Albspirit

Media/News/Publishing

Sejmen Gjokoli: Dule Havari, rapsodi i shquar i grupit të Dukatit

Nga libri në proces “KORIFEJTË-2”

DULE HAVARI, RAPSODI QË LIGJËROI DUKATÇE…

Për të parën herë do ta takoja në Tiranë, në një nga lokalet e kryeqytetit, ku do të kalohej një darkë me grupin e këngës të Tragjasit.

Ishte viti 1978 kur ky grup kishte udhëtuar nga Vlora për të regjistruar një buqetë këngësh në Radio Televizionin Shqiptar.

Hamdi Pulo, rapsodi e përgjegjësi i grupit të vendlindjes së tij, Tragjasit, kishte përgatitur një dyzinë me këngë të reja e duke e ditur që ato ditë në kryeqytet ndodhej edhe rapsodi i Dukatit Dule Havari e kishte njoftuar për t’ju bashkuar darkës nga ku do të këndoheshin edhe këngët e programuara për regjistrim.

Hamdiu e njihte pasionin tim për këngën labe dhe ndonëse takimi ishte fare I rastësishëm nuk hezitoi të më ftojë për tu bërë pjesë e tavolinës.

-Hajde, do ti këndojmë të gjitha këngët se do vijë dhe Dule Havari ti dëgjojë – më thotë si të fliste për një muzikolog të madh.

Ishin miq të vjetër, vendlindjet në fqinjësi, por atë kohë kishte edhe një traditë që rapsodët jepnin e merrnin me njeri tjetrin, sidomos kur dikush kishte kohë që kishte bërë emër.

Më vonë mësova se rapsodin e Dukatit me Tragjasin e lidhnin edhe disa nga vitet e fëminisë ku i mbetur jetim, së bashku me nënën, vëllain e motrat, do ti kalonte në këtë fshat me bujari, histori e tradita.

Sa kaq këngët ndiqnin njera tjetrën, njëra më e bukur se tjetra. Siç duket marrësi virtuoz i Tragjasit Aranit Daupi po edhe të tjerët e grupit atë kohë ishte në kulmin e karrierës së tyre.

Ajo që po dëgjoja ishte më shumë se disa këngë tavoline, më ngjante më tepër se një koncert i improvizuar polifonik.

Mu kujtua ajo ç’ka Hamdiu më tha kur më ftoi të bëheshi pjesë e grupit …”do ti këndojmë të gjitha se do ti dëgjojë Dule Havari”. Sikur më tha se do ti dëgjojë një professor, një mjeshtër apo usta i madh kënge.

Siç thashë unë e shikoja nga afër për herë të parë ndërkohë që emrin e kisha dëgjuar edhe më herët kur binte fjala te krijuesit e Labërisë, kohë kur radio “Gjirokastra” kishte programin e përditshëm me këngë të zgjedhura nga krahina e Labërisë.

Aty pashë që jo vetëm Hamdiu por edhe këngëtarët kishin një respekt të veçantë, pas çdo kënge donin t’i dëgjonin fjalën.

Nga pamja dukej autoritar e imponues ndonëse tërësisht e mbulonte thjeshtësia e çiltërsia në komunikim.

E kam akoma në sy portretin e tij atë mbrëmje kënge; një burrë i bëshëm, i veshur e kollarisur hijshëm, me flokët e zeza plot onde që i rrinin si tëndë mbi ballë.

Në dilemat që të dalin përpara sa herë të duhet të përcaktosh krijuesit apo ata që japin e marrin me grupet e këngës labe për Dule Havarin kjo nuk ekziston.

Ai mbetet një rapsod i mirëfilltë i Labërisë, pasardhës i ca burrave të dëgjuar në vendlindjen e tij por edhe më tutje e më lartë Lumit të Vlorës.

E, nëse në Dukat do të ndiqte gjurmët e Sheme Velës, Azem Vangjelit, Dervish Ferunit e Beqir Xhelilit me shokë nga Lumi i Vlorës do të qasej me Selim e Mato Hasanin, Xhebro Gjikën, Tartar Zekën e të tjerë burra me krijimtari autentike gojore.

Mjafton të njihesh me krijimtarinë e tij të shkruar dhe të studjosh strukturën e vargut dhe ti e ndjen që qysh në ngjizje ajo është nisur për këngë.

Madje duke e lexuar pa e kuptuar futesh në melodinë apo avazin e këngës e cila është e drejtpërdrejtë, tipike këngë vënçe tradicionale.

” Më nëntëqind e njëzetë,

nëna gjalmë zezat-ë,

në Beun dërguan djemtë,

trimat e tërbuar-ë…”.

Vargje të thjeshta e të drejtpërdrejta tregimtare të përshatura për strukturë kënge tipike të vendlindjes së tij Dukatit ose edhe më thellë në Labëri.

Ose më tej:

” Do të thotë nëna ca fjalë,

o Xhuvel i nënës-o,

me këngë, jo me të qarë,

o Xhuvel i nënës-o,

se nënat për trimat s’qajnë,

o Xhuvel i nënës-o…”.

Është kjo një tjetër këngë kushtuar dëshmorit të fshatit Xhuvel Xhemali, një ligjërim elegjik që të dridhëron.

Nuk mund të më thotë kush ndër njohësit e krijimtarisë folklorike se kjo mënyrë të shkruari nuk është e njëjtë me atë të rapsodëve më në zë të Labërisë të paktën në dy shekujt e fundit.

” Kalaja mbi shkëmb stërralli,

Shqipëri e bukur-o,

të ndrin nuri, të ndrin balli,

Shqipëri e bukur-o…”.

Është kjo një tjetër këngë ku tregon se Dule Havari e përdorte fjalën për tu bërë direkt pjesë e vokalit të këngës, në ruajtje skrupuloze me këngën e traditës, ashtu siç kënga dukatase mbart të gjitha veçoritë e saj.

Për sensin e një rapsodi tipik popullor të Dules flasin edhe disa prej këngëve humoristike që ky grup i ka trajtuar jo pa sukses duke shpalosur kështu një tjetër dimension të trashëgimisë shpirtërore të Dukatit e Labërisë.

” Tregon gego Velideja,

për kohën e shkuar-ë,

tregon vajzave të reja,

si e kanë martuar-ë,

një gurrun burrë më dhanë,

që se kisha njohur-ë…”.

kënduar nga këngëtarja me autentike e më e famshme që ka nxjerrë kjo krahinë, Pika Feruni Gjoleka.

Ende nuk i kishte mbushur tridhjetë vite jete kur Dule Havarit ju besua drejtimi dhe organizimi i grupit të Dukatit.

Në vitin 1964 kur daton krijimi i këtij grupi Dulja ishte vetëm njëzetë e tetë vjeç dhe me të u lidh si krijues e organizues por edhe si këngëtar, si pjesë e tij e pa ndarë.

Në Lezhë atë Janar të vitit 1968, në koncertin e madh kushtuar pesëqind vjetorit të vdekjes së kryeheroit Gjergj Kastriot Skënderbe do të dëgjohej edhe kënga labe “Kapetan, o Skënderbe” ku, me tekstin e shokut të tij të fëminisë e punës Sulo Likoj, Dulja në krye të grupit do të realizonte një nga këngët më proverbiale të këtij formacioni polifonik e cila edhe pas më shumë se gjysëm shekulli nuk e ka humbur madhështinë.

Siç më vonë grupi i Dukatit do të mbetej i pa ndarë në të gjitha festivalet kombëtare të Gjirokastrës, sofra e madhe e folklorit shqiptar.

Është nga të rrallët rapsodë apo drejtues grupesh që për tri dekada sa ishte në krye, asnjëherë nuk e ndau kostumin popullor nga trupi sa herë që grupi do të bënte këngë në skena koncertesh e festivalesh.

Se edhe këndonte po edhe vallen e hidhte mirë.

Me grupin në skena kanë dalë edhe të tjerë krijues e udhëheqës grupesh në Bregdet e Labëri duke filluar nga Lefter Çipa, Kujtim Mici, Pelivan Bajrami, Nertesi Asllani Kastriot e ndonjë tjetër por Dule havari është unikal.

Aq e vërtetë kjo cilësi e tij sa në asnjë fotografi me grupin nuk e gjen dot pa kostum kombëtar popullor, kudo e kurdoherë.

Por duhet thënë se krahas ruajtjes me skrupulozitet të traditës së këndimit dukaçe, me Dule Havarin lidhet edhe evoluimi i këngës së këtij fshati me emër të madh në histori e trashëgimi.

Është koha kur Dule Havari në Dukat e Beqir Laçe në Tragjas, diku nga fundi i viteve gjashtëdhjetë, nisën ti japin një tjetër fizionomi këndimit muzikor të vargut.

Kjo si ndërtim strukturor por edhe si mënyrë të kënduari mbasi vendin e këngës tradicionale me dy vargje tetërrokshe do ta zinte katër vargshi recitativ i cili me kohë u bë mbizotërues në shumë grupe polifonike.

“Kur të nisa për në çetë,

bashkë me shokë të tjerë,

gjer të kroi të përcolla,

të putha dy a tri herë…”.

Është kjo strofa e parë e këngës “Kur të nisa për në çetë”, kënduar nga këngëtarja unikale e Dukatit Pika Gjoleka dhe grupi në Festivalin e dytë folklorik kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1973.

Përfytyroni pritjen që ju bë këtij grupi e kësaj këngëtareje në kalanë e gurtë vetëm pak kohë pasi kënga “Ligjëro bilbili ynë” me të njëjtën strukturë e vijë melodike kishte “pushtuar” vendin.

Në këtë festival Dule Havari do të ngjiste në kala edhe një tjetër perlë dukatase qëmtuar në sepetet e krijimtarisë së herëshme popullore të këtij fshati, “O Dervish Aliu, dole”.

Këtu treshja famëmadhe e Dukatit me Bego Vangjelin, Leko Gjolekën e Sulo Bozhanin do të mahnisnin dynjanë duke e shpallur mënyrën e këndimit “tre vetshe” një nga margaritarët e rrallë të korpusit të polifonisë shqiptare.

Ishte koha kur grupin karakteristik të Dukatit e përbënin emra të mëdhenj të folklorit lab, një radhë djemsh e vajza që në vite u bënë burra e zonja të mëdha kënge.

Me Pika Gjolekën, Bego Vangjelin, Leko Gjolekën, Qazim Hibron, Asqeri Vangjelin, Sulo Bozhanin, Muhamet Gjolekën, Azem Havarin, Qamile Havarin e Isa Vangjelin me shokë, Dule Havari do të realizonte një aradhë këngësh e vallesh perla të Dukatit të cilat kanë zënë vënd në fonotekën e krijimtarisë më të mirë të Labërisë e që në memorjen e bashkëkohësve tingëllojnë ende të magjishme e të dallueshme për nga fjala, stili muzikor e fuqia interpretative e këndimit.

Një brez i tërë i artë, në këngën e vallen e zjarrtë.

Pikërisht për këto prurje të reja të cilat edhe pse u konsideruan risi por që në thelb ruajtën tharmin e akcentin dukatas, Spiro Shituni, një nga etnomuzikologët më të shquar të vendit, do të shprehej: “stili muzikor i Dukatit tërheq vemëndjen e opinionit shkencor artistik, jo vetëm për idetë e mëdha e të fuqishme bashkëkohore që sjell, por edhe për mjetet shprehëse. Mënyra dukatase e të kënduarit përfaqëson stilin muzikor më të qartë, më të thjeshtë e më recitativ që ka dalë deri më sot në historinë e zhvillimit të këngës shumëzërshe labe…”.

Dule Havari si shkrues i fjalës por edhe si drejtues i grupit ka pa as më të voglën mëdyshje vëndin e vet në këtë stilizim e evolucion të kësaj kënge.

Dimensioni krijues i Dule Havarit rrok thuajse të gjitha fushat apo hapësirat shoqërore të cilat vërtiten rreth lirizmit dhe epizmit, ndërkohë që brenda këtij laboratori krijues ndeshen shtresëzime të lloj-llojshme të një melosi tradicional jugor.

Dulja ishte një qytetar i angazhuar, një intelektual i formuar po edhe një penë e hollë që hera-herës e ngjyente në histori, në dashurinë për atdheun, flamurin, ngjarjet e mëdha të kohës, për “shqipen e bukur si nuri, shtizën ku qëndron Flamuri”, për “trimen Sado Koshënë, të rriturën në Ravenë”, për “Qazim Hibron me halle, që s’del më në këngë e valle” e deri tek vargjet plot satirë e humor që ky fshat i ka trashëgimi.

Jeta mes mësimdhënësit në fushën e arsimit dhe drejtuesit në atë të kulturës e ka ndihmuar atë për të qenë një kronikan i fenomeneve dhe gjithçkaje tjetër të ndodhur në të gjitha hapësirat social-kulturore të Dukatit, Labërisë e Atdheut.

Dule Havari në të gjithë harkun kohor të më shumë se tridhjetë viteve të punës së tij me grupin e këngës së Dukatit krijoi duke u mbështetur fort në tabanin popullor të vendlindjes së tij.

Aty dha e mori një jetë, sa rrojti shkroi e “gatoi” me shokët këngë në magjen tradicionale plot trashëgimi shpirtërore dukatase duke ligjëruar përherë dukaçe.

Pas tij e pas tyre një grup tjetër më i ri, brezi më pas, me këngën e Dukatit si trashëgimi është duke shkruar një tjetër histori të ndritur.

Please follow and like us: