Albspirit

Media/News/Publishing

Afrim Rexhepi: Mbi romanin “Dritarja e Marin Shkrelit” nga Ndue Ukaj

Afrim Rexhepi: Albanizma e qëndresës

Interpretim i romanit Dritarja e Marin Shkrelit nga Ndue Ukaj

Ndue Ukaj është njëri nga shkrimtarët e theksuar të letërsisë së sotme shqipe. Shkrimi i tij po shënon një vlerë të shtuar në letërsinë bashkëkohore shqipe. Mbi një diskurs të ideve nacionale e universale, Ukaj shënon qenësimin e veprës së vet, në dimensionin estetik e kulturor shqiptar. Është një shkrimtar e lexues intertekstual, me një erudicion të ngjizur nga kultura euro – perëndimore. Kritiku dhe shkrimtari postmodern Adil Orulli thekson faktin “që Ndue Ukaj është shkrimtar i theksuar, jo vetëm në zhanrin e poezisë dhe tregimit, por edhe në zhanrin e romanit”. (Orulli, 2023: 169). Studiuesja Elsa Skënderi, thekson faktin” që romani Dritarja e Marin Shkrelit, është një mimesis i fuqishëm i kujtesës për të djeshmen e luftës në Kosovë … ku transfigurohet e djeshmja e afërt historike dhe ankthi post – traumatik i gjetjes së kuptimit të ekzistencës”. (Skënderi, 2023: 174).

Në romanin që është objekt i gjykimit, si dukuri letrare e përsëritur dhe e përsëritshme, por edhe si motiv gravitacional shfaqet jeta kombëtare e kaluar nëpër ngushticat e ekzistencës, lufta, shtypja, dilemat ekzistenciale e identitare, krijohet tema e qëndresës kombëtare, konteksti historik i tekstualizuar “aktualiteti i shndërruar në esencialitet, për të krijuar mesazhin kombëtar të qëndresës, si shenjë e jetës autentike e identitare, si në të shkuarën, si sot”. (Hamiti, 2010: 57).

Një temë e përsëritur, e përsëritshme dhe e përjetshme ndër brazat e kohës tragjike, e tekstualizuar përmes pikshikimit në horizont të dritares së personazhit Marin Shkreli ku ra një mjegull e dendur dhe ku gjithçka filloi në pranverën e vitit 1989, terrori, frika dhe zotërimi i territ të pafund. Dukuri kontekstuale kjo, e konfiguruar në tekst, qëndresa e kombit tonë nëpër shtjellat e kohës, e realizuar në tekst, edhe si varijantë e rigjenerimit shpirtëror të vetëdijes kombëtare, edhe si metaforë universale e qëndresës kombëtare. Kjo shpjegohet me faktin që romani Dritarja e Marin Shkrelit, ka karakter të narrativës gjeneruese në romanin e sotëm shqiptar (diegesis, narratio), në kuptimin që i jep Aristoteli, imitimi i dramacitetit të njerëzve në periudha të caktuar kohore. Tema e luftës, trauma historike e shtjelluar përmes rrëfimit reprezentativ, është një nga faktorët për ta njohur më mirë sakrificën e madhe të popullit tonë, që në fund të shekullit XX, do të pëballet me një eksod masiv, dhe kur përthehet në roman, shënon mundësinë e rinjohjes më të thellë të historisë jo të largët të një populli të përvuajtur por sublim në qëndresën e vet shekullore. Romani në fjalë i N. Ukajt, shënon faktin që e kaluara nuk është thjeshtë një kujtesë, por duhet të artikulohet për t’u bërë kujtesë, pra memoria është rrëfim, e letërsia art mnemonik, është krijuar nga kujtesa, e kujtesa e konfiguruar është memorie narrative.

“Deri me tani, as ne dhe as të parët tanë, s’kemi pritë mëngjes pa trishtim e mbrëmje pa ankth. Zgjoheshim pa e ditë se si do të na zinte muzgu i mbrëmjes dhe na përpinte errësira me tingujt e saj të frikës, pa e ditë se çfarë do të prisnim në mëngjesin e ri. Dhe këto dilema për ne s’ishin njëlloj si për pjesën tjetër të botës, kishin trajtë tjetër, ishin dilema të tmerrshme e mizore, të një jete të shtypur e tinëzare, që ishte më pak se jetë, një hije e jetës së vërtetë”. (Ukaj, 2023: 9).

Tema është thelbi ideologjik i romanit, përcaktohet nga autori ose identifikohet nga kritiku. Në kontekst, tema e qëndresës nacionale, në roman, shtjellohet në esencë letrare, si ide makrostrukturore e veprës. Tema si tërësi idesh dhe imazhesh, identifikohet brenda traditës letrare shqipe, merret  nga tradita dhe përthehet në një formë (të re) specifike, kalohet nga një tematikë, në një poetikë. Nga këndvështrimi sinkronik, tema zgjidhet ose klasifikohet, ndërsa nga këndvështrimi diakronik, përmes invarianteve semantike, përthehet në forma të caktuara, pra evoluon. Sipas Sabri Hamitit, kur tema shqiptare përthehet në letërsi, quhet Albanizma. Në fakt, Çështë Albanizma? Albanizma ka të bëjë me një nocion që përfshin identitete kulturore dhe letrare shqipe, domethënë, karakteristika të përsëritshme dhe të përsëritura të kësaj kulture dhe të kësaj letërsie të cilat duken në shoqëri dhe reflektohen në letërsi. Për shembull, duke iu referuar të kaluarës kombëtare, Albanizma është tema e qëndresës së një populli, e përthyer në letërsi, një populli me histori tragjike që siç thuhet në romanin gjykues, “copëzash historish, që i rrin rreth e përqark popullit, histori të llahtarshme si pllaka betoni që i ka mbi kokë”. (Ukaj, 2003: 21).

Temën e qëndresës, e gjen të përthyer si esencë në forma të ndryshme letrare, për shembull, te romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, te romani Kështjella, te novela Kush e solli Doruntinën të Ismail Kadaresë e shembuj të tjerë nga autorë të tjerë të traditës letrare shqipe. Pra, Albanizma si dukuri identitare, si proces i semiozës në letërsinë shqipe, e përsëritur dhe e përsëritshme në historinë e formave letare, është e dallueshme dhe në funksion. Albanizma si koncentrate shqiptare, të përsëritshme e të përsëritura ndër breza, veçanti që e bëjnë letërsinë shqipe, të dallueshme nga letërsitë të tjera, edhe të rajonit, edhe të botës. Nga kritika letrare, Albanizma është cilësuar si një vepër që shpreh vullnetin dhe dëshirën që më në fund ne shqiptarët të flasin për vetveten.

Duke iu referuar konceptit teorik Albanizma të Sabri Hamitit, kërkesa e tij që fenomenet psiko – historike, nyjat botëkuptimore si albanizma, t’i shohim si fenomene jetësore – kontekstuale, në romanin Dritarja e Marin Shkrelit, është e realizuar përmes qëndresës nacionale. Romani është mimesis i një ngjarje tragjike që vërtet ka ndodhur në të kaluarën jo të largët, është koha e frikës dhe territ, është koha e të jetuarit në robëri dhe pastaj Lufta e Kosovës për liri. Si fenomen letrar, qëndresën nacionale, e shohim të përthyer në formë letare, edhe në rrëfimin romanesk me titull Dritarja e Marin Shkrelit, “Por, që të rrëfejë, njeriu duhet të përtërijë ngjarje, njerëz, një botë që s’është më, që s’kthehet kurrë më; duhet të kujtojë çastet që s’mund të përsëriten dhe kjo është dhimbje pa ngushëllim”. (Ukaj, 2023: 23).

Fenomenin e qëndresës, e shohim të realizuar edhe si esencë me funksion ripërtëritës, të thurur në veprat letrare bashkëkohore dhe të traditës. Fenomenin e qëndresës nacionale, me funksion të semiozës, të përsëritur në veprat letrare, e shohim edhe në romanin Dritarja e Marin Shkrelit, por e shohim në veprat e shumë shkrimtarëve të traditës letrare shqipe, pastaj që nga  etnomuzikologjia e lashtë shqiptare, këngët me iso, iso-polifonia toske, një monument identitar dhe kulturor shqiptar. Vjen si këngë nga trashëgimia e lashtë kulturore, me mesazhin shekullor të qëndresës tonë nacionale, si këngë e qëndresës shqiptare.  Modeli teorik për një poetikë historike të shqipes të Sabri Hamitit, një model teorik më i avansuar për sistematikën e letërsisë shqipe, nuk flet vetëm për shkrimin shqip, nuk flet vetëm për letërsinë shqipe, por flet edhe për botën shqiptare. Në Poetikën historike, në pjesën Albanizma, pos Kullës, Kështjellës e Besës, flitet edhe për qëndresën, e definuar si strukturë identitare kulturore, me pamje letrare, dukuri që përmes përthyerjeve në forma letrare, shkon përtej një kohe e hapësire letrare, ngjashëm si: flijimi, legjenda, gjaku, besa, mërgimi, vetmia, qyteti, gjuha etj. “Një jetë autentike, e përthyer në letërsi autentike” – shënon studiuesi Sabri Hamiti. Në kontekst të sistemit teorik të Sabri Hamitit, e shohim edhe romanin Dritarja e Marin Shkrelit, një vepër letrare kjo që përmes përthyerjes së fenomenit të qëndresës shqiptare, të flijimit e të sakrificës, shënon identitetin e vet në letërsinë autentike shqiptare. Romani në fjalë, jo vetëm që shënon statutin e memories si mimesis, por edhe si një lloj zhanri përcaktues i rrëfimit, madje, në letërsinë e sotme shqipe, fuqishëm e afirmon romanin si një memorie të estetizuar për të kaluarën tonë të afërt.   

Në konferenca të ndryshme shkencore, thotë Sabri Hamiti, shpesh ka ndodhur që studiues të huaj të më pyesin në lidhje me sugjerimin tim për monumentet identitare dhe kulturore shqiptare. Duke njohur vlerat për identitetin e kulturës shqiptare, kam sugjeruar tre monumente: Historinë e Skënderbeut të Marin Barletit, Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe Këngët e Kreshnikëve, monumente identitare këto që lidhen me qëndresën tonë kombëtare, e përthyer edhe në një formë letrare, në romanin mbresëlënës Dritarja e Marin Shkrelit të Ndue Ukajt, sa për ta përsëritur mesazhin shekullor të qëndresës tonë nacionale.

REFERENCA

  1. Hamiti, Sabri. (2010) Poetika historike, Prishtinë.
  2. Orulli, Adil. (2023) Një shëtitje rrëfimtare në të kaluarën dhe në të tashmen, në Ndue Ukaj,  Dritarja e Marin Shkrelit, Onufri, Tiranë.
  3. Skënderi, Elsa. (2023) Romani Dritarja e Marin Shkrelit, Ndue Ukaj Dritarja e Marin Shkrelit, Onufri, Tiranë.
  4. Ukaj, Ndue. (2023) Dritarja e Marin Shkrelit, Onufri, Tiranë.

https://exlibris.al/afrim-rexhepi-albanizma-e-qendreses/?fbclid=IwY2xjawI0H9ZleHRuA2FlbQIxMQABHS8VN88l17m8Bi_x-FB_YpaenQ_6TCYXEpse96J4FBEqGZM9QuWlR0YGAQ_aem_220ZHhIKn-KNhYQkv02jPw

Please follow and like us: