Albspirit

Media/News/Publishing

Gazeta Dielli/Studiuesi Bardhosh Gaçe nderohet me titullin akademik ‘Profesor Emeritus’

Historiani dhe studiuesi i respektuar i shkencave shoqërore Bardhosh Gaçe u nderua me titullin akademik Profesor Emeritus sot më 5 mars në Universitetin Ismail Qemali Vlorë, ku ka qenë pedagog që nga viti 2000.

Motivacioni i titullit vlerësonte “kontributin e tij të shquar në zhvillimin e arsimit kombëtar, si pedagog i departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Universitetin Ismail Qemali” Vlorë, me një varg botimesh për albanologjinë dhe kulturën shqiptare, ku ka spikatur puna me përkushtim dhe nivel të lartë shkencor”.

Ceremonia u hap nga Kryetare e Senatit Akademik dhe Rektore e këtij Universiteti Prof. Dr. Aurela Saliaj. Për rolin e tij si personalitet kërkimor shkencor folën referuesit Prof. Asoc. Monika Hasani, Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë e cila ka mbrojtur oponencën me titull “Bardhosh Gaçe Pedagog me vlera të ralla”, Dr. Ermir Xhindi, Dr. Edlira Cerkezi e “Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë” etj.

Certifikata me titullin Profesor Emeritus për Prof. Dr. Bardhosh Gaçe u prezantua nga Rektorja e Universitetit Prof. Dr. Aurela Saliaj. Në ceremoninë e sotme kishin ardhur Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë Ervis Moçka, Prefekti i Vlorës Plator Nesturi, deputete Pranvera Resuli, pedagogë, student, miq, dashamirës dhe familjarë të Prof. Dr. Bardhosh Gaçe.

Kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA Dr. Elmi Berisha në emër të Vatrës dhe gazetës Dielli e përshëndet dhe uron studiuesin e respektuar për titullin shkencor. Duke ju referuar bisedës me Profesor Gaçen në Tiranë muajin e kaluar, Dr. Elmi Berisha shprehu entuziazëm për projekte dhe bashkëpunime shkencore në të ardhmen.

Please follow and like us: