Albspirit

Media/News/Publishing

Për AI dhe kuantum-teknologjitë, kinezët hap më hap me amerikanët!


(senad guraziu – ap blog, mars 25)

[ grafika ngjitur: kriostat-mbajtësi i kuantum-procesorit kinez prej 105 qubits (kubajt – kuantum bajt) “Zuchongzhi 3.0”, tekno-rival i kuantum-procesorit prej 105 qubits të Google, “Willow” ]

Fakt i Madh (me M të Madhe : ) është se gjatë 5-vjeçarit të fundit ShBA ka fituar më shumë çmime Nobel të shkencës, se pjesa tjetër e botës shkencore së bashku. E dinë dhe kinezët fort mirë, e pranojnë dhe ua heqin kapelën amerikanëve çdo ditë. Në v. 2022 ShBA i ka shpenzuar 923 miliardë $ për kërkime dhe zhvillim shkencor. Bravooo amerikanëve, ta investosh pothuaj 1 trilion $ për avancimin e shkencave dhe t’i fitosh gjithë ata Nobela të shkencave, afërmendsh… mbarë intelektin njerëzor aneskaj botës e bën të ndihet “krenar” (po po, ashtu kolektivisht).

Thashë kështu, sepse bie fjala nëse papritur të takoheshim me “alienët” inteligjentë, me jashtëtokësorët super-inteligjentë, atëherë si specie humanoide do lavdëroheshim dhe do i përdornim të gjitha arritjet tona tekno-shkencore për ta dëshmuar zotësinë tonë. As politikat (sidomos jo ato të Trump), as luftrat s’do i përmendnim… as “eksplozionet” e Nobelit, por sigurisht do e mbronim krenarinë e tokësorëve me Nobelat e shkencave : )

Dmth. bravoja për Amerikën shkencore është 100% e sinqertë, jashtëzakonisht meritore, dhe mbarë njerëzimi mirënjohës. Mirëpo edhe Kina tani fare afër investimeve të ShBA, në v. 2022 kinezët i shpenzuan 812 miliardë $ për kërkime dhe zhvillim shkencor. Dhe natyrisht, për arritjet duhet thënë bravooo Kinës, u lumtë teknologëve dhe shkencëtarëve kinezë, jo vetëm IA-kinezët por dhe kuantum-kinezët duke surprizuar : )

Siç e dimë, të gjithë pakashumë, dikush më pak e dikush më tepër, gara globale në fushat e Inteligjencës Artificiale (IA) prore duke u intensifikuar, ka shumë palë duke konkurruar për epërsi në këtë sektor kritik të tekno-shkencave. Në krye të kësaj gare, që nga fillimi dhe gjithmonë janë IA-gjigantët perëndimorë, të tillë si OpenAI, Google DeepMind, Microsoft, NVIDIA… dhe plot të tjerë, këta dhe e kanë dominuar prej kohësh industrinë.

Kohëve të fundit një konkurrent në zhvillim e sipër, Deepseek, hoooop e hodhi hapin e vet gjigantik dhe hyri në lojën e gjigantëve, apo në garën konkurruese, me mjaft bujë senzacionale. Duke ‘vizatuar’ lloj-lloj pikëpyetjesh e pikëçuitjesh rreth potencialit për ta çoroditur IA-peizazhin perëndimor (siç njihej prej kohësh), apo dhe për ta sfiduar dominimin perëndimor në këtë drejtim. Deepseek është rritur me shpejtësi, dhe performancat janë mbresëlënëse, sipas disa analistëve fuqia e Deepseek paraqet jo vetëm sfidë teknologjike, por dhe aso gjeopolitike dhe etike.

Vetë s’jam “ekspert” i këtyre fushave, mua thjesht më interesojnë “vijat e trasha” të tekno-avancimeve dhe të shkencave (thjesht në rrafshin personal, sepse më “duhen për të gjykuar drejt” sa i përket botës, jo për t’u bërë shkencëtar… or something : ) mirëpo shumë ekspertë kohëve të fundit sikur merren me “pikëpyetjet e pikëçuditëset” nëse Deepseek vërtet t’jetë diç si kërcënim për IA-alternativat komerciale perëndimore. Sikur m’është krijuar përshtypja se shumë ekspertë janë duke i vlerësuar seriozisht përparimet teknologjike kineze, avantazhet strategjike të Deepseek si avancime serioze, si dhe kuptohet po ashtu dhe implikimet më të gjera të rritjes kineze sa i përket IA-ekosistemit global.

Një garë e ngjashme është dhe në fushat e kuantikave. Sot, në “Physics Magazine” lexova dhe për surprizën fringo të re kineze, në fushën e kuantum-procesorëve, edhe kuantum-kinezët e paskan zënë Google…

Në Dhjetor 2024 studiuesit pranë “Google Quantum AI” raportuan për kuantum-procesorin superpërçues prej 105 qubits, të njohur si Willow. Tani kinezët (Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë së Kinës) e kanë demonstruar kuantum-procesorin e tyre 105-qubits, Zuchongzhi 3.0. Të dy procesorët kanë performanca të ngjashme, dhe flasin për garën qafë-më-qafë të dy grupeve, shkruante Barry C. Sanders në një artikull të “Physics Magazine”.

Ndërsa vetë David Ehrenstein (Editor i Physics Magazine) shkruante: “Lajmet kuantike janë duke i dominuar titujt tanë këtë javë. Një kompjuter i ri kuantik kinez e rivalizon kuantum-procesorin Willow 105-qubit të Google, i cili mori shumë vëmendje në Dhjetor. Dhe një teknikë e përdorur më parë për studimin e atomeve të “bllokuar” zbulon funksionin valor kuantik të atomeve të “pa bllokuar”. Kjo aftësi patjetër do ta rrisë fuqinë e simulimeve kuantike të gazrave dhe të grimcave ndërvepruese.”

(artikulli në Psysics Magazine)
Superconducting Quantum Computing Beyond 100 Qubits – March 3, 2025 – by Barry C. Sanders (Institute for Quantum Science and Technology, University of Calgary, Calgary, Canada) [ Physics Magazine – https://physics.aps.org/articles/v18/45 ]

Please follow and like us: