Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Habazaj: Naxhi Kasoruho, një misionar fisnik i thesareve të kulturës popullore

Një miku im i mrekullueshëm i kulturës gjirokastrite, i palodhshmi Stefan Arseni ka vite e vite që më flet me aq pasion dhe admirim për të vërtetin Mjeshtër të Madh, Naxhi Kasoruho – këtë misionar fisnik të thesareve të kulturës popullore të Lunxhit, Dropullit e Gjirokastrës, Shqipërisë mbarë.

Artistin, muzikantin, etnomuzikologun dhe organizatorin e zot e shpirtgjerë, udhëheqësin artistik që përgatiste grupet popullore të rrethit të Gjirokastrës, për në festivalet e mëdha folklorike kombëtare, që nga ai i pari i 1968-ës që tundnin e trondisnin madhërishëm kalanë e rëndë të këngëve magjike dhe valleve hyjnore, profesor Naxhiun e kam vlerësuar dhe e nderoj si një ndër studiuesit më seriozë, të kujdesshëm dhe më të devotshëm të kulturës jomateriale dhe materiale të krahinave etnografike të Gjirokastrës, patjetër dhe të mbarë folklorit dhe etnografisë shqiptare.

Pasi lexova me endje librin e tij “Në thesaret e kulturës lunxhote” më erdhi ndërmend një shprehje e entomuzikologut gjerman Fritz Bose [Fric Boze: 26.06.1906-16.08.1975]: “Muzika nuk është vetëm relikt kulturoro – historik i lashtësisë së ndritshme, por njëkohësisht edhe e tanishmja më e gjallë. Ajo është tradita e trashëguar dhe njëkohësisht krijimtaria më e re. Madje edhe aty ku me respekt të plotë jemi të vetëdijshëm për traditën e lashtë, ajo, megjithatë, në mënyrë funksionale mbetet e lidhur me botën e sotme. Ajo ka detyrën e saj në të tashmen dhe në raport me të ajo është bashkëkohore dhe moderne”.

Sa i rëndësishëm dhe aktual tingëllon gjykimi i tij dhe ndihesh mirë kur ti ke me se krenohesh si Shqipëri edhe në fushën e folkloristikës, muzeologjisë, apo etnografisë me personalitete si Naxhi Kasoruho.

Në mëhallën e Gurrës Popullore, të këngës polifonike labe, pra, parë rrafshin etnografik dhe folkloristik, Lunxhëria dhe Labëria janë kushërira të para. Sipas studiuesve më të njohur të fushës, ndër 15 stilet kryesore të këngës polifonike labe, është edhe stili muzikor i Lunxhërisë me 3-4 zëra, që krenohet me Dhoksatin, Labovën, Stegolupin, Karjanin, Erindin, Selckën, Këllëzin, Nokovën, Krinën, Saraqinishten, të gjithë fshatrat e trevës, [shih: Kënga Polifonike Labe, botim i nivelit akademik, 1986].

Naxhi Kasaruho ka shkruar disa libra për Gjirokastën e Festivalit, “Mes këngëve dhe valleve të Dropullit”, për Gjirokastrën e këngës, për korifej të këngës gjirokastrite, si Selam Mamani, etj., por kur shkruan për thesaret e kulturës lunxhote, pena sikur i ngjyhet në mjaltin e këngës dhe valleve aq të bukura, si dhe në kostumografinë e burrave lunxhotë e sidomos në veshjen aristokrate të zonjave të Lunxhit. Ore, po sikur i shkëlqejnë shkronjat nga vërtetësia e sytë i ndrisin nga dashuria. Dhe ka të drejtë. Lunxhi zotëron filigranet e arta të shpirtit aq të pastër popullor, të traditës aq të pasur e të virtytshme lokale me përmasa të larta kombëtare e më gjerë.

Libri “Në thesaret e kulturës lunxhiote” është një manual folklorik i kujtesës shpirtërore, botuar nga miqtë e ditur të SHB “Albin” Marie e Spiro Dede në vitin 2006 me 196 faqe, ku autori Kasoruho na shpalos thjesht, rrjedhshëm dhe vërtetësisht visaret shpirtërore, trashëgiminë folkorike me këngët dhe vallet lunxhote, këngët polifonike, vallet e kënduara, Lunxherinë në kalanë e festivaleve, dasmat lunxhiote, instrumentet popullore, kostumet pupullore, shtëpitë karakteristike të Lunxhërisë, monumentet e kultit, kishat dhe manastiret në Lunxhëri, gatimin tradicional aq të shijshëm, glikotë,  byrekët e lakrorët, ëmbëlsirat e gjellët e lunxhoteve, saqë vetë Lord Bajroni e pëlqeu aq shumë, u magjeps e u dërgoi mesazh londinezëve të mësonin nga kjo traditë e veçantë.

E veçantë është Dita e Kulturës Lunxhote, së cilës autori i ka kushtuar një vëmendje të merituar, si një ekspozim dinjitoz i vlerave të trashëgimisë kulturore, e cila vijon dhe përditëson stafetën e bukur festive me Festivalin Folklorik “Divanin lunxhot”. Po kështu vlerësimi që autori i bën gazetës “Lunxhëria”, si tribunë e pasqyrimit të kulturës lunxhote është një shembull sesi një studiues duhet të ndërmarrë një studim, që duhet ta njohë koha dhe brezat.
Intervistat me Profesor Naxhi Kasoruho, që bën me Leko Makon, kryeredaktorin e “Lunxhërisë”, ish drejtor i shkollës së Dhoksatit, kur artistët poullorë shkëlqyen për Lunxhërinë në kalanë e festivaleve, po ashtu bisedat me prof. Marenglen Spiron, prof. dr. Ramazan H. Bogdanin, me këngëtaren e ëmbël Irini Qirjako, shkrimet për kontribuesit e drejtuesve të kulturës në Lunxheri, portreti i mësuesit të merituar Koço Mosko e malli për Lunxhërinë na rrëfejnë se ai është sa mirënjohës aq dhe falenderues. Profesori, nuk është thjesht një klarinetist i dëgjuar, kompozitor e muzikolog, por është bartës stoik, mbrojtës, luftëtar e udhëheqës i vlerave autentike folklorike të trevës.

Kush nuk e dëshiron fatin e Naxhiut që të shkruaj për Lunxhin-këtë krahinë traditë, që ka feksur në lartësi kombëtare me historinë e lirisë, të arsimit e të kulturës, me emra të përveçëm, si Kostandin Hoxhi (ose Koto Hoxhi. Qestorati, siç e përjetëson kënga), [Qestorat – 1824- Stamboll, 1895], Pandeli Sotirin e shkollës së parë shqipe, heroin e orëve të para të çlirimit Misto Mamen, deri tek Arben Duka i pavdekshëm i lirikave dhe poezisë së angazhuar apo madhështori i pashfaqshëm Koço Vasili, që e ka flakur tej pleqërinë, sikurse vetë profesor Naxhiu sikur ta kishte një pelerinë të grisur, duke e shpallur non grata për profilin e tij njerëzor dhe kulturor.
Profesor Kasoruho di të vlerësojë dhe të nderojë zonjën e rrallë Katerina Mirokosta, një grua e emancipuar, shumë aktive dhe trashëguese e denjë e vlerave të trashëgimisë kulturore të Lunxhërisë.

Përveç të tjerave, përse e vlerësoj unë prof. Naxhi Kasoruhon?!

Nuk e dija që ai e kishte shumë mik, si vëllain tim të madh, Apostol Pilo Duka, dashamirësinë e shpirtit të tij të madh dhe mendimit të mprehtë e të thellë ia kam njohur që në vitet 1975 në Tiranë. Colja na vështron nga yjet, o profesor Naxhiut dhe na buzëqesh si ai.

Lunxhi është një krahinë e emancipuar, me një kulturë qytetare shumë të dinjitetshme. Krahas djemve, burrave e pleqve, atje janë vajzat, gratë e plakat, madje gratë shkëlqejnë.

Me bukurinë mahnitëse të kostumit, që kanë veshur ato, me melodinë aq të ëmbël e brilante të këngës, me elegancën dhe fisnikërinë e të kërcyerit, vallja lunxhote është një nga perlat e folklorit tonë kombëtar, një margaritar në gjerdanin e artë të kulturës sonë” – shkruan autori (f.17).

Kostumi i vajzës lunxhote, aq i bukur e aristokratik, harmonizuar me atë motiv të bukur liriko-optimist të shndritshëm tek një epik çupash aq të bukura, të hijshme dhe elegante, me atë zë të kthjellët, të ngrohtë e melodioz të rrëmbejnë dhe të bëjnë për vete. Vallja e grave lunxhote, kostumi, melodia, koreografia dhe valltarja, janë në unison perfekt midis tyre, aty njihet vetëm nota 10 me yll.
Për mendimin tim, këngët dhe vallet e grave të Lunxhit, kostumet e tyre popullore janë standardi më i lartë dhe zënë një vend nderi në lëmin e folklorit dhe në studimet e  folkloristikës shqiptare.

Sa herë sjellim ndërmend Lunxhërinë, na vjen jehona flladitëse aq romantike deri në përsosmëri, vallja e kënduar, ardhur po me atë magji si 47 vjet më parë, kur në FFK GJ (në të tretin, 1978) si shtojzovallë shpirti i Dhoksatit mahniti skenën e kalasë: “Ç’ nur që ka vallja lunxhote/Lunxhëri, plot lezete/ Ç’bukuri ke mbi vete! Mbushur me zërat e zogjve/ Lunxhëri, moj e mira/ Mbushur, o plot stolira/Kodrat e tua pa shoqe/ Lunxhëri…/ Ujërat, o këngë mali/ derdhen, o si kristali/Djem,  e vajza si lastarë… me Katerina Çipin, thëllëzën që kërcente plot elegancë dhe këndonte me një zë të mrekullueshëm e brilant, me kthyes veteranin zëkumbues Vasil Çuçi dhe hedhës Koço Vasilin të përsosur.

FALEMINDERIT PROF. NAXHI KASORUHO PËR THESARET E KULTURËS LUNXHIOTE!

Please follow and like us: