Albspirit

Media/News/Publishing

Monografia e Gaçes, një monument për poezinë shqipe bashkëkohore

Çerçiz Loloçi

Pothuaj dy vjet më parë studiuesi i njohur dhe profesori universitar Bardhosh Gaçe erdhi para lexuesve me një botim disi të veçantë “Letërsia bashkëkohore shqiptare-poezia”, botimet Maluka e me parathënie nga prof. Roland Zisi, që është një përpjekje serioze dhe shteruese për krijimin poetik në viset tona nga Lufta e Dytë Botërore e deri në kohët e sotme.

Siç ngjet rëndom edhe në vende të tjera, po edhe në Shqipëri ka gjithmonë dy lloj monografish, një prej grup autorësh nën kujdesin e Akademisë së Shkencave apo të një dikasteri qeveritar dhe tjetra si një punë individuale nga një njohës dhe ndjekës i vëmendshëm i letërsisë. Sigurisht që një botim i tillë mund të kryhej nga të gjitha fakultetet e filologjisë në qytetet universitare, por fakti që kjo realizohet në Vlorë, vlerësimet shkojnë si për autorin ashtu edhe për institucionin. Fillimisht duhet thënë se kjo monografi është një ndihmesë më tepër në vargun e botimeve të mëparshme dhe një nxitje për të mos qenë e vetme në një periudhë prej më shumë se tri dekadash.

Botimi voluminoz, i konceptuar në katër pjesë, qëmton me kujdes lëvruesit më ndikues të poezisë shqipe në disa periudha kohore, duke sjellë të përbashkëtat dhe dallimet që shkojnë deri te secili autor. Në pjesën e parë zënë vend vështrimet për 33 poetë si dhe disa krijues arbëreshë duke krijuar kështu hartën e republikës së poetëve që kanë lënë gjumë të pashlyeshme. Në këtë pjesë autori ka veçuar Mitrush Kutelin për aktualitetin e përhershëm dhe Sejfulla Malëshovën si bard i atdheut e lirisë, Petro Markon e tri epokave dhe Arshi Pipën e misionit qytetar, Martin Camaj e poetizimit të miteve dhe Esat Mekulin e mesazheve të mëdha, Ismail Kadarenë e metaforës dhe simbolit dhe Dritëro Agollin e poezive tematike, Fatos Arapin me hapërsirat universal e kështu me radhë Dhori Qirjazin e Jorgo Bllacin, Koçi Petritin e Din Mehmetin, Rrahman Dedajn e Enver Gjergjekun, Agim Shehun e Azem Shkrelin, Ali Podrimjen e Faslli Halitin, Xhevair Spahiun e Musa Vyshkën, Sulejman Maton e Ndoc Gjetjen, Anton Paplekën e Hiqmet Meçajn, Bardhyl London e Natasha Lakon, Moikom Zeqon e Sadik Bejkon, Rudolf Markun e Vllasova Mustën, Niko Kacalidhën e Petrit Rukën, Skënder Buçpapajn e Hamit Alinë duke e përmbyllur me disa poetë arbëreshë, mes të cilëve Dushko Vetmo, Vorea Ujko, Karmello kandrevas, Zef Skiroi di Maxhio, Lluka Perone Pjetro Napolitano, Vinçenso Belmonte, kate Cukaro, Francesko Altimari, Agostin Jordani, Zef Skiroi di Modika, Buzëdhelpëri, Zef Kakoca, etj.

Pjesa e dytë e librit analizon poezinë bashkëkohore shqipe në Kosovë në vitet ’70-80 duke u fokusuar te disa autorë, mes të cilëve Flora Brovina, Sabri Hamiti, Edi Shukriu, Basri Çapriqi, Eqrem Basha e ndonjë tjetër. Është meritë e autorit që poezinë shqipe e analizon si një tërësi dhe te secili krijues nxjerr në pah cilësitë dalluese, motivet e parapëlqyera dhe mjetet shprehëse të përdorura. Studiuesi e ka veçuar këtë kapitull si një risi me emrat e rinj të poezisë shqipe gjatë kësaj dekade të shekullit të kaluar, pavarësisht se në pjesën e parë janë autorët më përfaqësues nga Shqipëria, Kosova dhe arbëreshët.

Në pjesën e tretë libri i kushtohet poetëve të ndëshkuar nga regjimi diktatorial duke përzgjedhur Zef Zorbën e Frederik Reshpjen, Bilal Xhaferrin e Pano Taçin, Trifon Xhagjikën e Jamarbër Markon, Visar Zhitin e Daut Gumenin, Genc Lekën, Vilson Blloshmin e Havzi Nelën.  Ai shkon te Zorba mbijetesën e poetit, te Reshpja motivet e vetmisë e të trishtimit, te Xhaferri krijuesin e etnisë, te Taçi ndjeshmëritë e thella, te Marko dilemat ekzistenciale, te Zhiti pamundsinë për të botuar në periudhën e diktaturës te Gumeni kërkimin e lirisë, te Leka dhe Blloshmi traditën dhe frymën moderne të poezisë nën ndikimin e autorëve francezë dhe te Nela që u bë i njohur pas vdekjes tragjike të tij

Pjesa e katërt dhe e fundit merret me individualitetet që erdhën në vitet nëntëdhjetë dhe që janë aktivë deri në ditët e sotme. Megjithëse merret në mënyrë të veçantë me Mimoza Ahmetin, Ervin Hatibin, Luljeta LLeshanakun e Arjan Lekën, studiuesi analizon edhe prurjet poetike të disa autorëve të tjerë si Agron Tufa, Parid Teferiçi, Ilir Belliu, Romeo Çollaku, Elvira Dones, Krenar Zejno, Gentian Çoçoli, Lindita Arapi, etj.

Please follow and like us: