që i vogli i saj po e thërret, po e kërkon, është në rrezik, po e pret, gjuhë e dashurisë nënë e bir, që edhe pse larg nga njëri-tjetri duhen aq shumë, tek flasin, tek ndjejnë në largësi praninë e njëri-tjetrit, ashtu si kjo drenushë-nënë, tek ndjente aromën e të voglit të saj të fshehur diku nga frika, prej të ftohtit, prej errësirës, i humbur në pavetëdijen e tij, por nëna drenushë … oh shpirti i saj, nuk lodhej tek e kërkonte, tek ecte pa frikë, dhe ja, sytë e saj shndritën nga gëzimi, tek e pa të strukur prapa një shkurreje, të mbledhur kruspull dhe pa shpresë…

Oh gëzim i dashurisë, tek ju afrua dhe e përqafonte me brirët e saj, tek e lëpinte me gjuhën e saj të ngrohtë për t’i dhënë shpresën e jetës, se ajo gjendej pranë tij, se ishte me të e nuk do të ndahej më kurrë prej tij…

Oh i vogël dhe i paditur, që sapo ke filluar të kuptosh se ç’është frika, ç’është dashuria, ç’është gjuha e jetës që po flet me moshën tënde, tek rritesh dita-ditës dhe kupton, se është Nëna dashuria e parë dhe e fundit që kurrë nuk të braktis, që kurrë nuk të lëndon, që kurrë nuk të largon prej vetes edhe kur ti…

Oh i vogël, që nuk kupton me largimin tënd, se shqetësimi i dashurisë të ndjek dhe të gjen atje ku je fshehur, atje ku frika të ngrin gjymtyrët e shpirtit e më nuk ke jetë por frikë, frikën e humbjes, frikën e braktisjes…

Zjarri shndriste me ngjyrën e tij prej ëndërrimi, dhe unë ngrohesha ngadalë duke shijuar atë ngjarje-mesazh prej së cilës u ngroha atë natë, mesazh që më shoqëroi tek ndizja zjarrin dhe më nxiti të merrja bllokun e të shkruaja për dashurinë e nënës që kërkon të voglin e saj, si tek filmi me drenushën, e lumtur që e gjeti përsëri dashurinë e shpirtit të saj, tek u kthye në folenë e dashurisë, ku ngrohtësia të mbyll qepallat me gjumin e ëndrrës më të bukur…

Për çudi fillova të shkruaj, por jo për drenushën, por për Nënën që nuk e humbet të voglin e saj, por e ruan dhe e drejton në stuhitë e jetës, skenar i shkruar nga shpirti i një Nëne që dhuron dashurinë e saj për gjithçka të bukur në jetë.

Please follow and like us: