Arben Iliazi: Angela Kosta e Kujtim Hajdari, si metaforë e humanizmit
“Verba docent, exemple trahunt” – Fjalët mësojnë, shembujt edukojnë!
Në vend të një letre përshëndetëse për poetin e mirënjohur Kujtim Hajdari, me rastin e editimit të antologjisë “Al Together 3”, si dhe për poeten Angela Kosta, spikatur në shumë aktivitete promovuese e botuese vitet e fundit, preferoj të shpreh disa mendime publike për këta dy personalitete të rrallë të letërsisë dhe artit shqiptar, për të cilët humanizmi është metafora më e shndritëshme dhe më shprehëse.
Në kohën e sotme, ku gjithçka identifikohet me politikë, Kujtim Hajdari e Angela Kosta janë një dukuri intelektuale e veçantë në kulturën tonë.
Së pari janë personalitete letrare kombëtare, me një pasaportë autentike, njerëz par exsellence të genit shqiptar. Emri i Kujtim Hajdarit dhe Angela Kostës janë padyshim një fuqi e pashtershme rrezatuese dhe emblematike.
Artistë të mirëfilltë, shkrimtarë, poetë, promovues e përkthyes. Krijues të një kalibri jo të zakonshëm, me përmasa të pakrahasueshme me shumë autorë të tjerë shqiptarë.
Në rrafshin e kulturës dhe letërsisë kombëtare meritat e Angela Kostës dhe Kujtim Hajdarit janë të padiskutueshme. Ata kanë zgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në tempullin e artit botëror. Ky është mision i shpirtit të tyre. Kështu ata marrin nga jeta kënaqësinë më të madhe. Vetëm kështu ndihen të lumtur dhe plotësisht të vërtetë.
Kujtim Hajdari, së bashku me miken e papërtuar Angela Kosta, janë ndërmjetës të mrekullueshëm të letërsisë shqipe me botën, mediume të spikatuar të kësaj letërsie te popujt e tjerë, duke shpërndarë nëpër botë krijimet e autorëve shqiptarë, pronën shpirtërore të shqiptarëve.
Si rrallëkush ata janë dimensionuar, me jetën e tyre prej krijuesi dhe intelektuali, në fatet e letërsisë shqipe.
Dihet që letërsia shqipe në 50 vjet komunizëm, por edhe në sistemin postkomunist, i është nënshtruar një anateme, duke e përjashtuar atë nga liria dhe ndërkombëtarizmi.
Zëri i Hajdarit dhe Kostës janë shprehje e ndërgjegjes së shqetësuar letrare, me dinjitet të pazakontë, krijues, përkthyes dhe promovues të formatit ndërkombëtar, puna dhe aktiviteti i të cilëve reflekton kudo.
Këta njerëz kanë një kurajë dhe pasion të habitshëm.Dituria e tyre polivalente, talenti i rrallë dhe kultura e gjerë, i bën të sigurtë, të qartë dhe të pakontestueshëm.
Ata përpiqen të ngrenë lart kulturën e kombit të tyre, duke i besuar vetëm një filozofie: sistemit të dijeve kombëtare, të artit, kulturës dhe letërsisë shqipe, që janë testi i vërtetë i njeriut shqiptar.
Dihet që letërsia dhe përgjithësisht arti është një utopi e ndritur, nga më të mrekullueshmet, por krejtësisht e domosdoshme, si formula e ajrit.
Vetëm kafshët nuk kanë nevojë për utopi, ka thënë shkrimtari i njohur zviceran i shekulli të XX, Max Frisch.Por të qenit intelektual apo shkrimtar në Shqipëri është gati një neurozë. Një trishtim i madh që pason me përbuzje të madhe. Ekziston nje realitet gati antiintelektual, paradoksal.
Pushtetarët tanë, gjatë gjithë periudhës postkomuniste, kanë manifestuar po atë mendësi fatale, faraonike të totalitarizmit, që i instrumentalizonte politikisht intelektualët dhe artistët. Kësisoj i kanë bërë ata fatalistë të sfilitur në vetminë e tyre. Askush nuk kujtohet sot për këtë potencial sublim, askush nuk bën vlerësime artistike. Kur dihet që arti është mënyra më e mirë për të mos vdekur nga e vërteta.
Është vërtet një turp i madh që sot nuk ekziston Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, që shkrimtarët nuk kanë një ambient ku të mbidhen e të promovojnë krijimet e tyre.
Artistët e shkrimtarët, për pushtarët e çdo kohe, sikur nuk ekzistojnë, sikur kanë shkuar në planetin Mars dhe nuk janë kthyer, se kanë humbur rrugën.
Sot në letërsinë dhe artin shqiptar nuk ka opinion publik, nuk ka opinion letar-artistik. Përballë problemeve ekzistenciale shkrimtarët dhe artistët janë tjetërsuar. Është e tmerrshme, por duhet pohuar. Një pjesë e madhe janë tërhequr nga krijimtaria të deziluzionuar. Por njerëz si Kujtimi dhe Angela, duke bashkëpunuar ngushtë me njëri-tjetrin, i kanë futur përsëri në “lojë”, kanë bërë të mos mënjanohen. Në fund të fundit arti është krijuar për të shpikur një optimizëm të vërtetë.
Të bën përshtypje te Hajdari e Kosta edhe ruajtja dhe përsosja me pasion e gjuhës shqipe, megjithëse ka shumë vite që jetojnë në diasporë.
Njohës të shumë gjuhëve, përkthyes bilingual dhe trilingual, te përkthimi i krijimtarisë së autorëve shqiptarë ata kanë krijuar një ekuivalencë gjuhësore. Janë ndër të paktët mjeshtër të shqipes së shkruar, ku dimensioni leksikor e morfologjik është i përcaktuar nga një model i jashtëzakonshëm i një sintakse të brendshme, lakonike, që përkon me koncepsionin e kulturës perëndimore. Kjo duket si në përkthimet në anglisht të Kujtimit, ashtu edhe në përkthimet e Angelës në gjuhën italiane.
Të dy artistët tanë të shquar janë të vetdijshëm se letërsia dhe kultura janë vetëdija e një kombi. Sa më e vështirë për shkrimtarët dhe artistët të gjejnë lirinë dhe mbështetjen, aq më shumë tronditet ai.
Me një vizion të qartë, me një zemër të madhe që drithërohet, ata janë kthyer në utopistë të mençur, duke mbjellë te e sotmja të ardhmen. Dhe si të tillë janë afatgjatë. Thelbi i jetës së tyre është thelbi i veprës së tyre. Puna e tyre e palodhur si editorë dhe Mentorë të letrarëve shqiptarë është e pafund dhe një vlerë kombëtare. Ata dinë të ndihmojnë si askush, pa u kërkuar ndihmë. Rrallë të qëllon në jetë të takosh njerëz të tillë. Mesazhet e tye në messenger i ruaj si relike të çmuara.
Dihet që intelektualët dhe humanistët e vërtetë nuk bëhen as me dekret, as me gradime oborri.Ata janë të tillë sepse shquhen në reliev pune dhe vullneti të pazakontë, me anë të talentit të tyre të jashtëzakonshëm.
Ndaj duhen nderuar në çdo kohë. Një popull që nuk nderon intelektualët artistët, shkrimtarët, shkencëtarët, ka vetëvrarë të ardhmen e vet.
ANGELA KOSTA
Angela Kosta ka lindur në Elbasan dhe jeton në Itali që nga viti 1995. Është poete dhe shkrimtare që shkruan në gjuhë të përbotshme ndaj në librat e saj gjejnë jehonë miliona jetë. Është e njohur gjithashtu si Drejtore e revistave fizike MIRIADE, 22 MARKERS ON GLOBAL ART, NUANCES ON THE PANORAMIC CANVAS, BRIDGES OF LITERATURE, si gazetare, eseiste, redaktore, kritike letrare. Deri tani ka botuar 25 libra: romane, poezi dhe përralla në: shqip, italisht, anglisht, frengjisht, arabisht, koreanisht, spanjisht, turqisht dhe japonisht. Është autore e 6 antologjive të publikuara në: Kosovë, Itali, SHBA dhe Turqi. Ka përkthyer nga anglishtja 170 autorë në dygjuhësh: italisht – shqip – italisht gati 1500 tekste të tyre: poezi, proza, artikuj, kritika letrare, recensione, intervista, biografi artistësh, recensione, studime etjer…); ka promovuar mbi 600 autorë, 85 artistë në revista të ndryshme letrare ndërkombëtare. Ka përkthyer 8 libra me poezi të disa autorëve. Gjithashtu ka përkthyer poezitë e klasikëve dhe nobelistëve të shquar italianë si dhe të autorëve të tjerë të shquar.
Shkrimet dhe përkthimet e saj janë botuar në revista dhe gazeta të ndryshme letrare në disa vende kontinentale dhe ndërkontinentale.
Angela Kosta shkruan artikuj dhe intervista për gazetën Calabria Live, Agorà Giovani, revistën Saturno, Revistën Alessandria Today, L’Obiettivo (Itali), revistën ndërkombëtare Orfeu – Prishtinë, gazetën Nacional (Tiranë), Gazeta Destinacioni, Perqasje Italo – Shqiptare, revistën Mirdita, revistën Atunis Galaxy (Belgjikë).
Angela Kosta bashkëpunon dhe promovon në revistat: “International Literature Language Journal, Creatività Magazine, Artistic Visions (Michigan), Wordsmith International Editorial (Florida), Raven Cage (Gjermani), The Dayli Global Nation (Dhaka), Güncel Sanat (Turqi), Sindh Courier (Pakistan), Kavya Kishor International (Bangladesh), Glitterati Sparks (Indi), Noi Qui (Itali), Literary Barcelona (Spanjë), etj… Ka botuar revistat e saj të printuara të artistëve duke përfshirë: piktorë, skulptorë dhe fotografë 22 MARKERS ON GLOBAL ART në nëntor 2024 dhe NUANCES ON THE PANORAMIC CANVAS në janar 2025, në mars, në botim e sipër numri i ri.
Angela është bashkëautore në disa antologji në: SHBA, Angli, Indi, Bangladesh, Shqipëri, Rusi, Gjermani, Bulgari, Kroaci, Indonesi, Kosovë, etj…
Është Zv. Presidente e Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Përkthyesve në Korenë e Jugut, Ambasadore e Kulturës dhe Paqes në disa Organizata jo fitimprurëse në: Kanada, Bangladesh, Poloni, Algjeri, Egjipt, Meksikë, Rumani, Yemen, Moldavi, Rumani, etj…
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve (LSHASH) dhe BSHBSH – Itali, anëtare në Akademinë e Shkencave dhe Artit – The Albanian American Academy of Science and Art (AAA në Amerikë), Konsulente Nderi në Shoqatën Katedra e Gruas mbështetur nga OKB, anëtare në Shoqatën VerbumlandiArtAps e aprovuar nga Senati i Republikës (Itali), anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në: Greqi, Poloni, Hungari, Meksikë, Rumani, Kroaci, Indi dhe Bangladesh.
Në Itali shumë gazeta të rëndësishme dhe revista kanë shkruar artikuj të ndryshëm për Angela Kostën.
Ajo është botuar si Personazhi i muajit në Kopertinat e revistave: International Literature Language Journal (Miçigan), Wordsmith International Editorial (Florida), Saturno Magazine (Itali), Literary Magazine (Barcelona), Elitè Magazine (Liban), Sada Al Thaqafa (Irak), Legacy Crown (Filipine), Oddyse International Editorial (Bangladesh), Hummanity Global Magazine (Venezuela).
Poezitë dhe tekstet e Angela Kostës janë përkthyer dhe botuar në 40 gjuhë dhe vende të huaja. Vetëm në vitin 2024 është botuar në 150 gazeta, revista kombëtare dhe ndërkombëtare me: poezi, artikuj, intervista, ese, recensione etj. si dhe ka marrë shumë çmime nga revista dhe gazeta të ndryshme botërore.
Më 16 Janar 2025 nga Qendra Ndërkombëtare e Përkthimit dhe Kërkimit Poetik, Revista Shumëgjuhëshe: Journal Rendition Of International Poetry, Nga Bordi Drejtues i Bashkimit Botëror Të Revistave Poetike me votën e Komisionit Ekzekutiv Ndërkombëtar dhe Organizatës (IPTRC) në Kinë, u shpall si Poetja më e mirë Ndërkombëtare për vitin 2024.
Gazeta marokene Akhbar7 gjithashtu e shpalli personazhin e shquar për vitin 2023.
Angela Kosta ka marrë Certificata Doctor Honoris nga Universitete të ndryshme si në: Kolumbi, Moldavi, Yemen, Algjeri, Rumani, Meksikë, Indi dhe së fundmi edhe nga Universiteti i Gjuhë – Letërsisë në Marok nga Dekani Muhammad Blik dhe Michael Hislop (Australi).
DISA NGA LIBRAT E TJERË TË AUTORES JANË:
“Shpirti i burgosur” – roman (2003)
“Më fal” – novela (2004)
“La collana magica – Varësja Magjike” – roman (2007)
“Loti i shkëlqyeshëm – Lacrima lucente” – poezi (2008) përfitimi i të cilit iu dhurua Shoqatës ONLUS për kërkimin shkencor ndaj Amyotrophic Lateral Sclerosis (SLA)
“Sytë e nënës – Gli occhi della madre” – thriller (2011)
“Milioneri i varfër – Il milionario povero” – roman (2017)
” Të jetosh – Vivere” – poezi (2018)
“Oltre l’oceano – Përtej oqeanit” – roman (2019)
“Ylberi dhe Sara e vogël – L’arcobaleno e la piccola Sara” – përrallë (2020) përfitimi i cilit iu dhurua Shoqatës ONLUS Daniele Chianelli për kërkimin shkencor ndaj Leuçemisë, Tumoreve dhe Limfomave tek të rriturit dhe fëmijët.
“Libri nën rrënoja” – poezi (2023
“Il Potere Dell’Apocalisse”
“Nostalgia del infinito” – Janar 2025, etjer…
KUJTIM HAJDARI
Kujtim Hajdari lindi në Hajdaraj, më 10 prill 1956, në qytetin e Lushnjës, Shqipëri. Ai ka përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme si dhe shkollën e mesme mekanike, dhe më pas ka ndjekur studimet universitare në gjuhë dhe letërsi në Elbasan. Fillimisht ka punuar si mekanik, dhe pasi është diplomuar, punoi mësues i gjuhës dhe letërsisë në shkollat e mesme.
Ai filloi të shkruajë në një moshë të re, me poezitë dhe krijimet e tij duke u botuar në gazetën lokale dhe revistat si “Shkendija,” “Drita” dhe “Zëri i rinisë” gjatë viteve të shkollës së mesme dhe të shkollës së lartë.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai përgatiti tre vëllime: një me poezi me titullin “Do të vijë pranvera?”, një me tregime të shkurtra me titullin “Violinisti,” dhe një dramë me titullin “Netë pa gjumë.”
Por veprat e tij nuk panë dritën e botimit se poeti u akuzua për frymë antiparti.
Pas ndryshimit në sistemin politik, ai u largua në mërgim në Itali, ku kaloi shumë vite e më pas u vendos në SHBA, ku është dhe sot.
Për një periudhë të gjatë kohë, ai ndaloi shkrimin për shkak të demoralizimit të shkaktuar nga mospublikimi i vëllimeve të tij dhe kërcënimeve që iu përball si shkrimtar i pakënaqur, si dhe sfidave të familjes dhe vështirësive të izolimit. Ai filloi të shkruajë përsëri, pas një pushimi prej rreth 25 vitesh, kryesisht poezi në shqip, italisht, dhe më së fundmi, në anglisht.
Edhe në Itali dhe në SHBA, ai vazhdon të shkruajë dhe të jetë aktiv, duke publikuar rregullisht vëllime poezie, duke marrë pjesë në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare të ndryshme, dhe duke ndarë poezinë e tij në shumë platforma online dhe në publikime të ndryshme. Poezitë e tij mbulojnë një gamë të gjerë temash, me një fokus të rëndësishëm në çështjet dhe sfidat e izolimit si dhe veshtirësive të jetës sidomos në mërgim. Ai shkruan kryesisht poezi të strukturuara, por eksperimenton me sukses edhe me poezi me varg të lirë.
VËLLIMET POETIKE:
1. “Mbrëmë isha pa ty” në maj 2018, botuar nga “Create Space” në SHBA.
2. “Mbrëmë isha pa ty” një botim tjetër (me ndryshime të vogla), pothuajse autentik, nga “ADA” në Tiranë.
3. “Do të vijë natën” në shtator 2018, botuar nga “Create Space” në SHBA.
4. “Emri i bukur dashuri” në mars 2019, botuar nga “ADA” në Tiranë.
5. “Do t’u them…” në tetor 2019, botuar nga “ADA” në Tiranë.
6. “I dolori del cuore” botuar në janar 2020, në Romë, nga “Aletti Editori,” në italisht.
7. “Pse bëjmë kështu” në qershor 2020, botuar nga “ADA” në Tiranë.
8. “Kur shkoj në fshat” në korrik 2021, botuar nga “JOZEF” në Durrës.
9. “Come i fiori di aprile” në italisht, në shtator 2021, botuar nga KDP Amazon në Poloni.
10. “You are everywhere” në anglisht, në nëntor 2021, botuar nga KDP Amazon.
11. “Udhëve të Botës” u botua në janar 2022 nga shtëpia botuese “Botimet Jozef” në Durrës.
12. “Do të vijë natën” ribotim, i ripunuar, në janar 2023, Durrës, Shqipëri.
13. “You are everywhere” në anglisht, i ripunuar, në nëntor 2023, botuar në SHBA.
14. “Through the waves of life” Përkthimi nga shqip në anglisht. (Antologji me poezi të zgjedhura nga 10 vëllimet e botuara), janar 2024, nga KDP Amazon, SHBA.
15. “I ngrita të rënët” 2024, nga shtëpia botuese “Botimet Jozef” në Durrës.
PUBLIKIMET NË ANTOLOGJI TË NDRYSHME:
Deri më tani, ka marrë pjesë në 62 antologji, 12 kombëtare dhe 50 ndërkombëtare në tre gjuhë: shqip, italisht dhe anglisht.
Antologji me pjesëmarrjen e poetëve të njohur nga shumë vende të botës.
Poezitë e tij janë botuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, SHBA, India, Rumani, Marok, Egjipt, Danimarkë, Pakistan, Bangladesh, etj
Ka marrë pjesë në shumë kompeticione kombëtare e ndërkombëtare ku ka fituar çmime të shumta në vende të ndryshme të botës.
Në gusht të 2024 fitoi në SHBA çmimin INTERNATIONAL MPACT BOOK AWARDS.
Është editor i antologjive speciale “All Together” 1-2-3, si dhe “All Togeher special” për Shën Valentinin.